-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buxhet i pamjaftueshëm për ngritjen e cilësisë në shërbimet shëndetësore

Më të lexuarat

Buxheti i ndarë për shëndetësi në Kosovë është rreth 220 milionë euro. Megjithatë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës, si institucion terciar që ofron shërbime shëndetësore për tërë Kosovës, nga kjo shumë merr buxhet vjetor rreth 120 milionë euro.

Me gjithë këto mjete, ky buxhet, thuhet se nuk është i mjaftueshëm. Kjo për shkak se asnjëherë në këto dy dekadat e fundit në Kosovë, nuk është arritur që lista esenciale me barna të përmbushet 100 për qind.

Ndonëse është diskutuar se çdo klinikë do ta ketë buxhetin e vet dhe ta menaxhojë në bazë të nevojave që ka, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Xhevdet Gojnovci, drejtor i Klinikës së Neonatologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha se po ta kishte çdo klinikë buxhetin e vet, kjo do tu ndihmonte në menaxhim, qoftë në punësim të stafit, blerje të barnave.

Megjithatë një gjë e tillë nuk ka ndodhur, thekson ai. Buxhetin e menaxhon drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, duke përmbushur me aq sa ka mjete klinikat me barna e material shpenzues, në bazë të kërkesave të menaxherëve të secilës klinikë.

Por, ndonëse kërkesat për furnizim janë bërë në dhjetor të vitit të kaluar nga klinikat, furnizimi me barna ende nuk është bërë.

Si rrjedhojë, në Klinikën Neonatologjike të Qendrës Klinike ka mungesë të barnave dhe materialit shpenzues, thotë drejtori Gojnovci.

“Menaxhimi i buxhetit do të ishte më i lehtë edhe për punësim të stafit edhe për të gjitha nevojat nëse klinika do ta kishte buxhetin e vet. Megjithatë ne nuk kemi buxhet të klinikës, por gjithçka është e varur nga mekanizmat që financojnë Shërbimin Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK). Ne në klinikë nuk kemi kompetenca financiare. Kërkesat që i bëjmë për furnizim, i bëjmë përmes drejtorisë së SHSKUK-së”.

“Sa u përket barnave dhe materialit shpenzues, vërehen mungesa. Kërkesën e kemi bërë në fund të vitit 2018, dhe po presim furnizim. Ndërkaq sa i përket aparaturës, jemi mirë të furnizuar, pasi që na ndihmojnë edhe përmes donacioneve”, tha Gojnovci.

Në anën tjetër drejtori i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti tha se buxheti total për shëndetësinë është rreth 220 milionë euro, duke hyrë edhe buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë e që është 40 milion euro, dhe 60 milion euro si grante nga Qeveria që shkojnë nëpër komuna.

Megjithatë ai shton se buxheti për shëndetësinë ka qenë gjithmonë shqetësim pasi nuk i ka përmbushur nevojat, por megjithatë, siç thotë Hoti, vit pas viti po shënon ngritje.

Ai thekson edhe faktin se në sistemin shëndetësorë, buxheti për barna ka qenë i menaxhuar nga fondi i sigurimeve shëndetësore. Por, këto mjete tashmë janë bartur në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës. Andaj, siç thotë ai, kjo do t’i mundësojë këtij institucioni që në këtë kategori të ketë një ndërlidhje më të mirë midis planifikimit që e bëjmë, menaxhimit të kontratave dhe shfrytëzimit të buxhetit që është i ndarë për barna dhe material shpenzues.

“Në buxhetin e vitit 2019, ka një rritje për të gjitha kategoritë e shpenzimeve dhe institucioneve që varen nga Ministria e Shëndetësisë apo që janë agjencitë ekzekutive. Sa i përket QKUK-së, ajo menaxhon me buxhetin e vet i cili është rreth 120 milionë euro e që ka rritje dhe mendoj që këtij institucioni do ti mundësojë më shumë hapësirë për përmbushjen e nevojave të veta edhe në kuptim të pagave, mëditjeve e shpenzimeve tjera”, tha Hoti.

Ai shtoi se edhe donatorët janë gjithashtu një shtyllë e rëndësishme pasi disa shtete i kanë ndihmuar në vazhdimësi sistemit shëndetësorë kosovar si me barna, me material shpenzues po ashtu edhe me aparaturë. Një nga donacionet e mëdha është edhe spitalin pediatrik e që është donacion i Emirateve të Bashkuara, që kap vlerën rreth 22 milion euro.

Sidoqoftë edhe blerja e barnave për institucionet shëndetësore ka qenë problem në vete. Kjo pasi që nga viti 2012, në Kosovë nuk është bërë revidimi i listës esenciale të barnave. Ndonëse në treg kanë ndryshuar llojet e ilaçeve për trajtimin e sëmundjeve, në institucionet publike shëndetësore furnizimi me barna ndër vite ka mbetur pothuajse i njëjtë.

Megjithatë, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se me komisionin e përbërë prej 43 anëtarësh, si dhe me ndihmën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tashmë kjo listë me barna të reja po shkon drejt finalizimit..REL

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit