Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e djeshme në fshatin Shqitas të Korçës. Djali ka goditur me sëpatë në pjesën e kokës babanë e tij, duke i shkaktuar plagë të rënda. Sipas policisë 35-vjeçari Robert D., është konfliktuar ashpër me babanë e tij, B.D., 63 vjeç. Konflikti ndodhi në banesë dhe nga të dhënat paraprake kjo nuk ishte hera e parë që babë e bir përplaseshin mes tyre.
Dje situata ka agravuar më shumë se herët e tjera. Palët shkëmbyen fyerje me njëri-tjetrin dhe më pas situata degjeneroi në përleshje fizike. Roberti në gjaknxehtësi e sipër tentoi të vrasë babanë e tij. Ai e qëlloi më sëpatë në pjesën e kokës, duke e lënë atë të plagosur rëndë. Në banesën e tyre ka shkuar policia.
Kjo e fundit mblodhi të gjitha provat materiale në skenën e krimit, mes të cilave edhe sëpatën. Gjithashtu bëri të mundur arrestimin e autorit të dyshuar të plagosjes së rëndë dhe mori në pyetje familjarët. I dëmtuari ndodhet i shtruar në spitalin Rajonal të Korçës, jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja i ka kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë, pasi bëhet fjalë për një krim në familje.