Kamerat kanë qenë gjithmonë karakteristikë e rëndësishme për smartfonët e LG-së.
Në vitin 2011, LG ka qenë ndër prodhuesit e parë që ka prezantuar smartfonin me kamerë të dyfishtë – LG Optimus 3D. Nuk ka shkuar dhe shumë kohë që kamerat e dyfishta të bëhen një trend i vërtetë, por sot mund të gjeni shumë smartfonë me tri madje dhe katër kamera kryesore.
Kompania jugkoreane, LG, është gati të bëjë edhe një hap tjetër. Ajo ka aplikuar për patentën USPTO për smartfonin me 16 kamera në pjesën e pasme, shkruan Let’s Go Digital. Kjo patentë është aprovuar më datën 20 të këtij muaji.
16 kamerat do të jenë të vendosura në pjesën e pasme në formë të një matrice. Ato mund të bëjnë fotografi në shumë perspektiva. Përdoruesi mund të zgjedh të caktojë njërën nga kamerat për të bërë fotografitë dhe po ashtu mund të zgjedh më shumë kamera për të njëjtin funksion.
Fotografitë të cilat shkrepen në të njëjtën kohë nga një sërë kamerash, mund të kombinohen në lëvizje. Do të thotë një pjesë të fotografisë mund ta zëvendësoni me pjesën e njëjtë të marrë nga fotografia e bërë nga kamera tjetër. Po ashtu, është e mundur që të kombinoni disa pjesë të fotografive të ndryshme së bashku.
Përveç 16 kamerave, në pjesën e pasme është e vendosur edhe një pasqyre e vogël dhe blici. Pasqyra me kamerën e fundit i mundëson përdoruesit që të bëjë një autoportret, përcjell Koha.net. Përveç kësaj, kjo patentë do të mundësojë edhe integrimin e një ekrani tjetër në pjesën e pasme të smartfonit.
Gjithashtu, edhe altoparlanti gjendet në pjesën e pasme. Ky altoparlant punon së bashku me altoparlantin e përparmë, për të krijuar zërin stereo.