Nga Enton Palushi
Kryeministri Edi Rama është mes dy zjarreve, nga njëra anë duhet të pranojë që e ka pasuruar ndjeshëm arkën e shtetit; nga ana tjetër, duhet të përballet me presionet për politika të forta sociale
Para disa javësh, ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu dha një intervistë ku foli për marrëdhëniet e tij me politikanët e së djathtës. Në fund të saj, gazetari e pyeti për të komentuar qeverisjen e Edi Ramës dhe ai bëri një konstatim që do e bënte normalisht një amerikan.
Ai tha se ka progres, sidomos në mbledhjen e taksave. Por pikëpyetja e madhe e tij mbetet nëse këto të ardhura po u rikthehen njerëzve në formë investimesh apo ‘mburojash’ sociale.
“Duhet të them, më duket se ka njëfarë progresi, nëse sheh Tiranën për shembull. Dhe nuk po flas për ndërtimet e reja apo për sheshin e ri… Duken mirë. Por nga ajo që kuptoj, ka procedura më të mira për mbledhjen e taksave, ashtu siç duhet të ketë një vend normal. Në këtë drejtim, është mirë. Sigurisht që ka njerëz që ankohen, por kjo vjen për shkak se tani duhet të paguajnë, ndërsa në të shkuarën nuk e bënin. Pastaj janë reformat e ndryshme. Megjithatë, sipas asaj që mendojnë shumë njerëz me të cilët kam folur, qofshin liberalë, konservativë apo midis, disa thonë se gjërat janë pak më mirë; të tjerë thonë që nuk ka shumë ndryshim, disa thonë është më keq. Sidoqoftë, mbledhja e më tepër taksave është njëra anë. Ana tjetër është ajo çka njerëzit marrin në këmbim. Kjo pjesë për mua është pak e paqartë. Nuk jam në pozitë të them se nuk po marrin asgjë, por nuk e kam të qartë se sa përmirësime ka si rezultat i këtyre fondeve shtesë dhe procedurave më të mira”, tha Arvizu.
***
Ish-ambasadori mund të mos e dijë nëse të ardhurat që janë mbledhur po shkojnë te qytetarët sërish apo po humbasin nëpër skuta të errëta të krimit, korrupsionit dhe keqmenaxhimit edhe pse e njeh fort mirë mënyrën se si qeveriset Shqipëria. Por ai ka prekur thelbin e krizës ku është zhytur Shqipëria. Për kryeministrin Edi Rama, protestat studentore dhe lëvizjet e tjera mund të jenë shenja komunizmi, por fajtor për situatën është ai në radhë të parë. Kjo për shkak të atij që njihet si Ligji i Vagnerit.
***
Adolf Vagner ishte një ekonomist gjerman që jetoi në shekullin e 19-të dhe deri në fillimet e shekullit të 20-të. Teza e tij me pak fjalë është e tillë: Shpenzimet sociale të një shteti vijnë duke u shtuar me pasurimin e tij.
Kjo duket se e ka vendosur kryeministrin Edi Rama në një situatë paradoksale. Nga njëra anë duhet të bindë shqiptarët se e ka pasuruar shtetin gjatë këtyre viteve, pasi po e mbush gjithmonë e më shumë arkën me pagesa shërbimesh e taksash. Nga ana tjetër duhet të justifikojë përpara tyre jo vetëm mungesën e investimeve direkt nga arka e shtetit dhe zëvendësimin e tyre me koncesione dhe PPP, por mbi të gjitha duhet të justifikojë faktin që ‘rrjeta sociale’ në Shqipëri mbetet një gjë e shqyer nga të katër anët, dhe që ai, jo vetëm nuk po e arnon, por vetëm sa po e gris akoma më shumë.
Pretendimi i tij përpara studentëve e shqiptarëve se nuk mund të bëjnë gjëra pasi kaq e kanë takatin duket sikur bie në vesh të shurdhër përpara një popullsie që nuk e ka ngritur zërin kur i janë shtuar taksat e detyrimet në krahasim me qeverisjen para Edi Ramës. Për rritjen e taksave nuk janë ngritur në protesta, por tani që presin që taksat t’u kthehen mbrapsht, gjërat kanë ndryshuar.
***
Edhe nëse ekonomia po ecën në rrugën e duhur dhe rritja e saj është vërtet e lartë, cila është garancia që na jep kryeministri Edi Rama se Shqipëria është shembull i ndryshëm nga vendet e zhvilluara perëndimore, ku ankesa më e madhe që kanë njerëzit është se rritja ekonomike shkon më shumë për një grusht njerëzish? A mundet Edi Rama i rrugës së tretë që të tregojë se në Shqipëri po funksionon ai që njihet si filantrokapitalizmi? A nuk është vetë Edi Rama që pasi pati bërë rezistencë kundrejt frymës së përhapur masivisht në vend se ‘njerëzit nuk kanë bukë’, të katandiset si një drejtues OJQ-je që shpërndan ndihma te të varfrit bash si ata që e kanë kapur idenë se filantrokapitalizmi ka potencial shumë të madh, por mënyra se si po e përdorin është një tmerr më vete.
***
Në Shqipëri tashmë nuk mund të thuhet se ka qeverisje, por më shumë improvizime, korrigjime dhe fushata marketingu politik. Kështu, pasi për gjashtë vite me radhë i përdori koncesionet, lejet për hidrocentrale dhe taksat e larta, në momentin që u kuptua se situata po bëhej shpërthyese, nisën sajimet.
“Në dhjetorin e ’90-s, studentët dolën për të kërkuar kapitalizmin. Ndërkohë që këta që bërtasin dhe thërrasin sot, duket sikur po kërkojnë komunizëm. Dëgjoja në TV një vajzë nga ky universitet që thoshte pse të bëhej Lungomare, të paguhen tarifat tona. Ta thuash këtë, do të thotë të mos kuptosh “A-në”. Lungomare krijon ekonomi, punësim, turizëm. Investon sot dhe e ke aty për 100 vite, ndërkohë që paratë e Lungomares, nëse i shpërndan dhe i bën rrush e kumbulla sot, nesër nuk ke as Lungomaren, as paratë”, -iu tha Rama studentëve në Vlorë.
“Sot, financat e konsoliduara na e japin këtë mundësi dhe na japin mundësinë të kemi dy programe paralele. Një program nga buxheti i shtetit direkt dhe një program me partneritetin publik – privat, siç po bëjmë rrugën e Arbrit, siç së shpejti fillojmë segmentin Thumanë–Kashar, Milot–Balldren, segmentin tjetër Orikum–Llogara”, pati thënë Rama katër muaj më parë.
Pak ditë më vonë, gjërat ndryshuan. Koncesioni më i madh i projektit 1 miliard euro u rrëzua me pretendimin se duhet financuar Pakti për Universitetin.
Studentët mund të thonë se e kanë arritur një fitore, të tjerë kanë dyshimet e tyre për ato që u premton kryeministri. Asnjëra nga këto nuk duket e rëndësishme përballë faktit se kemi një kryeministër që është gati të lëshojë për hir të mbajtjes së pushtetit. Dje dolën studentët, sot dalin ambientalistët, nesër do të dalin pedagogët, minatorët, infermierët, mësuesit, pensionistët etj.
Arsyeja është e thjeshtë: Rama u premtoi shtet, ata shtet duan, asgjë më shumë. Por më shumë shtet të çon në situatë alla venezueliane, ku Hugo Chavez u shpërndante qytetarëve edhe frigoriferë për të mbajtur pushtetin. Se si kanë shkuar gjërat në vendin dikur më të pasur në Amerikën Latine, mjafton të shihni lajmet çdo ditë.