‘Sfidat e Leximit sot’ ka qenë tema e një tryeze të rrumbullakët diskutimi që u zhvillua në Pallatin e Kongreseve, aty ku prej 5 ditësh po mbahet Panairit i Librit ‘Tirana 2018’. Mes botuesve, autorëve dhe nxënësve të pranishëm në takim, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro gjatë fjalës së saj, tha se jemi në kushtet e një emergjence sa i përket hapësirës së pakët që zë libri dhe leximi në shoqëri, sidomos në radhët e brezit të ri.
“Libri dhe leximi duhen kuptuar jo thjesht si tregues të zhvillimin kulturor të një vendi, por dhe si motor lëvizës të zhvillimin social dhe ekonomik të tij. Libri përgatit qytetarë më të informuar për të drejtat e detyrimet e tyre, më të motivuar e më të ndërgjegjësuar për të përballuar sfidat e zhvillimit shoqëror. Fati i një vendi dhe në planin ekonomik e social është i lidhur ngushtë me fatin e librit: ku ka dije, ku ka bibliotekë, ku lexohet, ka dhe ide novative, ka gjithnjë një shteg të ri për të dalë nga situatat e vështira, për t’u matur me botën me inteligjencë dhe mençuri”,- tha ministrja.
Në vijim të diskutimit, duke u ndalur te politikat e Ministrisë së Kulturës për nxitjen e leximit tek të rinjtë, Kumbaro përmendi programin ‘Edukimi përmes Kulturës’ dhe Lëvizjen Kombatare për Lexim, e cila është prezantuar disa javë më parë.
“Fëmijët janë targeti i kësaj lëvizjeje, nga 0 nderi në 14 vjeç. Kushti kryesor që një fëmijë të bëhet lexues është që prindërit të fillojnë që herët t’u rrëfejnë e tu lexojnë libra me zë. Vendet e zhvilluara si Hollanda apo Gjermania prej dekadash punojnë për ndërgjegjësimin e prindërve të rinj për leximin me zë që bebe. Këtë vit kemi 2 çerdhe dhe 3 kopshte pilot ku do të implementojmë këtë nismë, duke synuar ta shtrijmë më pas në të gjithë vendin”,- tha Kumbaro.
Sipas ministres së Kulturës, ndoshta ka ardhur koha që fushatës së Bashkisë Tiranë për mbjelljen e pemëve për një fëmijë të porsalindur, t’i propozojmë nismën: falni pesë libra për beben e porsalindur, për të krijuar kështu bibliotekën e librave të djepit.
“Kushti i parë për edukimin e lexuesit të së nesërmes është t’u lexojmë që të lexojnë. Të përpiqemi të krijojmë bibliotekat për fëmijët tanë në shtëpi, e më pas në kopshte e çerdhe. Një rol të rëndësishëm në këtë process kanë prindërit. Për t’ia përcjellë më pas stafetën mësuesve dhe shkollës”,- theksoi ministrja e Kulturës.
Më tej Kumbaro përmendi ngritjen e Qendrës Kombëtare për Librin dhe Leximin, si dhe ndryshimin e ligjit për librin, ku janë parashikuar lehtësi fiskale, si heqja e TVS-së për librin si në hyrje ashtu edhe në dalje. Kjo me synimin për të lehtësuar shtëpitë botuese dhe për të ulur çmimin e librit. Po kështu është propozuar heqja e prokurimit për blerjen e librit nga bibliotekat.