I gjithë universi është ndërtuar dhe mbahet mbi bazën e një ekuilibri forcash, prishja e këtij ekuilibri detyrimisht sjell edhe shkatërrimin e tij. Por, ruajtjen e këtij rendi qiellor e garanton vetë Krijuesi i universit dhe për sa kohë që vetë Ai nuk ka vendosur ta shkatërrojë atë që krijoi, ai do të funksionojë perfekt. Ndërsa garantuesi i pjesshëm i jetës njerëzore shoqërore në tokë është vetë njeriu, atij të cilit i janë dhuruar në miniaturë disa prej cilësive të Krijuesit nga vetë Ai, dhe pikërisht për këtë, Ai e ka bërë atë mëkëmbës (kalif) në tokë. Nëse njeriu nëpërmjet zbatimit të drejtësisë nuk garanton ekuilibrin e forcave njerëzore në një shoqëri të caktuar, atëherë ajo shoqëri është e destinuar të shkojë drejt shkatërrimit, në masën që ajo e cenon këtë drejtësi, ose edhe më tepër, si dënim i Zotit për ta, për t’i thirrur mendjes.
Aishja na tregon se kurejshët ishin të shqetësuar për çështjen e gruas së fisit Makhzum, e cila kishte kryer vjedhje. Ata biseduan mes tyre se kush do të ndërmjetësonte për të, tek i Dërguari i Allahut (që ajo të mos dënohej). Ata thanë se askush nuk do të guxonte ta bënte këtë, përveç Usama ibn Zejdit, të cilin i Dërguari i Allahut e donte shumë. Atëherë Usama ndërhyri tek ai dhe i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) i tha:
”A po ndërmjetëson për një nga penalitetet e Allahut?!”
Pas kësaj, ai u ngrit mes njerëzve dhe iu drejtua atyre duke iu thënë:
”O njerëz! Ata që ishin para jush u shkatërruan, sepse kur në mesin e tyre vidhte një njeri me pozitë, atë nuk e ndëshkonin, por kur vidhte një njeri i dobët, ndaj tij e zbatonin ndëshkimin. Pasha Allahun, nëse Fatimeja e bija e Muhamedit do të kishte vjedhur, do t’ia kisha prerë dorën asaj.”
(Buhariu & Muslimi)
Hoxhë Justinian Topulli