-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Kolonizimi teknologjik i kulturës shqiptare

Më të lexuarat

ergys mertiriERGYS MËRTIRI

Kultura e konsumit është rrjedhojë e pashmangshme e një procesi të gjatë të emancipimit të shoqërive moderne prej natyrës njerëzore, që, mund të themi, se fillon me mitin e arsyes dhe vazhdon me një sërë zhvillimesh politike, ekonomike e kulturore, ku teknologjia zë një vend të rëndësishëm.

Miti i arsyes nuk solli një sistem  legjitim vlerash, e as një përmirësim të aftësive konjitive të njeriut në shoqëritë moderne, por çoi në prodhimin e ideologjive që, ashtu si edhe mitet e botës së vjetër, formulojnë skema të thjeshtuara interpretimi mbi shoqërinë, në funksion të projektit të tyre politik e kulturor. Totalitarizmi është një prej pasojave logjike të këtij procesi. Tjetri është nihilizmi cinik i një bote të paaftë për të ndërtuar një rend të përbashkët vlerash. Kultura e konsumit është rrjedhojë e pashmangshme e këtij procesi, në të cilin, ironikisht, arsyeja bëhet edhe më e varfër se në shoqëritë tradicionale.

KULTURA E MASAVE

Një ndër konceptet e rëndësishme që shënjon shoqëritë industriale është ai i “shoqërisë së masave”, i cili, sipas Hannah Arendt, tregon për një model të shkatërruar shoqërie që përmbledh të gjitha tiparet e psikologjisë së turmave: mungesën e standardeve, të qenit vetëm, paaftësinë për të menduar, aftësinë për konsum e mbi të gjitha egocentrizmin dhe tjetërsimin. Fillimisht, ky proces shfaqet tek filistinizmi, ku arti dhe kultura humbasin vlerat e tyre universale, duke u shndërruar në mjete të shtresave të reja të pasuruara të popullsisë, në funksion të nevojës së tyre për të fituar një rang shoqëror më të lartë.

Kjo e bëri kulturën të shihet si një mall i këmbyeshëm në vlerë. Ajo bëhet një monedhë, me të cilën filistini blen statusin e tij social. Megjithatë, Arendt thotë se sado që shoqëria e periudhës së filistinizmit i zhvlerësoi, përdori dhe keqtrajtoi objektet kulturore, ajo nuk i “konsumoi” ato, siç ndodh sot.

Ardhja e shoqërisë së masave bën të mundur krijimin e një standardi tjetër, ku shoqëria nuk interesohet më për kulturë në vetvete, por vetëm për argëtim. Industria e kulturës e përdor kulturën si mall konsumi në funksion të argëtimit. Ndryshe nga natyra e artit dhe e kulturës, objektet e të cilave vlerësohen nëpërmjet jetëgjatësisë, produktet e industrisë së kulturës konsumohen shpejt dhe serviren të freskëta. Kultura që prodhon kjo lloj industrie nuk kërkon aspak t’i rezistojë kohës, por, përkundrazi, të konsumohet shpejt në mënyrë që të prodhohen produkte të reja, e kjo në mënyrë të vazhdueshme, duke përmbushur pa pushim nevojën e pangopur të tregut për konsum. Pra, argëtimi e plaçkit kulturën.

Kjo temë është rimarrë nga shumë autorë të shkencave shoqërore. Daglas Kellner dhe Herbert Markuze kanë zhvilluar një kritikë të shoqërive duke evidentuar rolin e teknologjisë. Markuze e shikon teknologjinë në përgjithësi, e sidomos televizionin, sportet dhe seksin si mjete të prodhimit kulturor. Ai gjykon se ato përdoren si mjete kontrolli për ndrydhur individualitetin dhe për të zbutur reagimin shoqëror, duke i bërë individët të humbasin aftësinë për të menduar në mënyrë kritike rreth shoqërisë. Pra, kultura nuk prodhohet më në mënyrë të vetvetishme nga shoqëritë, por nëpërmjet mjeteve të tilla, të kontrollit, të cilat kanë sjellë shndërrimin e njeriut në një “qenie njëdimensionale”.

Sipas tij, teknologjia moderne është një nxitëse drejt totalitarizmit, si një mjet efikas skllavërimi për të dominuar njerëzit, duke kufizuar dhe pushtuar lirinë e brendshme të aktorëve socialë. Kellner, përpunon konceptin e teknokulturës, me të cilin ai shënjon kulturën e konsumit, ku mallrat e konsumueshme, si dhe ato të argëtimit, përfshi këtu edhe informacionin e kompjuterizuar, dominojnë kulturën në shoqëritë moderne. Teknokultura krijohet nëpërmjet produkteve të reja kulturore që po “kolonizojnë” jetën e përditshme, si “spektakli, imazhi, estetika e komoditeteve” etj.. Kellner e vendos theksin te televizioni si pjesë e rëndësishme e kësaj industrie, duke e parë atë si një kërcënim jo vetëm për kulturën, por edhe për demokracinë, individualitetin dhe lirinë.

TEKNOKULTURA SHQIPTARE

Pas rënies së regjimit komunist, shqiptarët morën një orientim të ri kulturor e politik, duke u orientuar nga Europa. Megjithatë, ideologjizimi i gjatë totalitar e bënte të vështirë që ky orientim të përvetësohej siç duhet ndaj dhe europianizimi u mor më shumë si një mit sesa si një projekt i qartë politik e kulturor. Europa u bë më shumë projeksion i dëshirës së papërmbajtshme për konsum, pa menduar mbi sistemin e vlerave që i mban shoqëritë europiane.

Europa u bë për shqiptarët projeksioni i nevojës për të pasur të gjitha ato të mira materiale të munguara në 50 vjet varfëri ekstreme, në kushtet e mbijetesës ekonomike ku nuk garantoheshin dot as nevojat minimale ushqimore. Europa u bë ëndërr dhe lakmi e një populli të uritur. Në retorikën e përgjithshme të këtyre tri dekadave, integrimi europian perceptohet më shumë si një proces modernizimi, i cili, në fakt, prodhon më shumë imitim të modeleve që vijnë nga perëndimi nëpërmjet mjeteve të komunikimit. Të jesh europian do të thotë të jesh modern dhe të jesh modern do të thotë të shkëputesh nga e vjetra, nga tradita, trashëgimia kulturore që vjen nga e kaluara.

Ashtu si gjithçka, çdo aspiratë e shoqërisë shqiptare vjen në mënyrë dialektike, si një mekanizëm për të çrrënjosur diçka ekzistuese. Shqiptarët po kalojnë aktualisht në një tranzicion kulturor ku vijimësia është këputur. Europa e shqiptarëve është një perceptim abstrakt që nuk i përgjigjet asnjë vendi konkret, i cili ka të bëjë më shumë me shoqërinë e konsumit, sesa me kulturën reale të shoqërive europiane.

Shqiptarët priren ta barazojnë kulturën europiane me kulturën globale, kulturën e masave, siç na vjen ajo nëpërmjet konsumizmit. Për këtë arsye, modernizimi i vendit është bërë tashmë një proces i thellë akulturimi, i cili implementon pikërisht ato tipare të kulturës së konsumit, të kritikuara nga shumë studiues në perëndim. Në thelb, kultura shqiptare është reduktuar në një teknokulturë të implementuar në mënyrë refleksive si pasojë e fuqisë asimiluese të mjeteve të reja të komunikimit si dhe një stili jetese tërësisht materialist e hedonist.

Kjo natyrisht që ka prodhuar një seri problemesh të mëdha të natyrës sociale, kulturore, politike, si dhe ekonomike. Shqiptarët janë sot një popull lehtësisht i manipulueshëm, i paaftë të vlerësojë në mënyrë kritike dhe të filtrojë mallrat, parimet apo pikëpamjet që i serviren nga agjenci të ndryshme të përpunimit masiv. Rrjedhimisht, ata janë lehtësisht të viktimizueshëm nga politika abuzive dhe të paaftë për të vendosur barriera apo për t’u organizuar në mbrojtje të vlerave dhe jetëve të tyre.

Duke iu rikthyer Kellner-it, teknokultura shqiptare ka prodhuar një model shoqërie ku kultura e konsumit, mallrat e konsumueshme, si dhe ato të argëtimit dominojnë në mënyrë të pakonkurrueshme. Kjo kulturë e re po kolonizon jetën shoqërore nëpërmjet spektaklit, imazhit manipulativ, estetikës dhe produkteve komerciale.

(Marrë me shkurtime nga revista “Medius”)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit