Microsoft ka prezantuar në mbrëmjen e së mërkurës Windows 10 për konsumatorë, ku shfaqi disa nga veçoritë e reja të versionit më të fundit të sistemit operativ, i cili fuqizon pjesën më të madhe të kompjuterëve në botë.
Versioni paraprak për zhvilluesit është prezantuar nga Microsoft në vjeshtë.
Përveç prezantimit të Windows 10, Microsoft bëri edhe një njoftim shumë të rëndësishëm. Kompania zbuloi se Windows 10 do të mund të merret falas gjatë vitit të parë.
Windows 10 do të jetë falas për përdoruesit aktualë që operojnë me platformat Windows 7, 8, 8.1 dhe Windows Phone.
Microsoft specifikoi se Windows 10 do të jetë falas vetëm për vitin e parë, që do të thotë se pas këtij viti përdoruesit duhet të abonohen për të përfituar softuerin Windows.
Zëvendëspresidenti i kompanisë Microsoft për Grupin e Sistemeve Operative, Joe Belfiore, zbuloi disa nga veçoritë e reja të Windows 10.
Një nga veçoritë më kryesore është rikthimi i menusë Start. Belfiore shfaqi edhe “Taskbarin” e ri të platformës, i cili vjen me disa animacione të reja.
Një veçori interesante është edhe paneli i njoftimeve, i vendosur në anën e djathtë të ekranit, i cili do të shfaqë njoftime në menunë Action Center, ashtu siç funksionojnë njoftimet tek Apple OS X.
Ndërsa zëvendëspresidenti ekzekutiv i Microsoft-it për Sistemet Operative, Terry Myerson, zbuloi se 1.7 milionë njerëz kishin shkarkuar versionin paraprak të Windows 10 për zhvillues.
Myerson shpjegoi se Windows 10 ka disa synime kryesore: t’u japë mundësi përdoruesve që ta përdorin në çdo pajisje, të ngjallë besueshmëri tek ata, dhe të sigurojë mënyrën më të natyrshme për të ndërvepruar me pajisjet, transmeton Krokodili.
Windows 10 do të jetë një platformë që do të funksionojë në lloje të ndryshme të pajisjeve, si tek kompjuterët, tabletët, telefonat, pajisjet teknologjike që vishen etj.