Turqia është një partnere e rëndësishme për Gjermaninë dhe Kancelarja Angela Merkel është e interesuar të takojë Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, njoftoi të hënën një zëdhënëse e Berlinit zyrtar…
Turqia është një partnere e rëndësishme për Gjermaninë dhe Kancelarja Angela Merkel është e interesuar të takojë Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, njoftoi të hënën një zëdhënëse e Berlinit zyrtar.
Kjo deklaratë erdhi pasi ligjvënësit opozitarë kritikuan ftesën zyrtare të Gjermanisë për një vizitë në vjeshtë të Erdoganit, i cili fitoi zgjedhjet historike të Turqisë muajin e kaluar.
“Ne jemi gjithmonë të interesuar për bisedimet me Turqinë, e cila është një partnere e afërt dhe e rëndësishme për ne në shumë fusha”, tha ndihmëszëdhënësja e qeverisë gjermane, Ulrike Demmer, në një konferencë shtypi në Berlin, duke shtuar se Merkeli është gjithashtu e interesuar të takojë Erdoganin.
E përditshmja gjermane, “Bild”, bëri me dije të shtunën se Presidenti Frank-Walter Steinmeier kishte ftuar homologun e tij, Erdogan, që të bënte një vizitë shtetërore në fund të shtatorit.
“Erdogani do të jetë i mirëpritur me ceremoni e nderime ushtarake në Pallatin Presidencial gjerman dhe gjatë vizitës së tij ai do t’u drejtohet po ashtu anëtarëve të komunitetit turk”, njoftoi gazeta.
Krahas Presidentit Steinmeier, i cili mban një pozitë kryesisht ceremoniale, është planifikuar gjithashtu që Erdogani të takohet edhe me Kancelaren Angela Merkel për të diskutuar marrëdhëniet bilaterale dhe çështjet ndërkombëtare.
Ndërkaq, kritikat e ligjvënësve opozitarë i ka hedhur poshtë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, i cili mbrojti vendimin e Presidentit Steinmeier për të ftuar Erdoganin.
I pyetur “nëse i mbështeste apo jo kritikat rreth vizitës së ardhshme dhe pritjes me ceremoni shtetërore të Erdoganit në Gjermani”, Heiko Maas u përgjigj me një “jo” të prerë.
“Sigurisht, unë mendoj dhe besoj se një person i zgjedhur në krye të një shteti duhet të pritet siç e meriton dhe kjo është ajo çfarë ka bërë presidenti”, tha ai në një konferencë të përbashkët shtypi në Berlin me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, duke shtuar se “është veçanërisht e rëndësishme të flasësh me dikë, me të cilin ke shumë çështje të pazgjidhura”.
Zyra e Presidentit të Gjermanisë konfirmoi të hënën, pa dhënë asnjë datë, se Berlini i ka dërguar Erdoganit një ftesë zyrtare për një vizitë shtetërore.
“Një datë e saktë për vizitën ende nuk është caktuar”, tha një zëdhënëse për mediat lokale.
Vizita zyrtare e fundit në Berlin e Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka qenë ajo në shkurt të vitit 2014.
Marrëdhëniet politike ndërmjet Turqisë dhe Gjermanisë kanë pësuar disa pengesa në vitet e fundit, por të dyja palët kanë ndërmarrë në javët e fundit hapa drejt normalizimit të raporteve.