Roje bregdetare italiane kanë shpëtuar më shumë se 2000 migrantët në një operacion të madh të zhvilluar gjatë natës në brigjet e Libisë.
Gjatë operacionit, ekipet e shpëtimit u kërcënuan nga persona të armatosur që po afroheshin me motoskaf drejt anijeve me migrantë, që sipas autoriteteve italiane duhet të kenë qenë trafikantët.
Javën e kaluar, të paktën 300 migrantë vdiqën në detin Mesdhe. Ata po udhëtonin me barka të vjetruara të cilat u fundosen në brigjet libiane si pasojë e mbingarkesës dhe motit të keq.
Rreth 600 migrantë të tjerë u shpëtuan të premten që kaloi, 80 kilometra larg bregut të Libisë.
Në operacionin e fundit, të së dielës pasdite, u përfshin forca të shumta italiane, një avion, katër anije të rojës bregdetare dhe një anije detare italiane, njofton AFP, transmeton lajmi.net.
Media lokale raportoi se migrantët kishin qenë në bordin e 12 anijeve dhe ishin drejtuar për në Itali.
Sipas UNHCR-së, gjatë vitit 2014, gati 3500 njerëz janë mbytur në përpjekje për të kaluar Detin Mesdhe, duke e bërë atë kalimin më të rrezikshme në botë për emigrantët që përpiqen të prekin tokën e Evropës.
Po ashtu, sipas kësaj agjencie të OKB-së, më shumë se 200 mijë afrikanë që po emigronin nga vendet e tyre për një jetë më të mirë, u shpëtuan gjatë të njëjtës periudhë, pra gjatë vitit 2014.