3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

New York, protesta kundër dhunës ndaj ujgurëve në Kinë

Më të lexuarat

Në qendër të New Yorkut mbrëmë u mbajtën protesta masive për shkak të dhunës kundër komunitetit etnik turk ujgur në Kinë, raporton (AA).

Protesta para misionit diplomatik kinez në New York organizoi edhe Komuniteti Islam – Vizioni Kombëtar (IGMG), ku u mblodhën kryesisht muslimanët që jetojnë në SHBA.

“Liri për Turkistanin Lindor”, “Ndal vrasjes së ujgurëve”, ishin disa nga pankartat që mbanin demonstruesit para ndërtesës së konsullatës kineze në Manhattan.

Organizatori i protestës dhe kreu IGMG-së, Ayhan Ozmekik dënoi fuqishëm politikën e qeverisë kineze, e cila ushtron presione të larta dhe u merr të drejtat ujgurëve në Turkistanin Lindor dhe në krahinën autonome kineze Xinjiang.

Dje në një burg në Kinë vdiq poeti i famshëm dhe muzikanti ujgur, Abdurehim Heyit, ndërkaq Ozmekik tha se ai u burgos padrejtësisht dhe u vra në burg.

“Fuqimisht dënojmë këtë incident të neveritshëm i cili është vetëm një reflektim i politikës dhe persekutimit kinez në Turkistanin Lindor,” tha Ozmekik.

Demonstruesit i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ngre zërin kundër represionit të ujgurëve në Kinë.

Kreu i Kongresit Botëror të Ujgurëve, Dolkun Isa tha se shtypja e ujgurëve në Kinë zgjatë prej vitesh.

Ai u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara, SHBA-së, Turqisë dhe vendeve të tjera të ngrihen kundër politikës së qeverisë kineze ndaj ujgurëve.

Dje, Turqia u bëri thirrje autoriteteve kineze të respektojnë të drejtat themelore të njeriut dhe të mbyllin kampet e përqendrimit në të cilat po mbahen ujgurë të shumtë në Xinjiang.

“Nuk është më një sekret që më shumë se një milion ujgurë turq u janë nënshtruar arrestimeve dhe torturës si dhe shpërlarjes politike të trurit në kampet e përqendrimit. Ujgurët të cilët janë arrestuar në kampe janë nën presion të madh. Ujgurët që jetojnë jashtë vendit nuk mund të bien në kontakt me familjet e tyre. Mijëra fëmijë janë ndarë nga familjet e tyre. Ripërsëritja e kampeve të përqendrimit dhe politika e asimilimit sistematik në shekullin 21 që po zbaton qeveria kineze ndaj turqëve ujgurë është një turp i madh për të gjithë njerëzimin”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy.

Duke komentuar rreth vdekjes të Abdurrehim Heyit, i cili ka dy vjet që ishte i mbyllur në rajonin e popujve Ujghur – Xinjiang, tha:

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e Abdurrehim Heyit, një nga poetët dhe muzikantët më të rëndësishëm ujgur, i cili për shkak të një vargu të tij u dënua me 8 vjet burg, vdiq në vitin e dytë të vuajtjes së dënimit”, tha Aksoy, duke shtuar: “Presim që autoritetet kineze të marrin në konsideratë reagimin e opinionit turk në lidhje me shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit