9.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Protesta e studentëve dhe kriza e vlerave

Më të lexuarat

Justinian Topulli

Protesta e zgjatur e studentëve, bashkë me kërkesat dhe problematikat që ata kanë ngritur, si dhe mënyra se si po menaxhohet, nga spontaniteti, ka nxjerrë në pah krizën që përjeton sistemi ynë arsimor, krizë, e cila në vetvete është pjesë e një krize akoma më të madhe, krizës së shoqërisë shqiptare të pas rënies së regjimit komunist, krizës së besimit te shteti, te politika dhe partitë e saj, te një sërë institucionesh shoqërore, deri edhe besimi te njëri-tjetri. Kjo është krizë e një sistemi të tërë vlerash të humbura: e shpresës, durimit, dinjitetit, besimit te një kauzë sublime, është kriza e identitetit njerëzor, kriza e njeriut të ri materialist që prodhoi ai sistem dhe kriza e brezit që lindi nga ky njeri dhe po rrit e edukon kjo periudhë post-komuniste, post-moderniste, që nuk ka asnjë kauzë dhe qëllim madhor në vetvete, por vetëm se mirëqenien ekonomike, më së shumti individuale, që duhet përmbushur me çdo kusht dhe çdo mjet. Është pra në thelb një krizë morale, kriza e një njeriu që ka nevojë për një kauzë, por që sistemi nuk ia ofron, është kriza e një rinie sa naive, po aq edhe e sinqertë, që kërkon të gjejë vetveten, e që përtej disa kërkesave jetike ekonomike dhe të një arsimi cilësor, është e paqartë për të ardhmen dhe kauzën e saj në jetë.

 

Njerëzit mund të mbijetojnë në kushtet më ekstreme sociale, ekonomike e politike, nëse kanë një kauzë, një besim sublim, që tejkalon materialen e dukshme, por nëse atyre ua merr atë, atëherë iu ke vrarë shpirtin e jetës, dhe asgjë e kësaj toke, nuk mund t’i përmbushë dhe kënaqë ata.
Zgjidhja është sa e lehtë, aq edhe e vështirë; është e lehtë, sepse është brenda secilit njeri dhe jo jashtë tij, por pikërisht për këtë, është edhe më e vështira, sepse kërkon guximin për t’u përballur me vetveten, me pyetjet më të rëndësishme të jetës njerëzore:
O NJERI, kush je? Nga vjen dhe ku po shkon?
Për sa kohë që ne si individë, rinia, shoqëria dhe mbarë kombi ynë, nuk ia bëjmë vetes këto pyetje dhe nuk gjejmë përgjigjen e duhur për to, kriza jonë identitare, si më thelbësorja e individit dhe e shoqërisë sonë, do të vazhdojë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit