3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Edhe një dështim i Serbisë, KS i OKB redukton seancat për Kosovën

Më të lexuarat

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pas shumë diskutimeve aspak të lehta, ka arritur marrëveshjen që të zvogëlohet numri i seancave që mbahen për Kosovën. Anëtarët e KS-së, kanë rënë dakord që takimet për Kosovën të mbahen vetëm tre herë për këtë vit në 2019, në shkurt, qershor dhe tetor, dhe dy herë në vitin 2020 e tutje, pikërisht në prill dhe tetor

Kjo ka bërë që për herë të parë në histori të Këshillit të Sigurimit, nuk është votuar agjenda e muajit të radhës. KS çdo muaj e ndërron Presidencën, dhe shteti i cili e ka kryesimin e atij muaji përgatit agjendën e muajit, kur do të kryeson dhe e diskuton me shtetet tjera anëtare për aprovim.

Janë dy mënyra për aprovimin e agjendës për muajin rrjedhës. Ajo aprovohet në mënyrë unanime ose vendoset në votim. Për të ndryshuar agjendën përmes votës, nevojiten 9 vota të anëtarëve. Shtetet i ikin zgjidhjes përmes votimit, sepse krijon precedent dhe kjo ngreh pasoja për çështje tjera në të ardhmen. Prandaj, aprovimi i agjendës gjithmonë është bërë me konsensus. Në rast se nuk votohet agjenda për gjithë muajin, atëherë anëtarët votojnë agjendën në mëngjesin e secilës ditë.

Guinea Equatoriale e ka kryesimin e Këshillit të Sigurimit në shkurt 2019, dhe ka përgatitur agjendën e Këshillit, duke e vendosur Raportimin e UNMIK-ut, me 07.02. 2019.

Me këtë agjendë, nuk janë pajtuar SHBA-të, duke kushtëzuar atë. Britania e Madhe, gjithashtu ka këmbëngulur që të ndryshohet frekuenca e raportimit për Kosovën, duke e rralluar atë.

Duhet përkujtuar që gjatë presidencës së Britanisë së Madhe në gusht të vitit 2018, raportimi i UNMIK-ut nuk u vendos në agjendën e gushtit edhe SHBA-të, po ashtu nuk e vendosën në agjendë në shtator, e as Bolivia në tetor, kurse gjatë kryesimit të Kinës në nëntor të viti 2018 u diskutua për UNMIK-un. Me këtë rast, për herë të parë nga 1999, kur u aprovua Rezoluta 1244, u thye rregulli i pashkruar i raportimit 3-mujor.

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pas shumë diskutimeve aspak të lehta, ka arritur marrëveshjen që të zvogëlohet numri i seancave që mbahen për Kosovën. Kjo marrëveshje është arritur për shkak të presionit të madh të Shteteve të Bashkuar të Amerikës, dhe aleatëve të saj evropian, si SHBA, Britania e Madhe dhe disa shtete tjera evropiane, sipas të cilave, është theksuar se Kombet e Bashkuara kanë për të diskutuar çështje tjera më të rëndësishme, sesa çështja e Kosovës, për çdo tre muaj.

Marrëveshja u arrit vetëm 2 orë para se të mbahet seanca e fundit e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për Kosovën, përpos që është arritur pas këmbënguljes së madhe të ShBA-ve dhe shteteve aleate evropiane, në fakt ajo është arritur edhe falë punës së palodhshme të shefes së Misionit të Kosovës në New York, Teuta Sahatqija dhe të diplomatëve të Kosovës në New York.

Rusia që është një aleat i ngushtë i Serbisë, ka këmbëngulur që takimet për Kosovën të mbahen 4 herë në vit apo çdo tre muaj, por anëtarët e Këshillit të Sigurimit kanë rënë dakord që takimet për Kosovën të mbahen vetëm tre herë për këtë vit në 2019, në shkurt, qershor dhe tetor, dhe dy herë në vitin 2020 e tutje, pikërisht në prill dhe tetor duke pasur parasysh situatën në teren dhe duke mos e përmendur fare emrin e UNMIK-ut.

Për këtë çështje ambasadorja e Britanisë së Madhe në OKB-së, Karen Pierce, ka deklaruar se “Kosova ka përparim të dukshëm dhe stabilitet dhe katër takime në vit janë shumë për Kosovën, prandaj duhet zvogëluar numri”.

“Kosova nuk është më një vend në konflikt dhe po integrohet gjithnjë e më shumë në bashkësinë ndërkombëtare”, ka theksuar ajo duke mirëpritur arritjen e marrëveshjes për uljen e frekuencës së raportimit, dhe duke përqendruar kështu vëmendjen e Këshillit të Sigurimit tek konfliktet reale në botë.

Ajo, përsëriti qëndrimin për rishikimin e misionit të UNMIK-ut.

Kurse, ambasadori i ShBA-ve në OKB, Jonathan Cohen, ka theksuar se UNMIK-u ka përmbushur mandatin e vet, dhe përmes zyrës së OKB-së mund të bëhen punë të tjera, por jo përmes UNMIK-ut, dhe sipas tij, duhet të ketë një rivlerësim për praninë e OKB-së në Kosovë.

Ai i bëri thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, të fillojë rishikimin strategjik të UNMIK-ut dhe i propozojë Këshillit të Sigurimit hartimin e një strategjie dalëse.

Edhe ambasadorja e Francës në OKB, Anne Gueguen, ka thënë se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm, por përsëriti se tash, pas 20 viteve të miratimit të Rezolutës 1244, Këshilli i Sigurimit duhet të marrë në konsideratë ri fokusimin e veprimeve të UNMIK-ut.

Në anën tjetër, ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, është shprehur se Rusia nuk mbështet përpjekjet e shteteve perëndimore, për të hequr çështjen e UNMIK-ut nga agjenda e Këshillit të Sigurimit.

“Kosova mbetet djepi kryesor i jo stabilitetit në rajon dhe një burim konflikti të ri potencial në rajonin e Ballkanit”, ka thënë ai, duke shtuar se situata në rajon është jashtëzakonisht e paqëndrueshme dhe në çdo moment mund të dalë jashtë kontrollit.

Por, ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku e revoltuar me takimin e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u diskutuar për Kosovë, ka theksuar se është e befasuar se Këshilli i Sigurimit, është mbledhur më shpesh për të folur për Kosovën, sesa për Sirinë, Jemenin apo Venezuelën” duke shtuar se për dy muaj është diskutuar 3 herë.

“Vendet që i përmenda, kanë probleme më të mëdha, sfida më të mëdha që kërkojnë kohën dhe vëmendjen tuaj të vlefshme, njerëz të vërtetë që kanë nevojë për ndihmën tuaj, siç e kemi bërë dikur në Kosovë”, tha ajo, duke shtuar se asnjëherë shtetësia e Kosovës nuk do të diskutohen më.

Ndërkaq, ministri i punëve të Jashtme i Serbisë Ivica Daçiq, ka theksuar se nga Këshilli i Sigurimit nuk kërkojmë takime për qëllim të ndihmës, por, sipas tij, për të dhënë një kontribut për stabilizimin e situatës në Kosovë, dhe për paqen në rajon.

“Gjëja më e rëndësishme është që Këshilli i Sigurimit të vazhdojë edhe më tutje me diskutime, duke marrë parasysh çështjen e Kosovës”, ka theksuar Daçiq

Edhe pse Serbia mbajtjen e seancës së fundit të KS të OKB-së, për Kosovën, po e merr si “fitore”, dhe po shet ne mediat serbe si fitore, ku misioni i UNMIK-u në Kosovë, ende po vazhdon të diskutohet në këtë institucion të lartë ndërkombëtar, në fakt realiteti është ndryshe, pasi që, tashmë me marrëveshjen e re janë zvogëluar seancat për Kosovën, ku gjithnjë e më shumë vendet anëtare të KS-së, së OKB-së, po flasin për nevojën e rishikimit strategjik të prezencës së UNMIK-ut në Kosovë dhe për shuarjen e tij.

Megjithatë, sikurse , ambasadori i SHBA-ve në OKB, Jonathan Cohen, edhe ambasadori i Gjermanisë, Christoph Heusgen, theksuan se ajo që është më e nevojshme është që Kosova dhe Serbia të normalizojnë marrëdhëniet, të cilat do të hapnin rrugën drejt anëtarësimit të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.

Ambasadori i Gjermanisë, Christoph Heusgen, ka vlerësuar progresin e madh të Kosovës që nga viti 2008, duke theksuar se Gjermania nuk e kupton nevojën e diskutimeve në Këshill të Sigurimit për Kosovën, duke bërë thirrje për rishikim të misionit të UNMIK-ut.

Ai ka shtuar se puna të cilën po e bënë UNMIK-u, në Kosovë, mund ta bëjnë pa problem institucionet e Kosovës, bile, bile, ai punën e UNMIK-ut, e barazoj me një OJQ, për të cilën, sipas tij, KS i OKB-së, nuk ka nevojë të diskutoi, si programet e fuqizimit të grave në politikë, apo të rinjve, në kuadër të UNMIK-ut.

“Mandati i UNMIK-ut, është i skaduar, dhe duhet ndryshuar”, tha ai, duke ju drejtuar ministrit të jashtëm të Serbisë Ivica Daçiq, se a ka bërë udhëtime ekzotike në vendet e bukura të Karaibeve dhe Pacifikut duke kërkuar tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

Ai edhe një herë ja ka rikujtuar ministrit serb Daçiq, se Serbia pa e njohur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, kurrë nuk do të mund të jetë anëtare e Bashkimin Evropian, prandaj është e palogjikshme kjo që bën ministri Daçiq.

Përndryshe, seance e fundit e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për Kosovën, ka patur dy mesazhe të rëndësishme, e po aq edhe të fuqishme.

E para, ndryshimi i mbajtjes së takimeve vetëm në tre herë në vit për Kosovës dhe pastaj në 2 brenda vitit, dhe mesazhi i dytë, është mesazhi për ministrin serb Daçiq, që Serbia duhet të njeh Kosovën dhe të heqë dorë nga fushata për tërheqjen e njohjeve. /Lumturije Bekaj/telegrafi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit