Shtëpia e Bardhë të dielën hodhi poshtë çdo përpjekje për ta lidhur Presidentin Donald Trump me supremacistin e bardhë të akuzuar për vrasjen e 50 personave në dy xhami të Zelandës së Re.
“Presidenti nuk është një supremacist i bardhë”, tha shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mick Mulvaney, për programin “Fox News Sunday”. “Nuk jam i sigurt se sa herë duhet ta themi. Le ta quajmë atë që ndodhi në Zelandën e Re ashtu siç është: një akt tragjik i tmerrshëm”.
Sulmuesi i dyshuar Brenton Harris Tarrant, një 28-vjeçar australian, thotë në një manifest prej 74-faqesh që e publikoi pak para se të ndodhte masakra në dy xhami në Christchurch se e shihte Trumpin si “një simbol të identitetit të bardhë të rinovuar dhe synimit të përbashkët”, por se nuk i mbështeste politikat e tij.
Kjo deklaratë rigjallëroi kritikat se presidenti Trump nuk ka dënuar me forcën e duhur nacionalizmin e bardhë.
I pyetur të premten pas incidentit në xhami nëse shihte një rritje të nacionalizmit të bardhë, presidenti Trump tha: “Nuk e besoj. Mendoj se është një grup i vogël njerëzish që kanë shumë, shumë probleme serioze”. Presidenti tha se nuk e kishte lexuar manifestin.
Shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë tha: “Nuk mendoj se është e drejtë ta portretizojmë këtë person si mbështetës të Donald Trumpit ashtu si nuk do të ishte e drejtë t’i shihnim më shumë pasazhet e tij eko-terroriste në manifest të përafërta me ato të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi apo ligjvënëses Alexandria Ocasio-Cortez”.
Presidenti Trump u sulmua gjerësisht pas një tubimi vdekjeprurës supremacist në Sharlotsvillë të Virxhinia, në vitin 2017 kur ai barazoi supremacistët e bardhë me protestuesit, duke thënë se “të dyja palët” duhet të fajësoheshin dhe se kishte “njerëz të shkëlqyer” në të dy anët e protestës.
Senatorja Kirsten Gillibrand, një nga demokratët e shumtë që kërkojnë nominimin e partisë për të kundërshtuar zotin Trump në zgjedhjet e vitit 2020, tha në Twitter pas sulmit në Zelandën e Re: “Kohë pas kohe, ky president ka mbështetur dhe inkurajuar supremacistët e bardhë dhe në vend që të dënojë terroristët racistë, ai i mbron ata. Kjo nuk është aspak normale apo e pranueshme. “/voa