Autoritetet e Egjiptit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit, Palestinës dhe Jemenit thonë se Arabia Saudite është vend i drejtë dhe ligjor
Disa shtete arabe e kanë mirëpritur shpjegimin e Arabisë Saudite për vrasjen brutale të gazetarit Jamal Khashoggi në kompleksin e Konsullatës Saudite në Stamboll, raporton Anadolu Agency (AA).
Gazetari dhe kolumnisti i “Washington Post”, Jamal Khashoggi, u zhduk më 2 tetor pasi hyri në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.
Pas pretendimeve disa ditëshe se nuk dinë asgjë për fatin e Khashoggit, autoritetet e Arabisë Saudite njoftuan të shtunën në mëngjes se ai u vra gjatë një grindjeje të pretenduar në konsullatë.
Autoritetet egjiptiane përshëndetën deklaratën dhe hetimin paraprak të kryer nga autoritetet saudite.
“Vendimet dhe veprimet e mbretit saudit Salman bin Abdulaziz janë në përputhje me ligjin dhe drejtësinë”, tha Ministria e Jashtme egjiptiane në një deklaratë.
Një reagim i ngjashëm u bë edhe nga autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe të cilët pohojnë se mbreti Salman solli vendimet dhe urdhrat e duhura.
Televizioni saudit Al-Ekhbariya raporton se qeveria e Bahreinit ka mirëpritur përpjekjet e Arabisë Saudite për të zbuluar faktet dhe përmbushjen e drejtësisë.
Mbështetja e Rijadit zyrtar gjithashtu erdhi edhe nga Autoriteti Palestinez.
“Arabia Saudite, nën udhëheqjen e mbretit Salaman bin Abdulaziz dhe princit Muhammad bin Salman, do të mbetet një vend i drejtësisë, vlerave dhe parimeve”, tha qeveria palestineze në një deklaratë.
Agjencia e lajmeve të Jemenit SABA raporton se qeveria e këtij vendi të Gjirit i mirëpriti përpjekjet që Arabia Saudite bëri në ndriçimin e fakteve lidhur me vrasjen e gazetarit Khashoggi.