-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Fytyra e vërtetë e Universitetit të Prishtinës

Më të lexuarat

I kapur nga politika, i shfrytëzuar si trampolinë nga kjo e fundit për “rekrutimin” e militantëve partiakë (të cilët shpeshherë i kanë shfrytëzuar dy mundësitë magjike në karrierë: atë në politikë dhe atë në arsim), i damkosur nga joprofesionistët përkatësisht plagjiaturat e tyre, pa programe që garantojnë perspektivën për të studentët, ky pra është Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’. Organizata të ndryshme që për mision kanë monitorimin e këtij institucioni arsimor, së fundi kanë vënë në pah disa nga problemet më serioze me të cilat edhe më tutje karakterizohet UP-ja. Gjendja, sipas organizatave në fjalë, mund të jetë edhe më e rëndë, meqë për disa nga problemet nuk është bërë ndonjë studim serioz e gjithëpërfshirës – shkruan Gazeta e Re.
Po i avitet dekadës së pestë të ekzistencës, ndërsa kritikat për mënyrën se si është menaxhuar ky institucion, sidomos pas luftës, përfundojnë te një konkluzion i frikshëm: rënia e cilësisë së mësim-nxënies! Përveç kësaj, trembëdhjetë (13), njësi akademike, nuk prodhojnë kuadro për të cilat ka nevojë tregu vendor dhe aq më pak ai evropian. Por thelbësore mbetet çështja e cilësisë së arsimimit. Kjo sidomos ndërlidhet me faktorin profesor, i cili nuk e ka përgatitjen profesionale të duhur.

Organizata ORCA (Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim), në dhjetor të vitit të kaluar publikoi një raport sipas së cilit, pjesa më e madhe e stafit akademik, nuk i arsyetonte titujt shkencorë, në të cilët thirret. Në këtë raport, ORCA analizoi biografitë dhe të dhënat e tjera të 481 profesorëve, prej të cilëve vetëm <<135 (28%) i justifikojnë titujt sipas kriterit të punimeve shkencore në revista të mirëfillta shkencore. Kurse, 346 (72%) nuk i justifikojnë titujt sipas kriterit të punimeve shkencore në revista të mirëfillta shkencore. Nga 135 profesorë që i justifikojnë titujt 80 janë profesorë asistentë, 37 profesorë të asocuar dhe vetëm 18 profesorë të rregullt. Ndërsa, nga 346 profesorë që nuk i justifikojnë titujt, 84 janë profesorë asistentë, 140 profesorë të asocuar dhe 122 profesorë të rregullt>> – thuhej në raportin e titulluar: Integriteti Akademik i Profesorëve në Universitetin e Prishtinës.

Kjo përqindje e lartë e profesorëve, në fakt, tregonte thellësinë e depërtimit të kapjes nga politika. ADMOVERE (një tjetër organizatë joqeveritare), vetëm pak muaj më herët, kishte nxjerr një konstatim po kaq të frikshëm duke thënë se <<80% e punimeve të stafit akademik, i kanë punimet pa asnjë vlerë shkencore>>.

Përse pra ka ardhur deri këtu?

Sipas Admovere: <<Përzgjedhja e stafit akademik të UP-së, sidomos pas luftës në Kosovë (1998-1999), është bërë kryesisht në baza partiake/klanore/nepotiste/korruptive. Politizimi i jashtëzakonshëm i UP-së është njëra prej të metave që përmendet edhe në Raportet e Progresit të KE-së për Kosovën. Organizata ÇOHU në hulumtimin «Universiteti cullak», i publikuar në dhjetor 2013, konstatoi se një numër i konsiderueshëm i politikanëve (deputetë, ministra, zëvendës-ministra, këshilltarë politikë, drejtorë departamentesh qeveritare, etj.) ose i familjarëve të tyre janë pjesë e stafit akademik në UP. Sipas këtij hulumtimi, politikanët, me theks të veçantë ata nga PDK-ja (Partia Demokratike e Kosovës), kanë ndikuar jo vetëm në rekrutimin e stafit akademik, por edhe në zgjedhjen e organeve udhëheqëse të UP-së.>>

Raportimet për avancime pa kritere ose për shembull për denoncime për plagjiatura, nuk kanë munguar, por ka probleme që nuk janë studiuar si duhet. Sipas një raportit të ADMOVERE, të cilit iu referuam më lartë (i bërë publik në tetorin e vitit të kaluar me titull: ‘Gjendja në UP’), afro 3 milionë euro janë shpenzuar për përkthimin e teksteve universitare, ndërsa shumica e tyre ndodhen nëpër depo. Bibliotekat dhe sallat e leximit janë në gjendje të mjerueshme, po ashtu.

Ndonëse është identifikuar si problem i madh i përhapur në përmasat e një dukurie, për ngacmimin seksual, nuk ka të dhëna të mjaftueshme. ARTPOLIS – Qendra për Art dhe Komunitet, në fillim të vitit 2017 pat publikuar raportin me titull: <<Trajtimi i Ngacmimit Seksual në Universitetet Publike>>. Megjithëse synonte të rrokte gjithë universitetet publike, raporti përqendrohej më tepër te UP-ja. Sipas tij, ndonëse dyshohet që ky problem ka përmasat e një dukurie, denoncimet janë të rralla. Studentët ose studentet, u frikësohen pasojave, duke mos pasur besim në zgjedhjen e çështjeve. Me fjalë të tjera, pikëpyetje të shumta qëndrojnë mbi çështje që lidhen me UP-në. Shpresa e humbur e të rinjve për një perspektivë të qëndrueshme në vend, domosdo ndërlidhet me fytyrën e zymtë të këtij institucioni, i cili për çdo vit, “amortizon” me mijëra të rinj energjikë, të cilët studiojnë në fusha për të cilat e dinë mirë që nuk ua garantojnë të ardhmen.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit