1.3 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Donika, Insajderistët dhe “Parada e Krenarisë”

Më të lexuarat

A mund të quhet liri gjithçka që bëhet në emër të Lirisë? A është dashuri çdo gjë që bëjmë në emër të saj? Çka është e Drejta, fundi i fundit? Ju e dini, ka njerëz që në emër të dashurisë shpifin ndaj të tjerëve, në emër të drejtësisë gënjejnë dhe në emër të lirisë burgosin a vrasin, por këto nga të urtët nuk cilësohen akte ku manifestohet dashuria, drejtësia, apo liria. Përkundrazi, vlerësohen si akte përdhosjeje të këtyre vlerave universale. Ndërsa vet debati rreth përkufizimit të nocioneve të tilla, do të vazhdojë për aq sa mbi rruzullim do të frymojnë njerëzit.

Shkruan: Imer Topanica

Debati që ka shpërthyer menjëherë pas “Paradës së Krenarisë”, i ka ndarë palët në dy grupe, ndërsa thirren në të drejta, në rend të parë, ligjore. LGBTI-stët së bashku me ata që u solidarizuan me këtë komunitet, pretenduan që shfrytëzuan një të drejtë kushtetuese, të cilën ua garanton Neni 24, përkatësisht pika 2. Ku ndër të tjera thuhet se:

<<Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.>>

Por çudia është që edhe kundërshtarët, kanë të drejtë të thirren pikërisht në këtë nen. Për më shumë, ata paradën e cilësojnë thjesht si tendencë për “imponimin e vlerave”. Kësisoj, një tekst i ndërtuar nga një gjuhë me pretendime denotative, shndërrohet në një tekst me një gjuhë thellësisht konotative.

INSAJDERISTËT

Në kulmin e këtyre polemikave, mund të gjesh argumente edhe qesharake, edhe atë nga të dyja palët. Poetja dhe anëtarja e LVV-së Donika Gashi, u demonizua fill nga Insajderi, një medium i njohur elektronik, vetëm pse shprehu qëndrimin KUNDËR paradës. I njëjti medium, shigjetoi edhe Albin Kurtin, lider i kësaj lëvizjeje, i cili nuk qenka marrë fare as këtë vit me paradën (<<* Albin Kurti vazhdon ta injorojë komunitetin LGBTI – Heshtë edhe këtë vit për paradën>>). Megjithatë, redaksia e portalit, u tregua më e ashpër me Donikën, duke nxjerr në qarkullim disa artikuj të rrufeshëm, nëpërmjet të cilëve u përpoq ta denigronte personalitetin e saj. Por përpara se ta analizojmë qasjen tendencioze të portalit, më duhet t’ua kujtojë që ndaj drejtuesve të këtij mediumi, kanë qarkulluar mjaft akuza, herë hapur, e herë fshehur, ndaj të cilave ata asnjëherë nuk kanë dhënë përgjigje përfundimtare. Kështu për shembull gazetari dhe reporteri i pavarur Vedat Xhymshiti në vitin 2015-të, në një artikull me titull: Kosova e terrorizuar – Çfarë thonë familjarët e të arrestuarve? Të botuar në The Frontline, për një artikull të Vehbi Kajtazit, tash kryeredaktor i Insajderit, shkruan:

<<Hysriu ishte ankuar në KMSHK edhe kundër gazetës “KOHA Ditore” me autor gazetarin Vehbi Kajtazi, i cili në botimin e datës 12 Nëntor 2013, përveç shkeljeve drastike të privatësisë së individëve duke botuar emra dhe mbiemra pa verifikim të plotë e pa fakte mbështetëse, Kajtazi në artikullin e tij me titullin: “Luftëtarët e kthyer nga Siria, arrestohen si të dyshuar për terrorizëm”, kishte përdorur një fotografi (ballinën dhe faqen 5 të gazetës) në të cilën duket një njeri i maskuar me një armë automatike AK47, duke pretenduar se në atë fotografi gjindej i biri i Hysriut, ku në mes të tjerash autori shkruan:

“Genc. S., i armatosur dhe i maskuar. Nofka e tij është ‘Ebu Hafs Al Albani’. Me tu kthyer nga Siria është futur në përgjim dhe janë zbuluar veprimet inkriminuese.” Kështu përfundon përshkrimi i kësaj fotografie nga autori Kajtazi.

Unë e kam verifikuar këtë fotografi dhe kjo del të jetë fotografia flamurtare e përdorur nga propaganda e rrjetit terrorist “Al-Kaida” që në vitin 2006, ndërkohë që gjykuar nga viti i lindjes së “Ebu Hafs Al Albanit” të autorit Kajtazi, ai do të ketë qenë vetëm 12 vjeç, apo ndryshe në klasën e katërt fillore në Bresalc. Siç e dimë në vitin 2006 nuk kishte ndonjë konflikt në Republikën Arabe të Sirisë!>>.

Një vit më vonë, i njëjti autor, në artikullin me titull Konfilti i gazetarëve pa etikë të cilin e publikoi portali Gazeta Express, e akuzon Kajtazin përsëri për shkelje flagrante të etikës së gazetarisë. Gjithsesi “profesionalizimi” i tij ka rënë në pah edhe në raste të tjera. Vetëm pak kohë më parë kur shpërtheu skandali në prokurori, pas dorëheqjes së Elez Blakajt, Insajderi ishte ndër të paktat mediume që ngarendi që rastit t’i epte konotacion të kërcënimit nga fetarët, me tituj si: <<Ky është personi që e kërcënoi prokurorin Blakaj>>; pastaj edhe me një tjetër që e demantonte të parin: <<Flet personi që dyshohet se e kërcënoi prokurorin Elez Blakaj>>. Të dy artikujt janë shkruar e publikuar brenda ditës, ndërsa ndonëse drejtuesit mediumit thirren në parullën e gazetarisë hulumtuese, brenda pak orëve, demantojnë atë që e shkruajnë vet.

Kështu, dyshimet se Insajderi ka lidhje me <<të fortët>> e politikës, nuk janë të pabaza. Ato kanë lëshuar rrënjë kur filloi publikimi i serisë së incizimeve, përkatësisht përgjimeve telefonike, të disa zyrtarëve të lartë, incizime për të cilat kurrë nuk u kuptua se si u ranë në dorë pikërisht këtyre gazetarëve, në një rast që më vonë u njoh si <<Rasti Pronto!>>. Fillimisht qenë paralajmëruar mbi 1000 incizime, por pas njëqind sosh, u ndërprenë publikimet. Dyshimet u forcuan sidomos kur ato, në asnjë rast, nuk i prekën krerët më të lartë të shtetit, por vetëm kundërshtarët e tyre, duke e bërë kështu luftën brenda llojit më të lehtë. Ashiqare, dikush po e shfrytëzonte Insajderin si instrument, për t’i qëruar hesapet me të gjithë ata që nuk i përshtateshin, ose me të gjithë ata që po ia zinin rrugën.

Mbi drejtuesit e këtij mediumi (përkatësisht ndaj Kryeredaktorit Vehbi Kajtazi dhe redaktorit Vullnet Krasniqi), rëndon edhe një akuzë tjetër, ajo për ngacmim seksual dhe jo vetëm. Gazetarja Egnesa Vitia, rrëfimin e së cilës, mund ta gjeni edhe në internet, i ka denoncuar publikisht ata. Unë nuk di nëse këta njerëz e kanë marrë dënimin e merituar, për të gjitha këto akuza dhe shkelje të rënda. Për sa i përket rastit të fundit të Donika Gashit, përkundër që kjo e fundit ua bëri të ditur që qëndrimi i saj është krejt personal dhe nuk përfaqëson atë të subjektit në të cilin është anëtarësuar, ata provuan ta inkriminojnë edhe liderin e VV-së, e edhe vet LVV-në.

NUK VRITET LIRIA, NË EMËR TË DASHURISË!

Një çift gjerman, raportonin mediat gjermane para dy vitesh, provoi ta sfidonte gjykatën atje, nën pretekstin se ligji që ndalon marrëdhëniet me kafshët, ua privon të drejtën e tyre për liri e orientim seksual. Natyrisht, gjykata ua rrëzoi pretendimet. Kështu, kjo përvojë, tregon që kënaqja e epsheve personale, nuk mund të përligjet gjithherë. Por për Lirinë dhe e Drejtësinë, shpeshherë konsensusi nuk vendoset nga shumica, ani që në krye të herës demokracia nënkuptonte qeverisjen e popullit nga vet populli (nga greq: demo – popull, kracia – rend). Shpeshherë grupe të fuqishme interesi, shtyjnë përpara agjenda të caktuara, për t’i normëzuar e legjitimuar apetitet e tyre. Ata që marrin pak erë nga teoritë politike, e dinë fare mirë që luftërat që kanë ndodhur në emër të rrëzimit të diktaturave në Irak, Libi, Afganistan ose ato që vazhdojnë sot në Siri, s’janë veçse një anë tjetër e medaljes, ndërkaq në anën tjetër fshihet një interes tregtar i fabrikave të armëve dhe zotërimi i burimeve të naftës, gazit dhe aseteve të tjera me vlerë tregtare të lartë. Kështu, liria dhe demokracia, dalin të jenë koncepte relative, në kuptimin e ndryshimit të perceptimit nga shoqëria në shoqëri.

Vet çështja e të drejtave LGBTI-së, nuk mund të kuptohet pa vështrim në retrospektivë. Si është trajtuar ky “fenomen” në tërë traditën filozofike e kulturore perëndimore? Si e ka trajtuar klasikja greko-romake e helene, ajo mesjetare dhe Spanja Islamike? Si e trajtuar renesanca, romantizmi, komunizmi, fashizmi, modernizmi, postmodernizmi dhe tash post, post modernizmi?. Në Greqinë antike, a në Romë, po të ishe i tillë, do të duhej të shquheshe në lojërat olimpike, ku djemtë e zhveshur garonin në arena krejt të hapura, ndërsa prej tribunave Cezarët mund të të zgjidhnin befasisht në mesin e shumë të tjerëve, dhe kështu të përfundoje në shtrat me ndonjërin prej tyre. Por disa shekuj më vonë, në të njëjtën Romë, nën hegjemoninë kishtare, ky privilegj do të të kthehej kokë poshtë. Përfundimi i cilitdo që do të identifikohej si i tillë, do të ishte varja në ndonjë shesh. Në Spanjën e Al Andalusit, me siguri do të fitoje një tretman të veçantë shëndetësor, deri në momentin kur një ekip i prirë nga Ibën Sina, i cili do të vinte enkas nga Persia për t’ju studiuar, do të kuronte deri në çrrënjosje të ndjesisë së të qenit homoseksual. Në pjesën tjetër të Evropës, pas disa shekujve, rënia e mesjetës, do të garonte ty njëfarëlloj lirie, por me një kusht: do të duhej të shquheshe për shkathtësi artistike, ose thjeshtë të shëtisje i lirë me këta “të çmendur”, që për të gjetur frymëzimin, mund të të përdëllenin edhe ty si “bukurosh”. Ky status i renesancës, pak a shumë do të vijonte deri në prag të luftërave botërore, ku totalitaristët do të përpiqeshin të ta zhduknin gjenin, kudo që të ndodhej, në qoftë nevoja edhe në eter…

Por varja historisë, kjo punë, siç vë në dukje Ervin Hatibi te një artikull i paradokohshëm me titull GAY, ka marr hov sidomos në fundshekullin e kaluar dhe në fillim të këtij shekulli. Struktura e njerëzve që çojnë përpara agjendën e të drejtave të këtyre grupeve, është shumë e fuqishme, shumë e organizuar. Një miku im, teksa bisedonim për mundësinë e themelimit të ndonjë OJQ-je, para disa viteve, më pat thënë ndër të tjera se është vështirë të gjesh para, meqë sot ambasadat i kanë rrudhur sektorët për të cilët ndajnë fonde pa u menduar dy herë. Nga – pajtimet ndëretnike dhe diversiteti kulturor, ato po interesohen gjithnjë e më shumë për – të drejtat e homoseksualëve! E ndërsa ne, vinte në dukje si me humor miku: <<..ne nuk jemi gey!>>.

E vërtetë, e vërtetë, prapa komunitetit LGBTI, ndodhet një rrjet i tërë agjencishë, ojq-shë, që përbëjnë një grup të fuqishëm interesi, që fjala vjen filmin Brokeback Mountain mund ta kenë shtyrë në krye të listës së filmave të propozuar për Oskar për vitin 2005, ose, ose disa spektakle milionëshe muzikore, që qëndrojnë prapa projekteve të ngjashme si festivalet e llojit të Glastonbury-t, ku mund të performojnë lirshëm edhe ndonjë i famshëm a e famshme që identifikohet me këtë komunitet. Pra për ta përmbyllur me paralelet historike, lufta e këtyre grupeve, ka pasur fitoret dhe humbjet e tyre. ‘Populli i Lutit’ – gëzonte këto standarde dikur, sikurse ai i Greqisë antike, Romës antike, Maqedonisë antike, por për shembull, siç e thamë në Mesjetën Kishtare, homoseksualët, i humbën privilegjet. Fetë abrahamike, pa përjashtim, nuk e miratojnë homoseksualizmin. Ndërsa sot, industria filmike dhe ajo muzikore, bashkë me të gjitha llojet e medias, që konsiderohen si më ndikueset në formimin e opinionit publik, gllabërojnë miliarda fonde për t’i promovuar të drejtat e komuniteteve LGBTI, dhe për t’ua shartuar shoqërive anembanë globit si vlerë, pavarësisht a dëshirojnë a jo.

Këtu tek ne, skenari që po zbatohet, është krejt i njëjtë. As përmasa e investimeve nuk është shumë më e vogël, ajo në fakt është tërësisht në përpjesëtim me hapësirën gjeografike dhe numrin e banorëve. Një mik i imi, njëherësh dëshmitar i drejtpërdrejtë i një ngjarjeje që lidhet me “Paradën e Krenarisë”, më tregoi se si pjesëtarët dhe organizatorët e komunitetit, pak ditë para se ajo të realizohej, kanë mbajtur trajnime të veçanta. Sipas tij, ata janë përgatitur, që të dinë se si dhe çka do të duhej të bënin gjatë manifestimit. Sipas dëshmitarit, në mënyrë që pjesëmarrja të dukej sa më masive, organizatorët kanë “importuar” edhe serbë që i përkisnin këtij komuniteti, ndërsa ambasadat ua kanë bërë detyrim nëpunësve të dalin e të brohorasin, përkrah LGBTI-stëve. Pse?

E thamë në fillim, Kushtetuta e Republikës së Kosovës bashkë me normat ligjore thonë që askush nuk duhet të diskriminohet për shkak të orientimit seksual, por po ashtu ajo është burim reference që ndalon diskriminimin e dikujt edhe për shkak të bindjes.

Disa “portalistë” këmbëngulin që anëtarët e këtij komuniteti janë të shtypur e të izoluar, ani që nuk e argumentojnë këtë hipotezë me ndonjë rast konkret. Të tillët që i konsiderojnë qëndrimet konservatore si antivlerë, ndërsa ato liberale si vlerë karshi çështjes, e kanë gabim. Duhet ta kuptojnë që kushtetuta i njeh të dyja llojet e qëndrimeve si të vlefshme. Problemi është te parada, pse duhet të investohet kaq shumë në te? Pse kjo tendencë për t’ua imponuar atyre që nuk e pranojnë, si vlerë? Qytetari nuk mund të jetë njëkohësisht edhe liberal edhe konservator, edhe majtist edhe djathtist, edhe musliman edhe ateist, apo jo? Në këtë kontekst, duhet bërë edhe një diferencim tjetër, jo të gjithë ata që dolën sheshit në përkrahje të paradës, i takojnë komunitetit LGBTI. Askënd nuk kemi nevojë ta kriminalizojmë. Mos t’i hedhim poshtë leksionet e Joceleyn Maclure dhe Charles Taylor-it, të cilët fort mirë na tregojnë se në shoqëritë laike e sekulare, nuk është e drejtë që t’u krijosh hapësirë disave, duke i shtypur të tjerët.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit