-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Misioni i Ri i pamundur i Hashim Thaçit

Më të lexuarat

Kërcënimi i Ministrit të Jashtëm e Hashim Thaçi se do të padisë Serbinë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është kritikuar se është ligjërisht jopraktik dhe një keqpërdorim i mundshëm burimesh.
Thaçi është akuzuar për një gafë politike pasi tha në fundjavë se Kosova po merr në konsideratë të padisë Serbinë për gjenocid të kryer gjatë konfliktit të viteve 1998-1999 me forcat e Beogradit.
“Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Ne kemi prova, dëshmitarë dhe e gjithë bota e di këtë,” tha ai për agjencinë turke të lajmeve “Anadolu”.
Thaçi, i cili është gjithashtu Zëvendëskryeministër i Kosovës, tha se ai nuk mund të thotë saktësisht se kur do të paraqitet padia, por shtoi se Prishtina do t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë pasi të vlerësojnë “rrethanat kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Ai tha se Kosova po kërkonte mënyra për të gjetur baza ligjore për të paditur Serbinë në GJND, pasi vendi nuk është anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe kështu has pengesa për të paraqitur çështjen në gjykatën e OKB-së.
Por deputetja Vjosa Osmani, e cila ka qenë pjesë e grupit të punës të Prishtinës në GJND, kur ajo vendosi në vitin 2010 se shpallja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia ishte e ligjshme, tha se një çështje e tillë ishte aktualisht e pamundur.
“Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, nuk është palë e statutit të GJND-së dhe (deri tani) nuk ka ndërmarrë masat e tjera për të pranuar juridiksionin e kësaj gjykate,” tha Osmani për BIRN.
Bekim Blakaj nga Qendra për të Drejtën Humanitare në Prishtinë tha se edhe nëse Kosova do ta kishte rastin të padisë Serbinë për gjenocid, ky do të ishte një proces i vështirë. Këtë muaj GJND-ja hodhi poshtë pretendimet e Kroacisë dhe Serbisë, të cilat po akuzonin njëra-tjetrën për gjenocid gjatë luftës së viteve 1991-1995.
“Ky proces kërkon shumë energji dhe fonde dhe në fund, është e vështirë të vërtetosh ndonjë gjë,” tha Blakaj.
Ai tha se autoritetet në vend të kësaj, duhet të përqëndrohen të fitojnë kompensim për ata që vuajtën gjatë konfliktit.
“Institucionet tona duhet të merren me personat e zhdukur dhe dëmshpërblimin e viktimave. Këto pika duhet të jenë pjesë e dialogut me Serbinë. Politikanët tanë duhet të këmbëngulin për këto,” tha ai.
Muharrem Nitaj, një analist politik nga Prishtina, argumentoi se deklaratat e Thaçit ishin thjesht për reklamimin e tij politik dhe se s’duhet të merren seriozisht.
“Për fatin e keq, institucionet e Kosovës, duke përfshirë edhe qeverinë, nuk kanë ushtruar padi ndaj personave apo grupeve kriminale që kanë kryer krimet gjatë luftës në Kosovë, e lere më ndaj shtetit të Serbisë,” tha Nitaj për BIRN.
“Prandaj deklaratën e ministrit të jashtëm për padinë eventuale që mund ta bëjë Kosova ndaj Serbisë për gjenocid, më tepër e shoh si marketing politik, se sa si iniciativë serioze të ministrit të jashtëm,” tha ai.
Dren Doli nga një Grupi për Studime Juridike dhe Politike tha se ai mendonte se Thaçi e pati këtë ide për shkak të krijimit të pashmangshëm të një gjykate të re të mbështetur nga BE-ja, e cila pritet të gjykojë zyrtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime të dyshuara të kryera gjatë dhe pas përfundimit të luftës së viteve 1990.
Doli tha se draft-ligji për krijimin e gjykatës, i cili aktualisht po diskutohet nga zyrtarët në Prishtinë, parashikon se individët mund të akuzohen për gjenocid, duke krijuar rrezikun se Serbia mund të paraqesë një rast gjenocidi kundër dikujt nga Kosova.
“Kjo mund të jetë shumë e dëmshme për Kosovën dhe mund të keqpërdoret nga Serbia gjasme si një fakt për të treguar se ka pasur një nivel kaq të lart krimesh kundër serbëve,” tha Doli për BIRN.
Ndërkohë ministri serb i punës Aleksandar Vulin tha se nëse Prishtina do ta padiste Beogradin, kjo do të thotë nënkuptonte fundin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre.
“Është e pamundur të paraqesësh një padi kundër Serbisë dhe njëkohësisht të marrësh pjesë në bisedimet në Bruksel,” tha Vulin për gazetarët ditën e dielë.
“Deklarata se Kosova gjoja do të padisë Serbinë për një lloj gjenocidi, po të ishte e mundur, tregon dobësinë e qeverinë në të cilën Thaçi është pjesë e rëndësishme,” tha ai/Blic
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit