“Özil deri më tani ka bërë shumë për Gjermaninë. Unë i jap të drejtë Özil-it por Federata Gjermane e Futbollit duhet ta ndryshojë këtë politikë”, tha Radinson
KËLN (AA) – MESUT ZEYREK
Futbolldashësit gjermanë janë shumë të pikëlluar për shkak se futbollisti me origjinë turke, Mesut Özil braktisi kombëtaren e Gjermanisë, i cili dje bëri të ditur se për shkak të sulmeve raciste është larguar nga ekipi kombëtar gjerman, shkruan Anadolu Agency (AA).
Tifozët nëpër rrugët e Këlnit në deklaratat për AA, janë shprehur se Özil, i cili nga viti 2009 e deri më tani ka luajtur në 92 ndeshje dhe ka shënuar 23 gola me kombëtaren gjermane, ka bërë shumë gjëra për këtë kombëtare, duke i dhënë mbështetje të plotë futbollistit gjerman me prejardhje turke.
Sabine Baier e cila punon si asistente e mjekut në Këln tha se është e pikëlluar shumë nga largimi i Mesut Özil-it nga kombëtarja, duke shtuar se nuk mund t’i kuptojë kritikat e panevojshme ndaj tij.
Ajo tha se Özil është një futbollist shumë i mirë. “Mesut ka bërë gjëra shumë të mira për ne. Ndjej një pikëllim të madh që tanimë nuk luan për ne”, tha Baier.
Andre Müller, student në Universitetin e Këlnit tha se po e ndjek çështjen nga mediat. “Ndjej një pikëllim të madh për largimin e Özil-it nga kombëtarja por e kuptoj atë sepse janë shkruar gjëra shumë negative dhe të padrejta ndaj tij. Besoj se i gjithë ekipi gjerman është prapa tij”, thotë ai.
– “Ai është një yll botëror”
Palmi Vanda, i cili jeton në Kassel dhe është me prejardhje nga Uganda tha se ashtu si në gjithë botën edhe në Afrikë, Mesut Özil është një yll i madh dhe se është shumë i dashur.
“Fëmijës tim ia kam blerë fanellën e Özil-it. Ai që nga e kaluara gjithmonë luan një futboll të mirë. Ashtu si Zidane, Maradona edhe Mesut Özil është një emër i madh dhe gjithkush e njeh atë”, tha Vanda.
Mura Radinson me prejardhje nga Maroku tha se Özil ka marrë një vendim shumë të mirë duke u larguar nga kombëtarja pas një presioni kaq të madh.
“Faturën e eliminimit nga Kampionati Botëror ia mveshën Özilit por kombëtarja gjermane luajti keq dhe u eliminua. Gjermanët e akuzojnë atë sepse është turk dhe kjo është një gjendje e rëndë për të. Özil deri më tani ka bërë shumë për Gjermaninë. Unë i jap të drejtë Özil-it por Federata Gjermane e Futbollit duhet ta ndryshojë këtë politikë”, tha Radinson.
– “Kritikat dhe debatat janë të pavend”
Joel Blume i cili jeton në Këln tha se “Jetojmë në një shtet demokratik dhe vendimi i Özil-it është punë e tij. Ai është një futbollist shumë i madh dhe mediat po i bëjnë shumë presion. Të gjithë janë të lirë në mendimet e tyre. Edhe Mesut Özil mund të bëjë atë që do”.
Ndërsa futbolldashësi Daniel Ruriç tha se kritikat dhe debatet ndaj Özil-it janë të pavend. “I bënë presion nga gjithkund dhe detyruan që Mesut Özil të dorëhiqet. E akuzuan atë kur humbi ekipi dhe kjo më duket shumë qesharake”, tha ai.
Kujtojmë se futbollisti gjerman me origjinë turke Mesut Özil braktisi kombëtaren e Gjermanisë për shkak të sulmeve raciste dhe presionit pas dështimit të Gjermanisë në Botërorin “Rusi 2018”.