-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Afro 1 milion euro për 10 vjetorin e pavarësisë – si u shpenzuan mbi 200 mijë euro jashtë buxhetit?

Më të lexuarat

Rreth 400 mijë euro janë shpenzuar vetëm për organizimin e koncertit kryesor të dhjetëvjetorit të Pavarësisë, ku për më pak se një orë performoi këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora.

Këngëtarja pati deklaruar se nuk do të marrë asnjë para për performancën e saj, por disa ditë para 17 shkurtit në media ishte raportuar se koncerti ishte anuluar për shkak të mos pagesës për stafin teknik.

Këshilli organizativ kishte mohuar anulimin e koncertit pasi sipas tyre me miratimin e buxheti në mbledhjen e Qeverisë “gjithçka do të shkojë sipas planit”.

Kompanisë “NSh AMC” e cila është përkujdesur për pjesën teknike të oragnizimit qendrorë të kësaj feste, shteti i ka paguar në tri pagesa të ndara shumën prej 394 mijë e 852 euro. Kurse në një faturë tjetër të lëshuar për kompaninë “AMC Corporation”, Ministria e Kulturës ka paguar shumën prej 45 mijë euro.

Një tjetër kompani që ka fituar mbi 250 mijë euro, është kompania “VM3”. Ministria e Kulturës bazuar në listën e pagesave ka paguar dhjetë fatura të kësaj kompania, që në total arrinë vlerën e 252 mijë e 472 euro.

Një vit është dashur të pritet për të marrë listën e shpenzimeve të mjeteve të ndara për festimet e dhjetë vjetrit të pavarsisë së Kosovës. Megjithkëtë Ministria e Kulturës, që ka menaxhuar fondin e ndarë ende nuk ka ofruar qasje në faturat për secilën pagëse që është bërë nga ajo.

Kjo ministri ka ofruar vetëm listën e pagesave që u është bërë individëve dhe kompanive të përfshira në organizimet. Në këtë dokument nuk specifikohet se cfarë aktiviteti kanë kryer të kontraktuar, aty figuron vetëm shuma e pagesës dhe data e pagesës.

Disa here kjo ministri pati thënë se nuk i ka kompletuar të gjitha faturat për ekzekutimin e pagesave. Bazuar në këtë dokument pagesat janë bërë nga 15 shkurti dy ditë para dhjetëvjetorit të pavarësisë deri me datën 26 dhjetor 2018 kur është bërë pagesa e tri faturave të fundit.

Qeveria e Kosovës me 13 shkurt të vitit të kaluar pati ndarë 600 mijë euro për mbulimin e të gjitha festimeve që lidheshin me festimet.

Këshilli Organizativ pati bërë publike agjendën e festimeve, që fillonte nga 15 shkurti deri më 18 shkurt. Pjesë e agjendës ishin konferencat, ekspozitat, mbledhje solemne, shfaqje teatrale e filma të ndryshëm.

Gjithashtu edhe organizimet kryesore kryesisht në sheshet e Prishtinës, si aktivitet sportive të fëmijëve, festivali me rreth 500 fëmijë dhe 105 animatorë, Koncerti i Xixëllonjave, defileja e Ansamblit “Shota” dhe koncert i “Shotës”.

Për krejt këto aktivitet nuk kanë mjaftuar mjetet e ndara nga qeveria. Shteti në fund ka paguar edhe 242 mijë euro tjera që në total sipas listës së pagesave që ka ofruar Ministria e Kulturës si menaxhuese e fondit është 842 mijë e 679 euro.

33 mijë euro për akomodimin e Rita Orës dhe mysafirëve në hotelin e Pacollit

Akomodimi i Rita Orës, stafit të saj dhe mysafirëve të ftuar për dhjetëvjetrorin e Pavarësisë është bërë në hotelin luksoz të zëvendëskryesminitrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, Swiss Diamond Hotel.

Në shtatë fatura të ndara shteti i ka paguar hotelit të zëvendëskryeministrit Pacolli shumën prej 33 mijë 652 euro.

Nga shuma totale e krejt shpenzimeve një faturë në shumën prej 25 mijë e 960 euro i është paguar kompanisë “ZeroPozitiv SHPK”, 24 mijë euro për fishekzjarret e kompanisë Panda T dhe 18 mijë e 172 euro shtypshkronja NTG ”Blendi”.

Sipas listës se pagesave që Ministria e Kulturës ka ofruar 10 mijë e 882 euro janë bërë pagesa sipas listës, por që nuk specifikohet se çfarë liste.

Lista e shpenzimeve tjera:

Besa Security – në tri fatura të ndara i është paguar shuma prej 6 mijë 998 euro.

Ansamblit Shota – 4 mijë e 880 euro.

Shoqata e artistëve interpret – 3 mijë e 600 euro.

Eliza Hoxhës – 3 mijë e 520 euro.

Hotel Garden – 6 mijë e 303 euro.

Hotel Begolli – 1 mijë e 500 euro.

Project Graphics – 119 euro.

Studio forma – 359 euro.

Autosalloni Shotani -1 mijë e 400 euro.

Vavads LLC – 4 mijë e 500 euro.

Caza Moda DPT – 3 mijë e 780 euro.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit