-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Brenda fshatit fantazëm dhe të çuditshëm shqiptar

Më të lexuarat

Nga Altin Bamllari

67 km nga Tirana, në Bashkinë e Gramshit, ndodhet një fshat që quhet Mazrek. Është fiks 4,5 km në jug të Digës së Hidrocentralit të Banjës dhe, çuditërisht, nuk gjendet në Google Maps.

As që kisha ndërmend të hidhesha në ato anë, por ishte një grua që më nxiti kureshtjen.

Hera e dytë që ndodhem në Banjë, këtë radhë me prindërit, dhe për të kaluar matanë digës kisha mësuar që porta hapet vetëm për banorët e një fshati përtej. Kështu u them rojeve kur më pyesin: Po çoj prindërit në fshat.

Dera hapet me telekomandë dhe ne ecim mbi asfaltin e digës. Në fundin e saj përshëndesim një tjetër roje dhe ngjitemi, përmes pyllit, kodrës lart.

Ndërkohë që shkrep disa foto, një grua e vetme na del përballë.

Është rreth 65-ave dhe mban në dorë tre bidonë plastikë bosh. E kam zakon që s’rri dot pa bërë ca pyetje dhe gruaja ndaloi të më japë xhuvap. Quhet Resmije dhe është nga Mazreka, fshati me 22 shtëpi që ndodhet në fund të asaj rruge të pashtruar.

Një orë e gjysëm në këmbë për të dalë në xhade dhe 18 km të tjerë me furgon të rastit për të mbërritur në Gramsh.

Aty ajo do bëjë pazar, do marrë ilaçet e burrit dhe kthimi zgjat po aq, vetëm se Resmijes do t’i duhet të ngjitet përpjetë me çantat në krahë. Fshati s’ka asnjë dyqan. Ka vetëm bagëti, për të cilat kujdesen ca njerëz të moshuar.

Ndërsa për këta të fundit, nuk kujdes kush. Fëmijët i kanë braktisur me kohë. Shteti po se po. I vetmi riosh që ndesha ishte Xhuliano Xhelili mbi një motor rrangallë. Edhe ky me mendje për t’ia mbathur sa më parë.

-Më dhembin gjunjët, po ç’të bëj, më thotë Resmija. Burrin e kam të sëmurë. Të dy jemi në pension. Pension i thënçin. Pshehrëtin.

-Nuk ka më keq se kaq, mor bir. Nuk ka. Por s’kemi ç’bëjmë. Sa vjen e më keq.

Ndahem me Resmijen dhe i jap gaz makinës drejt fshatit të saj. As vetë nuk e di ç’kërkoj. Duket që aty s’presin njeri.

Ata pak njerëz vërdallë mblidhen, gjoja të shkujdesur, pranë vendit ku kam parkuar.

Nuk është e vështirë të hysh në muhabet me ta. Vetëm se ua lexoj në sy. Duan fshehurazi të dinë kush jam dhe ç’e mirë më pruri në këto anë.

-Këtej s’kalon njeri. Ç’ne ti? Këtë thonë vështrimet e tyre.

S’jam i sigurt nëse do më besojnë po t’u tregoj që dola ashtu kot, ndaj u them që jam gazetar, ndonëse brenda vetes s’më vjen mirë që gënjej.

–Shyqyr! Je gazetari i parë që vjen në fshatin tonë. Nuk ka shkelur kush deri më sot. Për ne nuk pyet më njeri.

Kaq e pat. Pranë makinës afrohen edhe të tjerë.

Ç’m’u desh! Ata ia nisin direkt nga ankesat. Duan që dikush t’i dëgjojë, t’ua qajë hallin.

Sa turp! S’mund t’iu thosha dot që bëra shaka sepse do t’i zhgënjeja pafund. Unë isha tashmë për ta një korrier, një fluturak që dertin e tyre do ta çoja në një “zarf të mbyllur” drejt e në qytet.

Ernest Meta bërtet më shumë. Nexhypi më pak. Gruaja e Nexhypit pohon me kokë. Ndërsa Zyber Xhelili, ish- kryetar i Këshillit të Komunës, një socialist 24 karat, është aq i zhgënjyer nga kushtet mizerabël saqë betohet se nuk do votojë më kurrë.

-Asnjëri nuk do votojë këtë radhë. E kemi vendosur. -flasin njëzëri të gjithë.

-Boll na mashtruan! Kemi tërë jetën pa ujë. Jetojmë me ujë pusi, që edhe ata na shterojnë. Na premtojnë rrugën dhe na gënjejnë pa pikën e turpit.

Detyrohemi ta mirëmbajmë vetë. Kemi marrë borxh dhe vumë nga 250 mijë lekë për shtëpi për t’i hedhur pak çakull.

Dalim me kazma dhe e sajojmë në mënyrë vullnetare. I zbresim të sëmurët ime (akoma) me batanije n’vigjë (hunj që mbahen në krah, kështu ma shpjeguan).

Nxjerrim prodhimet një orë e gjysëm në këmbë e kusur e na vjen policia na merr prej leckash. E kanë mbyllur edhe pazarin. Ku të hamë? Ku?

Njëherë erdhi Damjan Gjiknuri sa na pa me sy e iku duke na premtuar, por hiç. Njëherë tjetër erdh Luan Duzha, deputeti. Edhe ky hiç. Ore e kuptojnë këta të lojturit që po vdesim apo jo?! Aman o gazetar, shkruaji të gjitha këto se mbase na dëgjojnë. Të falenderojmë shumë që erdhe!

Ç’t’u thoja? Tunda kokën në shenjë miratimi. Desha të ndërroj pak muhabet. I pyeta për shkollën. Më treguan një gërmadhë, ku në oborr kulloste një gomar. Shkrepa ca foto. Tmerr!

Nuk kisha parë një shkollë karakatinë aq të madhe, ku jepnin mësim dy mësuese për tre fëmijë, dy në klasë të pestë dhe një në të nëntën.

Ky fshat dikur ka patur 120 shtëpi e 2 mijë krerë bagëti. Sot vetëm 22 dhe pa të rinj. E ç’fshat na qenka ky?!

Ika me pikëllim në zemër për këta njerëz, të cilët jetojnë më keq se bagëtia që rrisin vetë.

Rrugës po më vriste ndërgjegja. Ata mezi presin të dalë artikulli.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit