Si një vlerë e qëndrueshme paqja mund të arrihet vetëm kur bazohet në drejtësi; të gjitha opsionet e tjera janë të destinuara të dështojnë, thotë Zëdhënësi i Presidencës së Republikës së Turqisë, Ibrahim Kalin në një artikull për “Daily Sabah”.
[Në foto: Fëmijë sirianë të ikur me familjet e tyre nga sulmet në qytetin e tyre të lindjes, Hama në një klasë në shkollën e improvizuar për fëmijët e zhvendosur, Idlib, 1 tetor 2018]
-Nga Ibrahim Kalın*
I ndjeri Anthony Shadid, një gazetar fitues i çmimit Pulitzer, i cili vdiq në vitin 2012 nga një krizë e astmës ndërsa ishte duke mbuluar luftën siriane, njëherë kishte thënë se fjala e vetme, që do të dëgjoni vazhdimisht kudo që shkoni në Lindjen e Mesme dhe botën myslimane, nuk është demokracia, të drejtat civile apo edhe liria, por “drejtësia”. Ky nuk është një vëzhgim i rastësishëm. Ai shkon në zemër të problemit jo vetëm në vendet myslimane, por në mbarë botën si një e tërë. Ai përsërit një ide të thjeshtë por themelore që nuk mund të ketë paqe, qetësi, rend dhe siguri pa drejtësi.
Le të shikojmë çështjen palestineze. Është pushtimi më i gjatë i historisë moderne. Epopeja që ka shkruar populli palestinez nuk mund të krahasohet me asnjë konflikt tjetër politik në shekullin e 20-të. Që nga viti 1948, iniciativa të panumërta kanë kërkuar zgjidhjen e këtij konflikti. Për këtë çështje kombet morën vendim për të luftuar. Por asnjë iniciativë paqeje nuk i dha fund konfliktit. Pse? Në kundërshtim me pretendimet e propagandistëve izraelitë, kjo nuk është për shkak se palestinezët dhe arabët nuk janë të interesuar për paqen ose Izraeli nuk ka gjetur dot partner për të bërë paqe. Kjo është për shkak se këtyre të ashtuquajtura propozime të paqes gjithmonë u ka munguar elementi thelbësor, që është ai i drejtësisë për palestinezët. Ndarja e tokave palestineze dhe privimi i palestinezëve nga të drejtat e tyre bazë për sigurinë e Izraelit nuk mund të çojë në një paqe të qëndrueshme, sepse kjo nuk bazohet në drejtësi. Një paqe e qëndrueshme do të jetë e mundur nëse dhe vetëm kur palestinezëve t’u njihen të drejtat e tyre dhe të trajtohen në mënyrë të barabartë e të drejtë. Asnjë shqetësim për sigurinë apo domosdoshmëri politike nuk do ta ndryshojë këtë fakt.
Lufta siriane është një rast tjetër, ku një zgjidhje politike do të jetë e mundur vetëm kur ajo mbështetet tek drejtësia për të gjithë. Me ndihmën e aleatëve të vet, regjimi sirian mund të pretendojë se e ka fituar luftën. Por kjo nuk e bën atë të drejtë apo legjitim. Përpjekjet e paturpshme të regjimit për ta fshirë opozitën siriane nga toka dhe nga tavolina negociuese nuk do të sjellin paqe apo stabilitet në Siri. Një paqe e qëndrueshme do të jetë e mundur vetëm kur të gjithë sirianët trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.
I njëjti parim vlen edhe për hendekun në rritje midis të vendeve të pasura dhe të varfëra të botës. Fakti që sistemi ekonomik aktual i bën shtetet e pasura më të pasura dhe i fundos të varfërit në një humnerë të pafund varfërie, nuk e bën botën një vend më të mirë.
Në traditën intelektuale islame, drejtësia nënkupton “vendosjen e gjërave në vendin e duhur”. Është ta vendosësh çdo gjë në vendin e vet dhe t’i japësh hakun që meriton. Është ti njohësh të drejtën të gjithëve pavarësisht nga statusi, përkatësia etnike apo fetare e tyre. Si një parim universal, ajo e mban të bashkuar një shoqëri. Si një parim sociopolitik, ajo ruan rendin dhe stabilitetin.
E parë në këtë kuptim të gjerë, paqja nuk mund të jetë thjesht mungesë lufte, sepse nuk mjafton parandalimi i përkohshëm i konfliktit për të arritur paqen. Duhet të ketë elementë të tjerë që do ta bënin paqen një realitet të qëndrueshëm. Ajo që disa dijetarë e kanë quajtur “paqe pozitive” përfshin parimet etike dhe politike, me të cilat paqja mund të zgjasë dhe të prodhojë siguri, stabilitet dhe prosperitet për të gjithë. Kjo na shpie ne përsëri tek parimi i drejtësisë, pra, duke vënë gjithçka në vendin e duhur dhe duke i dhënë gjithçka që i takon.
Këto ishin ndër çështjet e diskutuara në Forumin e Dytë të TRT World, mbajtur në Stamboll më 3-4 tetor nën temën “Të përfytyrosh paqen dhe sigurinë në një botë të fragmentuar“. Duke mbledhur së bashku udhëheqësit botërorë dhe ekspertët kryesorë, Forumi dha një mesazh të fuqishëm për paqen, rendin, sigurinë dhe drejtësinë në një botë gjithnjë e më kaotike dhe të çrregullt. Në fjalimin e tij në sesionin përmbyllës, Presidenti Erdoan nënvizoi besimin e tij në një rend paqësor botëror të bazuar në drejtësi.Në fjalën e tij në Forum Presidenti Erdoan përmblodhi diplomacinë globale paqësore të Turqisë, e cila kërkon paqen dhe drejtësinë jo vetëm për të fuqishmit dhe të pasurit, por për të gjitha kombet e botës, duke filluar që nga struktura aktuale e OKB-së e deri tek anëtarësimi i Turqisë në BE, nga lufta në Siri e deri në konfliktin palestinez.
Në këtë botë të ndërvarësisë në rritje, askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt. Asnjë komb i vetëm nuk do të gëzojë prosperitet në kuptimin e plotë të termit derisa pasuria të ndahet në mënyrë të drejtë. Një botë pa drejtësi nuk mund të jetë një vend i sigurt për askënd. Ajo vetëm se prodhon më shumë konflikte dhe vuajtje. Dhe kjo i bën të gjithë të rrezikuar dhe të pasigurt.
Paqja, si një vlerë e qëndrueshme, mund të arrihet vetëm kur bazohet në drejtësi. Të gjitha opsionet e tjera janë të destinuara të dështojnë. Historia e konflikteve moderne është një dëshmi e trishtuar për këtë fakt të thjeshtë.
*Zëdhënës dhe nënsekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë
Burimi:“Daily Sabah”, 06.10.2018 (No peace without justice)
Shqipëroi:Serdar HÜSEYNİ, Përgjegjës i Redaksisë së Gjuhës Shqipe pranë Radio “Zëri i Turqisë”, Departamenti i Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara