Qeveria e Izraelit ka liruar “palestinezen e guximshme”, fituese e “Çmimit të Guximit Handhala”, Ahed et-Temimi (17) si dhe nënën e saj
RAMALLAH (AA) – Qeveria e Izraelit ka liruar “palestinezen e guximshme”, fituese e “Çmimit të Guximit Handhala”, Ahed et-Temimi (17) si dhe nënën e saj, raporton Anadolu Agency (AA).
Temimi dhe nëna e saj Neriman u liruan sot në mëngjes, në hyrje të qytezës Nebi Salih, që ndodhet pranë qytetit Ramallah të Bregut Perëndimor nën pushtim.
Temimi më 21 mars ishte dënuar me 8 muaj burgim.
Çfarë kishte ndodhur?
Ushtarët e Izraelit më 19 dhjetor të vitit 2017 arrestuan Temimin, pas një bastisjeje ndaj shtëpisë së saj në Ramallah ku jetonte së bashku me familjen. Ndërkaq edhe nëna e saj Neriman ishte ndaluar nga ushtarët izraelitë në njësinë e paraburgimit në lindje të Ramallahut, pasiqë kishte shkuar të marrë informacione në lidhje me vajzën e saj.
Arrestimi i saj ndodhi pasi mediat izraelite publikuan pamje teksa Ahed e godiste me shuplakë një ushtar izraelit i cili kishte hyrë me forcë në oborrin e shtëpisë së saj në Nebi Salih, në afërsi të qytetit Ramallah në Bregun Perëndimor të okupuar. Ajo akuzohej për “sulm” ndaj ushtarëve izralitë.
Ahed, e cila njihet si “guximtarja palestineze”, në vitin 2012 në Stamboll ishte shpërblyer me çmimin për kurajo Handhala, për qëndrimin e saj të guximshën ndaj ushtarëve izraelitë derisa ata po arrestonin vëllain e saj.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në atë kohë kryeministër, u takua personalisht me vajzën palestineze për të shprehur admirimin e tij për trimërinë e saj.