Përmbytjet e këtyre ditëve kanë sjellë dëme të mëdha ekonomike për më shumë se 42 mijë persona në të gjithë vendin.
Deri më tani mësohet se janë rreth 2 mijë famije që po jetojnë në kushte të vështira, pasi kanë humbur banesat e tyre të cilat janë përmbytur apo janë bërë të pabanueshme nga uji i cili ka vërshuar menjëherë brenda tyre.
Të dhënat e Ministrisë së Brendshme tregojnë se kanë ngordhur rreth 53 mijë krerë bageti dhe shpendë dhe 5975 hektarë tokë bujqësore gjendet nën ujë.
Për këta mijëra qytetarë ditët e ftohta të këtij dimri janë shumë të vështira, ndaj qeveria ka kërkuar mbështetje për të përballuar këtë situatë emergjence.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare ka dhënë një grant prej 50 mijë dollarësh të cilët do të shkojnë në ndihmë të 250 familjeve më të prekura për një periudhë njëmujore.
Por në përgjigje të kërkesës së qeverisë për ndihmë, Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara, përfaqësuesja e UNICEF-it, si dhe një grup ekspertësh po shohin nga afër zonat e prekura nga përmbytja në mënyrë që të japin një vlerësim të shpejtë për nivelin e mbështetjes që do të japë OKB.
Kombet e Bashkuara do të koordinojnë përpjekjet me Bashkimin Europian dhe Bankën Botërore për të mbështetur qeverinë në vlerësimin e dëmeve të shkaktuara me qëllim që komuniteti ndërkombëtar të mbështesë direkt masat e rimëkëmbjes së qëndrueshme të identifikuara nga qeveria shqiptare. / Top Channel