3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Alarmante: Bie numri i nxënësve në Kosovë, shkak migrimi dhe rënia e natalitetit

Më të lexuarat

Shpërnguljet e mëdha të popullsisë nga vendet rurale në ato urbane, dalja jashtë Kosovës dhe rënia e natalitetit, ka ndikuar që shumë shkolla të komunave të Kosovës në viset rurale të mbesin më pak nxënës, madje disa prej tyre edhe të mbyllen. Numri i nxënësve që vijojnë mësimet në shkolla nëpër vende rural në tri vitet të fundit ka rënë. Këtë statistikë e konfirmon edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).

Numri i nxënësve që vijojnë mësimet në shkolla nëpër vende rurale në tri vitet e fundit ka shënuar rënie. Në disa prej komunave, ka shkolla të nivelit fillor dhe të mesme me pak nxënës e disa prej tyre edhe janë mbyllur.

Indeksonline ka kontaktuar me shumicën e drejtorive e arsimit të komunave për të kuptuar më shumë për këtë çështje, ku të gjitha prej tyre kanë konfirmuar rënien e numrit të nxënësve.

E arsyet kryesore mbesin shpërnguljet e mëdha të popullatës prej vendeve rurale, rënia e natalitetit e migrimi jashtë vendit.

Drejtori i Arsimit në Pejë, Besim Avdimetaj për Indeksonline ka thënë se ka rënie në përgjithësi të numrit të nxënësve në Shkollat Fillore të Mesme të Ulëta dhe Mesme të Larta.

“Të dhënat për numrin e nxënësve Shkollat Fillore të Mesme të Ulëta dhe të Mesme të Larta i regjistrojnë në sistemin SMIA, 4 herë në vit. Nga analizat e raporteve vjetore rezulton se në përgjithësi ka rënie të numrit të nxënësve. Rënia e numrit të nxënësve në vendet rurale reflektohet me rritje të numrit të nxënësve në raport të njëjtë në vendet urbane (kjo lë të nënkuptohet se shkak është lëvizja e banimit fshat-qytet”, ka thënë Avdimetaj në një përgjigje për redaksinë.

Avdimetaj ka treguar se një paralele e ndarë e shkollave amë është mbyllur për shkak të numrit të vogël të nxënësve.

“Paralelet e ndara të shkollave amë kanë numër më të vogël të nxënësve dhe prej tyre vetëm një është mbyllur në bashkëpunim me prindërit dhe këshillin e shkollës duke siguruar një zgjidhje më të përshtatshme me qëllim ngritjen e cilësisë në arsim për nxënësit dhe sigurimin e transporit për ta në shkollën amë”, ka thënë mes të tjerash Avdimetaj.

Edhe Istogu këtë vit ka nxënës me pak në shkollat nëpër vendet rurale. Drejtori i DKA-së në Komunën e Istogut, Hajrush Shoshi për Indeksonline ka thënë se këtë vit ka rënie prej 274 nxënësve.

“Numri i nxënësve në shkolla këtë vit është 7 426 pra kemi rënie prej 274 nxënësve në të gjitha shkollat. Kemi disa shkolla më me pak nxënës, ndërsa asnjë shkollë nuk është mbyllur”, ka thënë Shoshi për Indeksonline.

Ai ka theksuar se rënia e nxënësve në shkolla në vendet rurale është për shkak të migrimit si dhe të zhvendosjes në vendet urbane.

Ndërsa, gjendja më keq është në Komunën e Podujevës, ku për shkak të rënies së numrit të nxënësve, janë mbyllur pesë shkolla.

Nazmi Elezi, shefi i Zyrës për Informim në Komunën e Podujevës ka thënë se në disa zona malore ka shkolla që janë me numër të vogël të nxënësve.

“Ka një rënie të lehtë të numrit të nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm në Komunën e Podujevës. Në komunën tonë kemi disa shkolla në zona malore që janë me numër të vogël të nxënësve, sidomos disa paralele të ndara të shkollave amë, ku vazhdon të ketë rënie të numrit të nxënësve nga viti në vit”, ka thënë në një përgjigje Nazmi Elezi.

Ai ka paralajmëruar se nëse vazhdon trendi i rënies së numrit të nxënësve, disa paralele mund të mbyllën.

“Për shkak të numrit të vogël të nxënësve, gjithsej pesë sish, sivjet është mbyllur paralelja e ndarë e SH.F.M.U. “Shefki Latifi” në fshatin Sllatinë dhe për nxënësit kësaj shkolle Komuna ka siguruar transportin për në shkollën amë në Pollatë. Nëse vazhdon trendi i rënies së numrit të nxënësve, disa paralele të ndara mund të mbyllen viteve në vijim dhe nxënësit të vijojnë mësimet në shkollat amë”, ka theksuar mes të tjerash Nazmi Elezi.

Edhe në Rahovec gjendja nuk qëndron mirë. Në bazë të statistikave për numrin e nxënësve, këtë vit në shkollat e kësaj komune ka 636 nxënës më pak të regjistruar.

Drejtori i DKA-së, Avni Morina për Indeksonline ka thënë se fatkeqësisht rendi i rënies së numrit të nxënësve po vazhdon si në viset rurale, ashtu edhe në shkollat e qytetit.

“Drejtoria Komunale e Arsimit në Rahovec ka evidencuar numrin e nxënësve të regjistruar në këtë vit shkollor, në të gjitha nivelet. Nga kjo evidence rezulton se në komunën tone kemi gjithsej 10048 nxënës, nga niveli parafillor deri te niveli I mesëm I lartë. Fatkeqësisht, trendi i rënies së numrit të nxënësve po vazhdon, si në viset rurale, ashtu edhe në shkollat e qytetit. Këtë vit shkollor kemi 636 nxënës më pak të regjistruar sesa në vitin shkollor 2017/2018”, ka thënë Morina.

Ai ka shtuar se ka shkolla me numër të vogël të nxënësve, por nuk ka ndodhur që ndonjë të mbyllet.

“Ne mendojmë se për rënien e numrit të nxënësve ndikojnë shumë faktorë socio -ekonomik, por dy janë faktorët themelorë. Faktori i parë është rënia e natalitetit, ndërsa i dyti është migrimi në qytete të mëdha dhe migrimi jashtë vendit”, ka theksuar ndër të tjerash Morina.

Ndërsa, në Drenas ka klasë me vetëm nga dy nxënës.Drejtori i DKA-së, Tafil Halilaj për Indeksonline ka thënë se në vitin shkollor 2018/2019 janë 592 nxënës më pak.

“Nga zonat rurale dhe nga numri i përgjithshëm kemi rënieje të numrit të nxënësve. Në vitin shkollor 2017/2018 kemi pasur 13034 nxënës, ndërsa në vitin shkollor 2018/2019 kemi të regjistruar 12442 nxënës”, ka thënë Halilaj.

Ai ka shtuar se janë mbyllur tri paralale të ndara.

“Nuk kemi shkolla të mbyllura për shkak të numrit të vogël të nxënësve, edhe pse kemi klasë me dy nxënës, mirëpo kemi tri paralele të ndara të mbyllura, apo të fuzionuara më mire më thënë”, ka thënë mes të tjerash ai, derisa ka theksuar se arsyejet janë “shpërngulja nëpër vendet urbane, por edhe planifikimi i familjeve”.

Ndërsa, nga Komuna e Skenderajt thonë se ka numër të vogël të nxënësve, por jo edhe mbyllje të shkollave.

“Në dy vitet e fundit është mbyllur paralelja e ndarë në Fshatin Izbicë shfmu,,Skender Skenderi” Vojnik për mungesë te nxënësve. Disa paralele të ndara janë me nr. të vogël te nxënësve mirëpo për shkak se nuk kemi dashtë qe këta nxënës te udhëtojnë në distanca të gjata, nuk kemi marr asnjë vendim për mbylljen e tyre. Z. Bekim Jashari, kryetari Komunës se Skenderajt i ka mbështetur këto paralele me te gjitha mjetet që nevojitën për mbarëvajtjen e procesit mësimor”, ka thënë Bekim Latifi, drejtor i Drejtorisë për Arsim në Skenderaj.

Gjendja e njëjtë konfirmohet edhe në Komunën e Mitrovicës, ku në një përgjigje nga Drejtoria e Arsimit thuhet se në përgjithësi ka rënie të numrit të nxënësve nga viti në vit.

“Të gjitha të dhënat për nxënës janë të regjistruara në databazën SMIA (Sistemi i Menaxhimit të Informatave në Arsim) në nivel të shkollës. Ne, si Drejtori e Arsimit kemi qasje në këtë databazë. Po ashtu edhe MASHT-i ka qasje në këtë databazë. Këto të dhëna përditësohen nga shkollat sipas periudhave të caktuara që janë të përcaktuara me Udhëzim Administrativ. Në përgjithësi ka rënie të numrit të nxënësve nga viti në vit. Kjo rënie në viset rurale vërehet më shumë për shkak të numrit më të vogël të nxënësve. Këtë vit në nivel komune i kemi 279 nxënës më pak, sesa në vitin e kaluar”, thuhet në përgjigjën e DKA-së së Mitrovicës.

Ndërsa, bëhet e ditur se ka shkolla me gjashtë, nëntë dhe 14 nxënës.

“Shkolla që janë mbyllur nuk kemi, mirëpo shkolla me numër të vogël të nxënësve kemi duke filluar nga 6 nxënës, pastaj 9 nxënës dhe 14 nxënës. Këto janë 3 shkollat e viseve rurale më të thella që e kanë numrin më të vogël të nxënësve në nivel komune. Rënia e numrit të nxënësve në viset rurale kryesisht është i lidhur me numrin e vogël të banorëve që jetojnë në këto vise, rënia e natalitetit dhe shpërnguljet në zonat urbane”, theksohet në përgjigjën e tyre.

Në anën tjetër, Blerim Thaçi, drejtor në Drejtorinë për Arsim dhe Edukim në Komunën e Malishevës ka thënë se rënia e numrit të nxënësve me e theksuar është ne vendet rurale.

”Numri i nxënësve ka rënie të lehët nëpër shkollat tona, pak më e theksuar është në vendet rurale. Në komunën tonë nuk kemi shkolla që janë mbyllur për shkak të numrit të vogël të nxënësve. Për rënien e numrit të nxënësve janë shumë faktorë, po i përmendi disa: nataliteti, emigrimi jashtë vendit, lëvizja drejt qendrave urbane,(qendra më të mëdha)”, ka thënë shkurt ai për redaksinë.

Kurse, Rasim Hasani, drejtor i DKA-së në Lipjan ka thënë se me vendim të inspektoratit është mbyllur një paralele e ndarë fizike.

“Numri i nxënësve në tërësi është duke rënë e me e theksuar kjo dukuri është në fshatra. Kemi shumë paralele të ndara nga shkolla amë, të cilat kanë numër të vogël të nxënësve, ndërsa një paralele e ndarë fizike është mbyllur me vendim te inspektoratit”, thuhet në përgjigjën e tij.

Këtë gjendje nëpër shkollat në komunat e Kosovës e pohon edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Enver Mekolli nga sistemi për menaxhimin e informative në Arsim ka dërguar disa statistika për numrin e nxënësve në vendet rurale, ku vërehet një rënie e numrit të nxënësve ndër vite në ato vende.

Për dallim nga viti 2017/2018, në regjistrimin e nxënësve për vitin 2018/2019, në vendet rurale ka 3 mijë e 748 nxënës me pak.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit