0.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Koment – Gjenocidi i Srebrenicës I

Më të lexuarat

Më 11 korrik 1995 serbët arritën të hyjnë në Srebrenicë si pasojë e pasivitetit të batalionit holandez me detyrë garantimin e sigurisë së qytetit sipas rezolutave të OKB-së duke i hapur rrugën kështu një gjenocidi të paparë në kontinentin evropian pas L2B

-Nga Dr. Erhan TÜRBEDAR*

Çdo vit në prag të korrikut vjen në rend të ditës masakra e Srebrenicës, në të cilën u vranë më shumë se 8.000 boshnjakë civilë. Gjatë viteve të Luftës së Bosnjës Srebrenica ka qenë një qytet i shpallur nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara si një zonë e sigurt për mbrojtjen e boshnjakëve civilë nga UNPROFOR (Forca Mbrojtëse e Kombeve të Bashkuara-United Nations Protection Force). Por megjithëkëtë më 11 korrik 1995 qyteti ra në duart e ushtrisë së serbëve të Bosnjës, e cila komandohej nga Ratko Mlladiç. Brenda pak ditëve nga kjo ngjarje u masakruan më shumë se 8.000 civilë, duke u kryer kështu një gjenocid që nuk ishte parë në kontinentin e Evropës që pas Luftës së Dytë Botërore. Kombet e Bashkuara, të cilat nuk morën masa të mjaftueshme për të mbrojtur zonën e sigurt, nuk ndërhynë për të parandaluar tragjedinë që ndodhi në Srebrenicë.

Srebrenica është një qytet i vogël që ndodhet në lindje të Bosnjës. Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 1991, numri i banorëve që jetonin brenda në Srebrenicë ishte gjashtë mijë, kurse numri i banorëve të regjistruar në Bashkinë e Srebrenicës ishte 36.666. Sipas të dhënave të njëjtit regjistrim, 75,2 për qind e popullsisë së Srebrenicës ishte boshnjake dhe 22,7 për qind ishin me origjinë serbe. Sot, numri i boshnjakëve në këtë qytet është 7.250 banorë.

Kur Këshilli i Ministrave të Komunitetit Europian njohu pavarësinë e Bosnjës-Hercegovinës më 6 prill 1992, u ndez edhe Lufta e Bosnjës. Në pranverën e vitit 1992, të gjitha qytetet kryesore në lindje të Bosnjës u sulmuan nga serbët e Bosnjës dhe shumica dërrmuese e tyre kaloi nën kontrollin e serbëve. Kontrolli i qyteteve të tilla si Foça, Çayniçe, Vishegrad, Zvornik, Biyelina, Brodi Boshnjak dhe Derventa u mor shumë shpejt nga serbët e Bosnjës, të cilët deri në maj të vitit 1992 kishin marrë 60 për qind të territorit të vendit.

Më 18 prill 1992, serbi Jelko Rajnatoviq, i njohur me pseudonimin “Arkan”, bashkë me grupin e vet paraushtarak, arriti të merrte Srebrenicën. Por boshnjakët e Srebrenicës, të organizuar nën udhëheqjen e Naser Oriçit në malet përreth qytetit, kaluan në kundërsulm dhe pas tri ditëve e rimorën qytetin. Pas kësaj, serbët në mënyrë të përsëritur u përpoqën të merrnin Srebrenicën, por nuk mundën të bënim më shumë se sa ta mbanin qytetit nën rrethim. Ndërkohë, boshnjakët e tjerë që iknin nga sulmet serbe u dyndën në Srebrenicë dhe popullsia e qytetit u rrit në rreth 40.000.

Me qëllim për t’i lënë boshnjakët në një situatë të vështirë, serbët penguan hyrjen në qyet të ndihmave të Kombeve të Bashkuara me ushqime dhe ilaçe. Ndërkohë Kombet e Bashkuara nuk reaguan ndaj kësaj situate. I vetmi vend që dërgoi ndihma me ushqime ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), të cilat me urdhër të Presidentit Clinton hodhën ushqime nga ajri me parashutë. Gjatë periudhës mars-qershor 1993 në rajonin e Srebrenicës ishin hedhur nga ajri rreth 1.900 ton ushqime dhe ilaçe. Por edhe kjo ndihmë nuk ishte e mjaftueshme. Hera herës Oriçit i duhej të plaçkiste fshatrat serbe përreth për të siguruar ushqimin e nevojshëm për boshnjakët që ishin grumbulluar në Srebrenicë. Në vitet e pasluftës Oriçi u gjykua në Gjykata me akuzën se gjatë këtyre veprimeve ai kishte kryer krime lufte, por ishte shpallur i pafajshëm.

Që nga marsi i vitit 1993, serbët e Bosnjës filluan veprime më të planifikuara dhe të dhunshme për të marrë Srebrenicën. Si pasojë e kësaj, më 16 prill 1993, Srebrenica ishte nën një rrethim të plotë serb. Ishte paraparë që në fillim se në rast të rënies së Srebrenicës në duart e serbëve do të ndodhte një tragjedi e madhe njerëzore. Philippe Morillon, komandanti me orgjinë franceze i UNPROFOR-it, u alarmua nga situata dhe arriti ti bindë serbët me nismat e tij diplomatike dhe më 11 mars 1993 ai hyri në Srebrenicë. Kështu, për një kohë të shkurtër, u arrit një marrëveshje e përkohshme armëpushimi midis palëve të përfshira në konflikt. Me qëllim për të vendosur një kontroll më të rreptë mbi situatën, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS i OKB-së) me rezolutën Nr.819 që miratoi në datën 16 prill 1993 e shpalli Srebrenicën një zonë të sigurt e të mbrojtur nga OKB-ja. Por së shpejti do të kuptohej që kjo zonë nuk kishte qenë e sigurt.

Pas shpalljes së Srebrenicës si zonë të sigurt, UNPROFOR-i filloi mbledhjen e armëve që kishin boshnjakët me arsyetimin se sigurinë atyre tani do t’ua garantonte misioni i OKB-së. Kështu boshnjakët po liheshin gjithnjë e më të pambrojtur. Të gjitha vendet perëndimore kishin rezerva lidhur me dërgimin e trupave të tyre në zonën e sigurt të Srebrenicës. Vendi i parë që e pranoi këtë ishte Kanadaja, e cila më 17 prill 1993 dërgoi në Srebrenicë një kontingjent me 143 ushtarë. Vetëm se arma më e fuqishme që kishin sjellë me vete trupat kanadeze ishte pushka automatike. Si rrjedhim, as numri i trupave të UNPROFOR-it, as armët që kishin këto trupa nuk ishin të mjaftueshme për të garantuar sigurinë në Srebrenicë. Pas përfundimit të misionit kanadez, më 3 mars 1994, detyrën e batalionit kanadez e mori zyrtarisht në dorëzim Holanda me rreth 570 ushtarë.

Për shkak të vazhdimit të sulmeve serbe në zonat e sigurta, Këshilli i Sigurimit i OKB-së më 4 qershor 1993 miratoi rezolutën Nr.836, me të cilën i zgjeroi kompetencat e UNPROFOR-it duke bërë ndryshime shtesë në lidhje me zonat e sigurta. UNPROFOR-i ishte autorizuar për të marrë masat paraprake të nevojshme përballë sulmeve ndaj zonës së sigurt dhe rrethinave duke përfshirë edhe përdorimin e forcës. UNPROFOR madje mund të kërkonte edhe mbështetje ajrore nëse do të ishte e nevojshme.

Serbët vazhdimisht bllokonin punën e batalionit holandez në Srebrenicë. Gjithashtu, armëpushimi herë pas here shkelej. Me kërkesë të UNPROFOR-it, në nëntor të vitit 1994 aeroplani i NATO-s bombardoi simbolikisht pozicionet serbe. Pas kësaj, për të penguar sulmet ajrore komandanti serb Ratko Mlladiç mori peng 70 ushtarë holandezë. Këta ushtarë u liruan gjashtë ditë më vonë falë trafikut të dendur diplomatik.

Brenda vitit 1995 serbët nuk kishin lejuar të kalonte asnjë lloj kamioni, kështu që ushtarët holandezë filluan të sëmuren si pasojë e kequshqyerjes. Në maj të 1995-ës tensioni midis batalionit holandez dhe serbëve u përshkallëzua shumë dhe serbët filluan të hapnin zjarr kundër disa postblloqeve të trupave të UNPROFOR me qëllim për ti frikësuar ata.

Më 6 korrik 1995 serbët kaluan në mësymje të plotë kundër Srebrenicës. Në këtë sulm, rreth 30 ushtarë holandezë u morën peng nga serbët. Përkundër kësaj, komandanti i batalionit holandez nuk kërkoi mbështetje ajrore bazuar në rezolutën nr.836. Me fjalë të tjera, batalioni holandez veproi me pasivitet. Mbështetja ajrore u kërkua një ditë përpara se Srebrenica të binte në duart e forcave të armatosura të Ratko Mlladiçit.

Më pas, u bënë dy sulme ajrore simbolike kundër pozicioneve serbe. Serbët e Bosnjës dërguan një ultimatum dhe kërkuan ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve ajrore. Serbët, të cilët thanë se do ti vrisnin ushtarët holandezë që i mbanin peng, paralajmëruan se do të hapnin zjarr kundër ushtarëve të mbetur të UNPROFOR-it dhe refugjatëve në Srebrenicë. Pas këtij ultimatumi të serbëve Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Bosnjë kërkoi anulimin e sulmeve ajrore. Kështu, më 11 korrik 1995 serbët arritën të hyjnë në Srebrenicë dhe 11 korriku në kujtesë u skalit si simboli i një gjenocidi të tmerrshëm.

*Ekspert i çështjeve të Ballkanit

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ, Përgjegjës i Redaksisë së Gjuhës Shqipe pranë Radio “Zëri i Turqisë”, Departamenti i Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit