HRW në një raport ka theksuar se refugjatët muslimanë të Arakanit nuk duhet të ndodhen përballë rrezikut të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës dhe se ata duhet të kenë strehimore më të sigurta dhe mundësi për arsim
ANKARA (AA) – Organizata Human Rights Watch ka njoftuar se refugjatët muslimanë të Arakanit, të vendosur në kampe të tejmbushura me njerëz në Bangladesh, duhet të vendosen në vende më të sigurta, transmeton Anadolu Agency (AA).
Human Rights Watch në një raport prej 68 faqesh të përgatitur pas vizitave të kryera në muajin maj në qytetin Cox’s Bazar të Bangladeshit, ka theksuar se refugjatët muslimanë të Arakanit nuk duhet të ndodhen përballë rrezikut të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës dhe se ata duhet të kenë strehimore më të sigurta dhe mundësi për arsim.
Në raport vihet në dukje se mega-kampi i Cox’s Bazar është i mbipopulluar ekstremisht ku një person ka një hapësirë të përdorshme 10,7 metër katrorë, ndërkohë që standardi ndërkombëtar i rekomanduar është 45 metra katrorë.
Po ashtu në raportin ku theksohet se për shkak të mbipopullimit rriten edhe mundësitë e sëmundjeve ngjitëse, zjarreve, konflikteve dhe të ngacmimeve seksuale, thuhet se qeveria e Bangladeshit duhet ti vendosë refugjatët muslimanë të Arakanit në kampe më të vegjël dhe më pak të dendur në rajonin Ukhiya.
Bill Frelick, drejtuesi për të drejtat e refugjatëve të Human Rights Watch është shprehur se “Bangladeshi duke pranuar 700 mijë refugjatë Rohingya, me të drejtë ka fituar përgëzimet ndërkombëtare. Por refugjatët ndodhen ende përballë kushteve të vështira. Bangladeshi duhet të regjistrojë refugjatët Rohingya që janë larguar, duhet të sigurojë shërbimin themelor dhe të mjaftueshëm të shëndetësisë dhe arsimit si dhe duhet t’i lejojë që ata të vazhdojnë jetën e tyre jashtë kampit”.
Ndër të tjera në raport i bëhet thirrje Bangladeshit që të heqë dorë nga plani për të transferuar 100 mijë refugjatë muslimanë të Arakanit në ishullin Bhasan Char, dhe theksohet se organizata ka zbuluar 6 zona të përshtatshme në Ukhiya ku mund të vendosen 263 mijë persona.
– Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit
Sipas OKB-së, që nga 25 gushti i vitit 2017, mbi 700 mijë refugjatë Rohingya, pjesa më e madhe gra dhe fëmijë, mbetën të detyruar të largohen nga Arakani në Bangladesh pasi forcat e Mianmarit nisën persekutimin e komunitetit pakicë musliman.
Muslimanët Rohingya, të përshkruar nga OKB-ja si komuniteti pakicë më i rrezikuar në botë, janë përballur me frikë në rritje nga sulme të mundshme, pasi dhjetëra u vranë në ngjarjet e dhunshme në vitin 2012.
OKB-ja ka dokumentuar një numër përdhunimesh, vrasje (përfshirë edhe foshnja dhe fëmijë të vegjël), tortura brutale dhe zhdukje të kryera nga pjesëtarët e forcave të sigurisë. Në raport, hetuesit e OKB-së kanë theksuar se këto shkelje mund të konsiderohen si krim kundër njerëzimit.