Pas arsyetimit në kontestet për gjenocid me Bosnjë e Hercegovinë dhe me Kroacinë, është e qartë se as aktakuza eventuale e Kosovës kundër Serbisë nuk do të mund të kalonte.
Kështu ka deklaruar drejtori i Forumit për marrëdhënie etnike Dushan Janjiq.
“Gjyqi Ndërkombëtar iu përmbahet rregullave strikte në definimin e gjenocidit. Ndoshta është konservativ, ndoshta nuk është, por këto rregulla nuk përmbushen në rastin e Kosovës”, i ka thënë Betas së Beogradit Janjiq, transmeton Koha.net.
Ai kështu e ka komentuar deklaratën e zëvendësministrit të jashtëm të Kosovës Petrit Selimi se çështja e gjenocidit dhe e dëmeve të luftës që Serbia ia ka bërë Kosovës do të hapet brenda një kohe të caktuar.
“Mendoj se deklarata është më pak juridike e më shumë e politikës ditore, madje marrë para sysh edhe atë se Kosova ka nevojë bashkëpunimi me Beogradin për Marrëveshjen e Brukselit dhe prandaj, me siguri se nuk do të realizohen deklaratat e Selimit”, ka vlerësuar ai.
Tema në Bruksel, siç ka thënë Janjiq, do të jetë edhe dëmi bërë ndërmarrjeve të në Kosovë, por duhet bërë dallimin çfarë është shkatërruar nga bombardimet e NATO-s dhe çfarë kanë bërë njësitë ushtarake të RFJ-së.
Ai për këtë e ka marrë shembull Fabrikën e auto pjesëve në Pejë.
“Ekziston afati përfundimtar, në qershor, kur Gjermania e merr kryesimin e BE-së dhe atëherë do të bëhet tërheqja e vijës. Jam i sigurt se as pala serbe dhe as ajo shqiptare nuk e dëshiron vendosjen e rendit gjerman”, ka thënë Janjiq.
© KOHA.net