Protestuesit u mblodhën para kompleksit American House në qendër të Ramallahut në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe protestuan kundër politikave amerikane ndaj palestinezëve
Palestinezët kanë protestuar kundër vendimit të SHBA-ve për ndërprerjen e plotë të mbështetjes financiare për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), raporton Anadolu Agency (AA).
Protestuesit u mblodhën para kompleksit American House në qendër të Ramallahut në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe protestuan kundër politikave amerikane ndaj palestinezëve.
Të tubuarit kërkuan mbylljen e American House dhe dëbimin e zyrtarëve amerikan nga Bregu Perëndimor.
Isam Ebubekir, një nga protestuesit, për AA tha se palestinezët nuk janë të kënaqur me praninë amerikane në Bregun Perëndimor.
Duke akuzuar SHBA-të për politikë pro-izraelite, Ebubekir tha se SHBA dhe Izraeli punojnë bashkërisht për të bllokuar zgjidhjen e çështjes së refugjatëve palestinezë.
“Sot jemi këtu për të treguar se vazhdojmë të jemi të qëndrueshëm për mbrojtjen e të drejtës të kthimit të refugjatëve palestinezë. Duam të tregojmë se UNRWA duhet të mbetet deri sa refugjatët e dëbuar të mos kthehen në shtëpitë e tyre”, ka thënë Ebubekir.
Duke brohoritur slogane dhe duke valëvitur flamurin palestinez, protestuesit dogjën posterat me fotografitë e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.