“Sot ose nesër, një ditë padyshim se të gjithë tradhtarët do të japin llogari për tradhtinë e tyre”, tha presidenti Erdoğan
Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan ka deklaruar se “Sot ose nesër, një ditë padyshim se të gjithë tradhtarët do të japin llogari për tradhtinë e tyre”, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Erdoğan në një fjalim të mbajtur në qytetin Kayseri të Turqisë tha se nuk kanë bërë asnjë kompromis në luftën kundër organizatës terroriste FETO dhe se nuk do të bëjnë as pas kësaj.
Ai tha se këtë luftë po e zhvillojnë në kuadër të shtetit ligjor. “Nuk ka një shembull dhe shtet tjetër në botë që i është ekspozuar një sulmi kaq të madh dhe e ka drejtuar atë në kuadër të kufijve të shtetit ligjor dhe demokratik”, tha Erdoğan.
Sipas tij, çdo ditë gjenden dëshmi e fjalëkalime të reja dhe se në bazë të këtyre njerëzit e panjohur dhe të pazbuluar më parë po dalin para prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Erdoğan theksoi se në të kaluarën edhe qyteti Kayseri ka vuajtur shumë nga kjo organizatë, ku shtoi se do të vazhdojnë të ndjekin këtë bandë të tradhtisë.
“Sot ose nesër, një ditë padyshim se të gjithë tradhtarët do të japin llogari për tradhtinë e tyre”, tha ai, duke shtuar se borxhi për dëshmorët dhe veteranët nuk mund të paguhet pa e nxjerrë para drejtësisë edhe pjesëtarin e fundit të organizatës terrorite FETO.
“Ata që kanë mbetur brenda FETO-s, qofshin baballarët tanë, fëmijët apo vëllezërit tanë, ne nuk do të kemi mëshirë ndaj tyre”, tha Erdoğan.
Ai më tej theksoi se e gjithë bota e ka përgëzuar për suksesin strategjik dhe njerëzor të arritur në Idlib të Sirisë.