Komuniteti turk në Kosovë, është ngritur në këmbë dhe po kërkon shkarkimin e Gjergj Dedajt nga posti i zëvendësministrit të jashtëm në Qeverinë e Kosovës. Shkak është bërë një status i tij në llogarinë personale në facebook, ku ai ka barazuar Turqinë me Serbinë, si pretenduese ndaj tokave shqiptare. Saktësisht ai është shprehur kësisoj: <<Shtrigat e Ballkanit/ Turqia dhe Serbia, synojnë rikthimin e tyre strategjike në Kosovë, secila përmes emisarëve të tyre, të mbetur nën rrënjët e sundimit shekullor dhe mbetjet e këtyre sundimtarëve të ndyrë, të cilët duhet të çrrënjosen nga Kosova dhe trojet e Gjergj Kastriotit!>>. Duket që këso reagimesh që karakterizohen nga urrejtja për ‘turko-arabët’, siç u referohet ai ndonjëherë turqve dhe Turqisë, i ka të shpeshta, mjafton të vizitohet profili i tij në facebook dhe kjo do të bëhet e qartë – shkruan Gazeta e Re.
Duket që çdo i dyti status i tij, ka karakter të tillë. Siç shprehet në njërin nga postimet që mbanë datën e 22 korrikut të këtij viti, interesat e shqiptarëve rrezikohen nga <<turko arabët, serbo rusët>>, duke i barasvlerësuar kësisoj turqit, serbët, rusët e arabët me njëri tjetrin si “armiq” mitikë të interesave të shqiptarëve. Por reagimi i komunitetit turk, ka ardhur vetëm pas këtij të fundit, i bërë vetëm para dy ditësh. Fikrim Damka nga radhët e partisë turke KDTP, bashkë me disa pjesëtarë të tjerë turq, ka kërkuar nga Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj që ta shkarkojë Dedajn, duke thënë për këtë të fundit se e ka kaluar çdo kufi. Ai ka kërcënuar se po qe se nuk merret parasysh kjo, kryeministri i nuk do t’i ketë të sigurta votat e GP 6+.
Por sot qeveria është distancuar nga qëndrimet e tilla raciste, të cilat sanksionohen jo vetëm me normat ligjore në vend, por edhe në Bashkimin Evropian e Amerikë, vende me të cilat synon të identifikohet kulturalisht zëvendëskryeministri kontrovers.
<<Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh qëndrim se, deklarimet mediale që kanë përmbajtje gjuhën fyese ndaj Republikës së Turqisë, nga kushdo qofshin, janë të papranueshme dhe nuk paraqesin politikën zyrtare të Qeverisë Haradinaj, as kur ato thuhen nga ndonjë zyrtar i kësaj qeverie apo kushdoqoftë tjetër>> – thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.
“Efekti i Dedaj” ka provokuar rëndë shumë qytetarë, të cilët e lidhin racizmin e tij me islamin. Gazetari Fehmi Maloku mendon që ai do të duhej të shkarkohej prej kohësh, për një mori arsyesh të tjera. Për Gazeta e Re ai tha se:
<<Gjuha raciste e “diplomatit” Gjergj Dedaj! Ka qenë shumë e shprehur qysh moti. U bë bajat tashmë – tepër shumë, gjuha e egër dhe e shfrenuar e Zv/ Ministrit të Jashtëm, d.m.th “Diplomatit” Dedaj! Ai ka një disponim shumë të theksuar në nxitje të urrejtjes sidomos kundër shtetit mik tonit – Turqisë, dhe burimi kryesor i kësaj nxitje është elementi fetar (Islam) i Turqisë, po edhe raca e tyre ndaj së cilës racë, “diplomati” shumë shpesh, shpreh përbuzje dhe urrejtje, pra shpreh racizëm të hapur!. Gjergji ia ka huq keq, kur nga pozita e Zv/Ministrit të Jashtëm, thuajse s’ka punë tjera (!) del ne FB tërë kohën dhe ‘shet mend” se ai- vetëm ai-, si katolik, është shqiptar i mirë, ndërsa ne të tjerët, pavarësisht se çka kemi bërë, e çka mund të bëjmë, meqë jemi muslimanë, dhe meqë i duam edhe vendet tjera aleate, nuk mund të jemi kurrsesi shqiptarë të mirë, sepse jemi muslimanë dhe i respektojmë “azatikët” a “mongolët” muslimanë. Nuk guxojmë, pra as ne – sa ta kemi “diplomatin” këtu t’i duam aleatët nëse janë me racë aziatike a mongole, dhe, sidomos- nëse janë me e besim islam, sepse po guxuam t’i duam ata, Gjergj “diplomati” është dro që jep dorëheqje të menjëhershme nga qeveria!. Dhe pastaj, mund të merret me mend se çka do ndodh me neve, nëse Gjergji hiqet nga qeveria, as qentë nuk na hanë më! Kuku nanë – e vaj halli. -Shpresoj që të mos ndodh që Gjergji të ikë nga qeveria, veç nëse kjo ndodh, lutem së paku të mos i marrë me vete edhe ato pajisjet e shtrejta-llaptopin e telefonin zyrtarë, siç i kishte marrë në mandatin e kaluar në një ministri tjetër ku kishte “dhënë kontribut” të madh!>> – përfundon duke ironizuar Maloku.
Pra është evidente që racizmi i Dedajt ka qenë krejt i hapur dhe kjo shihet më së miri nga postimet e kohëve të fundit:
Duket qartë që komuniteti turk ka bazë të mjaftueshme, të kërkojë llogari nga qeveria dhe instancat e tjera relevante, që ky racizëm kaq i hapur, të mos mbetet i pandëshkuar.