-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Arkitektura Islame në Shqipëri

Më të lexuarat

ZIJA SHKODRA Arkitektura Islame në Shqipëri Pas fushatave luftarake që zgjatën mbi 200 vjet (1381-1571) më 1571 u vendos sundimi osman në Shqipëri. Krahas pushtimeve osmane që filluan nga vitin 1371, një rrezik tjetër i ri i kërcënohej nga deti, vendit tonë. Republika tregtare e Venedikut, duke dashur të rrisë zotërimet e veta, nga viti 1392 nisi pushtimin e qyteteve bregdetare shqiptare. Por turqit osmanë pas krizës shumëvjeçare të shkaktuar nga disfata e Ankarasë (1402), i mblodhën forcat përsëri dhe nën drejtimin e Sulltan Mehmetit I, rifilluan fushatat pushtuese drejt Ballkanit, pra dhe Shqipërisë. Gjirokaster: Xhamia e Pazarit Pasi shtinë në dorë një pjesë të këtyre anëve, si dhe viset veriore dhe juglindore të vendit, u përhapën me shpejtësi edhe në drejtime të tjera. Më 1417 morën Vlorën, dhe Beratin, ndërsa Gjirokastrën e pushtuan në vitin 1419. Osmanët që synonin të kalonin në Itali, i vazhduan sulmet në drejtim të Shqipërisë së mesme dhe të veriut. Më vonë, sidomos pas fushatës së dëshpëruar 25-vjeçare kundër heroit legjendar, Skëndërbeut, ia dolën të shtien në dorë qendra të tjera të vendit si: Prizrenin më 1455, Krujën, Lezhën dhe Drishtin më 1478, Shkodrën më 1479 dhe Durrësin më 1501. Me përjashtim të kështjellave bregdetare të Tivarit dhe Ulqinit, të cilat vazhduan të qëndrojnë në duart e venedikasve deri në betejën detare të Lepantit (1571), fushata pushtuese osmane, pas gati 2 shekuj luftërash të përgjakëshme përfundoi me pushtimin e plotë të vendit në shekullin e XV-të. Xhamitë e thjeshta me çati druri Shekulli i XV përbën periudhën e ndryshimeve të mëdha: ekonomike, politike, shoqërore e kulturore. Sigurisht që për nevojat e ushtrisë, në kalatë e garnizoneve, osmanët ndërtuan faltore të kultit islamik, të cilat nuk i qëndruan kohës nga shkaku i materialeve të dobëta të përdorura në to. Xhamia më e hershme që njihet në vendin tonë ka qenë xhamija e Sulltan Mehmetit II, ndërtuar mbi kullën e hyrjes së kalasë së Elbasanit, një xhami e thjeshtë me çati druri dhe e mbuluar me tjegulla. Me emrin e Fatihut lidhen dhe xhami të tjera të ndërtuara në Shkodër, Krujë dhe në Kaninë të Vlorës. Xhamitë e para me çati druri duket se u takojnë qyteteve të rëndësishme të vendit. Ato i shërbenin administratës pushtuese dhe garnizoneve ushtarake, sepse deri nga fundi i shek. XV-të, numri i banorëve të kthyer në fenë e re islame ishte mjaft i pakët (i vogël). Vetëm nga mesi i shek. XVI, islamizmi i qyteteve, krahas rritjes së popullsisë, u krye me ritme të shpejta. Në aspektin arkitekturor ato nisin të marrin pamjen e qyteteve muslimane me ndërtimin e xhamive, mesxhiteve, namasgjaheve, teqeve, medreseve, tyrbeve, imareteve, hamameve publike, bezisteneve, çesmave, karvansarajeve dhe varrezave. Shkoder: Xhamia “Fushe Çele”me çati druri Ndëtime të tjera u kryen edhe gjatë dy shekujve që pasuan. Një tablo të zhvillimit ekonomik si dhe ndërtimeve në qytetet na japin burimet dokumentare historike, si dhe të dhënat e udhëtarëve të huaj që vizituan vendin. Krahas udhëtarëve e misionarëve të shumtë perëndimorë, me vlerë janë edhe ato që vinin nga lindja sidomos Haxhi Kallfa (shek 16) dhe Evlija Çelebi (shek. 17). Kështu ato na plotësojnë pamjen e këtyre ndërtimeve duke na dhënë mundësinë për një njohje më të mirë të arkitekturës islamike në Shqipëri. Shekulli XVIII shënon një rritje të shpejtë të forcave prodhuese në qytet dhe ndryshime të mëdha në strukturën e ekonomisë shoqërore të fshatit, me fuqizimin e ekonomisë çifligare. Në këto rrethana krahas qyteteve kryesore të vendit si Tivari, Shkodra, Prizreni, Elbasani, Berati, Vlora, Gjirokastra zhvillohen edhe një varg qytetesh të tjera si Tirana, Kruja, Kavaja, Dibra, Gjakova, Korça, Voskopoja etj. Fuqizimi ekonomik dhe zhvillimi në përgjithësi i qyteteve u dha hov të madh ndërtimeve. Krahas zgjerimit të qyteteve me dendësimin e banorëve dhe lagjeve egzistuese, zhvillohet akoma më tepër qendra e qyteteve ku një vend të rëndësishëm zenë ndërtimet e kultit islamik. Tashmë çdo lagje e banuar kishte zakonisht një qendër të vetën, ku ndërtohej xhamia e shoqëruar me kompleksin e hamamave, çezmave, teqeve, tyrbeve, bezistanëve, kullave të sahateve që ndërtoheshin rreth xhamisë etj. Me islamizimin në masë edhe të popullsisë fshatare që duket se nis nga fundi i shek. XVIII-të, ndërtimet e kultit islamik u përhapën edhe në disa rajone fshatare. Me përhapjen e islamizimit në masën 2/3 të popullatës së vendit, ndërtimet e kultit islam shtohen së tepërmi nga gjysma e dytë e shek. XVIII-të deri në mesin e shek. XIX-të. Tirane: Xhamia e Sulejman Pashes me çati druri Në vargun e madh të faltoreve islamike dhe të ndërtesave të kultit të ngritura në vendin tonë, jo të gjitha përbëjnë objekte me vlera për historinë e arkitekturës. Mjaft prej këtyre i njohim nga përshkrimet e Evlija Çelebiut, i cili na jep një pasqyrë të qartë për shek. XVII-të. Nga shkrimet e tij rezulton se numrin më të madh të ndërtimeve të kultit islam e zënë xhamitë me çati prej druri ndër to edhe mesxhitet, të cilat në pjesën më të madhe nuk i kanë qëndruar kohës ose kanë pësuar ndryshime. Më të vjetra janë ato të kohës së sulltan Bajazitit II-të, d.m.th të fundit të shek. XV-të, fillim i shek. XVI-të. Të tilla xhami u ndërtuan në qytetin e Beratit, në Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet e Delvinë dhe kudo janë të mbuluara me tjegulla. Me interes na duket xhamia e Bajazitit që ndodhet në kala të Gjirokastrës “e mbuluar me rrasa guri me një minare sipas sistemit të vjetër 80×40 këmbë, me tavan dërrasash të punuara bukur, i cili mbahej mbi katër shtylla”. Të tilla xhami dhe mesxhide u ndërtuan edhe në qendra më të vogla dhe në kala. Me ndërtimet e mëdha të kultit Islamik janë veçanërisht xhamitë, teqetë, medresetë dhe tyrbet, bezistenët, çezmet etj. Xhamitë, që simbolizojnë flatoret e kultit islam, përbëjnë numrin më të madh të ndërtimeve të kultit që ruhen deri në ditët tona. Xhamia përbëhet nga 1. Salla e lutjeve 2. Hajati (portiku) dhe 3. Minareja. Në formulimin e përgjithshëm arkitekturor vendin kryesor e zë salla e lutjeve, me të cilën lidhen edhe dy korpuset e tjera. Për nga ndërtimi planimetrik, xhamitë i ndajnë në dy grupe: Në ato të tipit të vogël me tavan e çati druri, që përbënin pjesën dërmuese të këtyre ndërtimeve të kultit si dhe me xhamitë e tipit sulltanor me kupolë, që janë më të kufizuara si numër. Tipi i xhamive sullanore me kupolë paraqet vlera më të mëdha arkitekturore: Ato zakonisht janë ndërtuar nga persona të lartë të hierarkisë feudale vendase. Salla e tyre e lutjeve me efekt monumental, ishte në njëfarë mase imitim me miniaturë të Shën Sofisë së Stambollit. Kupola e tyre zakonisht vishej me plumb. Xhamitë me çati druri, këto janë xhamitë selxhukide, si dhe xhamitë e mëdha (uluxhamitë), të cilat në periudhën e principatave selxhukide ndjekin rrugën e thjeshtimit të hapësirës së brendëshme, nëpërmjet pakësimit të numërit të kolonave mbajtëse. Nga këto ndërtime të para (ndonëse të rrënuara) është xhamia në kalanë e Shkodrës-ish kisha e Shën Stefanit- e adaptuar në xhami prej Sulltan Mehmetit II-të. Kësaj iu shtua nga ana lindore, minarja me vëllim paralelopedik, e cila ruhet në pjesën e poshme të saj Berat: Xhami me kupole Kthimi i kishës në xhami duhet të ketë ndodhur më 1470-80, menjëherë pas rënies së Shkodrës, në dorën e ushtrisë osmane. Të këtij tipi janë sidomos faltoret e vogla të lagjeve dhe në përgjithësi mesxhidet. Një xhami e këtij lloji që meriton të përmendet është xhamia mbret në kala të Elbasanit, të cilën E. Çelebiu e quan xhamia e Gazi Sinan Pashës, e ndërtuar rreth vitit 1492. Në vitin 1492 Gazi Sinan Pasha (admiral i flotës osmane) me 300 anije, ndodhet në brigjet e Shqipërisë dhe po në qershor të atij viti vjen edhe vetë Sulltan Bajaziti II-të, i cili qëndron deri në mes të dimrit, kur u kthye në Stamboll. Të kësaj periudhe janë edhe disa xhami të qytetit të Beratit. Një ndërtim me vlerë arkitekturore i këtij tipi, i kohëve më të vona (1848-1243 h.) është xhamia e Beqarëve (esnafit të Beqarëve) e mbajtur në gjendje të mirë. Kjo ndodhet në qendër të qytetit dhe është e zbukuruar me piktura me pamje të ndryshme nga bota bimore. Xhamitë sulltanore me kupolë, këto paraqesin vlera më të mëdha arkitekturore dhe janë ndërtuar me pretendime nga ana e porositësve të tyre. Veçori e tyre është salla e lutjeve me planimetri kuadratike, që në aspektin vëllimor paraqet një kub të mbuluar me kupolë sferike. Zakonisht këto xhami paraqiten me portikë në pjesën veriore ku ndodhet dhe hyrja e lutësve. Tipologjikisht këto xhami bëjnë pjesë në grupin e madh të xhamive me kupolë dhe i takojnë një tipi të vjetër, më pararendës se xhamitë e periudhës së principatave osmane si xhamia e Aladinit në Bursë e ndërtuar më 1335, Jeshil Xhami në Iznik ndërtuar më 1349, Xhamia Iljaz beut në Balat ndërtuar me kupolë masive të rrumbullakët ose shumëkëndëshe. Sallat e tyre me efekt monumental ishin në një farë mase intime, në miniaturë të Shën Sofisë në Stamboll. Kupola e tyre që vishej zakonisht prej plumbi, dallonte lart në siluetën e qyteteve. Xhamia me kupolë kishte rëndësi më të madhe se xhamia me çati, por në siluetën e qyteteve në dy tipet me minaretë e holla dhe të larta prej guri të gdhendur merrnin pjesë aktive në to. Në panoramën e qyteteve vendi dhe pozita e këtyre xhamive dallohej nga shfaqja në horizont e minareve të larta, të bardha. Në përgjithësi, karakterin oriental të qyteteve tona gjatë pushtimit osman, asgjë nuk e paraqiste më qartë se minareja e lartë e këtij objekti kulti islamik. Krahas islamizimit të vendit u rrit numëri i xhamive, i teqeve, hamameve, namazgjaheve, karvansarejeve e bizesteneve. Sipas traditës së njohur osmane, në themelimin e një qyteti xhamia, çezmja, imareti (menza për të vorfrit dhe udhëtarët), furra, hamami përbënin objektet e para, ose bërthamën e qytetit, përreth të cilit pastaj mblidheshin dhe ndërtoheshin grupi i ndërtesave të tjera publike e private. Korçë: Xhamia me kupole e Iliaz be Mirahorit Në Kosovë për nga numri i xhamive në shek. XIX-të, vinin qyteti i Prizrenit me 30 xhami, Peja 16, Prishtina me 13 dhe 5 mesxhide të vogla pa minare, Gjakova me 11, Mitrovica me 4, Vuçiterni me 3 xhami, Gjilani me 2 etj.; përveç objekteve të tjera të kultit si teqetë, tyrbet, namazgjahet etj., kurse brenda kufijve të sotëm shtetërorë të Shqipërisë, në disa qendra kryesore numri i këtyre objekteve (shek XIX-të) ishte: Në Shkodër 26 xhami, Tiranë 8, Kavajë 5, në Elbasan 16, në Berat 7, në Vlorë 8-10, në Korçë 2 xhami, 2 teqe, 3 tyrbe dhe një medrese, Gjirokastra kishte disa xhami etj. Nga xhamitë sulltanore të tipit me kupolë në Kosovë, meriton të përmendet xhamia e Sinan Pashës në Prizren, e ndërtuar më 1615 (Shih Z. Shkodra, Qyteti… f. 409), në Pejë është xhamija Bajrake, e ndërtuar në mesin e shek. XV-të, në Gjakovë është xhamija e Madumit nga më të njohurat në Kosovë e ndërtuar më 1595 nga funksionari i lartë osman, me origjinë shqiptare, Sulejman efendi. Duke përshkruar këto objekte kulti, konsulli i Austrisë në Shkodër J. Müller shkruan më 1838 ndër të tjera se: “Xhamija e Madumit në qendër të qytetit mund të konkuronte lirisht me xhamitë e Stambollit”. Në Prishtinë ishte xhamia Mbret e sulltan Mehmetit Fatihut, e ndërtuar 8 vjet pas rënies së Stambollit d.m.th më 1461. Xhamia Mbret, si më e rëndësishmja në të gjithë Kosovën, dhe më e vjetra në vendin tonë, e tipit Sulltanor, me kupolë bën pjesë në radhën e objekteve islamike të kultit në ndërtimet e shkollës osmane të arkitekturës të qytetit Brusa. Kupola e saj me diametër 13,50 m, ishte kupola më e madhe pas xhamisë së Madumit në Gjakovë. Në afërsi të Prishtinës ishte edhe hamami publik, hani dhe tyrbja e Sulltan Muratit (rënë në betejën e Kosovës më 1389) që konsiderohet si i vetmi egzemplar i barokut osman në Shqipëri. Në qytetin bregdetar të Vlorës, për t`u shënuar është xhamia Muradije e tipit sulltanor me kupolë e mbuluar me fletë plumbi, me sallën e lutjeve në formë katrore, me përmasa 8.7×8.8 m. dhe ka në murin jugor “mihrabin” me stalaktite në pjesën e sipërme. Edhe minareja është ndërtuar me gurë të gdhendur dhe ka “Kazan” të madh, të punuar bukur në dekorin e pjesës së poshtme të tij. Sipas shënimeve të E. Çelebiut është ndërtuar në vitin 1542. Në Shqipërinë Juglindore, në qytetin e Korçës, meriton të shënohet xhamia Iljaz bej Mirahorit (Emir Ahur) (Shih Z. Shkodra, Qyteti Shqiptar ….. f. 418) e krushkut të sulltan Bajazidit II-të, i dalluar në luftën për marrjen e Stambollit. E ndërtuar mbi rrënojat e një kishe, kjo xhami që është edhe sot në këmbë, përbën një shembëll klasik të këtij tipi. Kjo përbëhet nga salla e madhe e lutjeve, nga portiku trepjesësh dhe nga minareja e lartë, me një “Kazan”. Pranë kësa xhamije bën pjesë kompleksi me tyrbenë, hamamin dhe ujësjellësin, imaretin, furrën kullenë e sahatit dhe medresenë. Edhe Tirana si qendër kryesore e vendit ishte e mbushur me një varg objektesh dhe faltoresh të kultit islam. Piktori anglez Eduard Lear i tërhequr nga bukuria e këtyre ndërtesave, në vizitën që bëri në këtë qytet në mesin e shek. XIX, thoshte: “se në asnjë vend tjetër të Shqipërisë nuk ka xhami kaq të bukura si këto të Tiranës”. Nga 8 xhamitë kryesore, shkruan konsulli austriak Müller më 1838, është ajo në afërsi të sheshit të kështjellës. Me sa duket ky fliste për xhaminë e Mazhi Et-hem beut që filloi të ndërtohet më 1792-93 (1207 h.)në sheshin e pazarit, pranë kullës së bukur të sahatit dhe kishte përfunduar së ndërtuari më 1821 nga i biri, pse i ati vdiq. Xhamia e Haxhi Et-hem beut, e tipit sulltanor me kupolë, që e zbukuronte qytetin, thotë në një shënim në hyrje të saj, sikurse “Shën Sofia Stambollin”, është një ndërtim me vlerë të veçantë arkitektonike. Kjo faltore e ruajtur në qendër në Tiranë, pranë kullës së sahatit është e zbukuruar me piktura dhe zbukurimore. Ajo ka një hajat të gjerë me çati të mbajtur mbi shumë shtylla guri nga tre anët e saj. Përveç zbukurimoreve skulpturale, xhamia është e mbushur me piktura në arkade, sofa dhe brenda saj. Motivet zbukuruese janë kryesisht nga bota bimore si: lule, pemë etj., ndonëse aty nuk mungojnë edhe peisazhet, mbase edhe pamje nga xhamitë e Stambollit të krijuara nga fantazia e piktorit. Xhamia e Haxhi Ethem beut nga çdo pikëpamje, si nga ana ndërtimore, nga harmonia e pjesëve përbërëse nga minareja e lartë e bardhë, prej guri të gdhendur dhe elegant, apo edhe nga kupola e portiku i saj tërheqës mund të radhitet fare lehtë në grupin e monumenteve më të bukura të besimit islamik, jo vetëm të Shqipërisë por edhe të Ballkanit. Eduard Lear-i duke bërë fjalë për këtë lloj arkitekture thoshte: “Tirana veç rrugëve më të gjera se ato të Elbasanit shkëlqente më shumë edhe në arkitekturën fetare islamike si edhe në sheshet e hapura ta pazarit”. Veç ndërtesa të kultit dhe rrugëve kryesore, të gjera, përveç tyrbeve dhe teqeve të shumta etj., në qendrën e Tiranës kishte një shesh tërheqës të gjelbëruar “namazgjah”, që ishte një vend prehës shumë i bukur, i rrethuar me mure jo të lartë dhe me selvi të shumta anash, një shesh që përdorej gjatë verës për mbledhjet e qytetarëve dhe faljet e tyre gjatë muajit të ramazanit dhe të bajramit. X Edhe banjot publike (hamamet) zinin një vend të dukshëm në arkitekturën e ndërtimeve shoqërore të qyteteve. Sipas parimit të urbanistikës islamike, hamamet ndërtoheshin në grup bashkë me objektet e tjera siç ishin xhamitë, për të cilat folëm më sipër), furrat, çezmet, karvansarajet, imaretet etj.”, të cilat përbëjnë lëndën e një trajtese tjetër. Literatura kryesore Z. Shkodra, Esnafet Shqiptare, Tiranë më 1973. A. Meksi, Rev. “Studime historike”, Tiranë më 1980, nr.1. Z. Shkodra, Qyteti shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare, Tiranë 1984.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit