Policia e Bulqizës në Shqipëri ka vënë në pranga një kryefamiljar, i cili ushtronte dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes së tij dhe 3 vajzave. Burime zyrtare bëjnë me dije se është arrestuar 40-vjeçari Fluturim Karabrahimi, pasi ndaj tij ka denoncuar vajza e 14-vjeçare me inicialet A.K. Prej kohësh 40-vjeçari ushtronte dhunë në familje dhe me gjithë faktin se gruaja dhe dy prej vajzave janë invalide, nuk është ndalur. E mitura ka deklaruar para bluve të Komisariatit të Bulqizës se babai i saj ka ushtruar dhunë ndaj nënës dhe dy motrave. Menjëherë policia ka shkuar në fshatin Ostren ku i ka vënë prangat 40-vjeçarit Karabrahimi, i cili do të përgjigjet për veprën penale “Dhunë në familje”. Po sot në qytetin e Fierit, nëna e 3 fëmijëve gjeti vdekjen pasi u rrah nga bashkëshorti i saj për vdekje. Në Rubik, një tjetër grua është goditur me grushte dhe gurë nga kunati, për motive banale.