2.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Rihapen polemikat brenda Kishës Ortodokse, kleriku nga Kanadaja: Janullatos ka anuluar rregulloren e KOSH-it

Më të lexuarat

Rihapet debati brenda Kishës Ortodokse disa muaj pas marrjes së shtetësisë shqiptare nga Kryepeshkopi Anastas Janullatos.

Një nga kritizerët e rinj të drejtimit të KOSH-it, At Foto Cici, me origjinë nga fshatrat e Bregut dhe klerik që e ushtron aktivitetin në Kanada, ka akuzuar Janullatosin se ka shfuqizuar Rregulloren, që është edhe dokumenti themelor i një prej komuniteteve kryesore fetare në vend.

Në një postim të gjatë, At Foto Cici shkruan:

Kam pyetur rreth dhjetë klerikë ortodoksë në Shqipëri, se përse Kryepeshkopata nuk e publikon Rregulloren e brendshme të Kishës, por përgjigjja është e natyrës habitore: “Çfarë rregulloreje? Nuk kemi rregullore të brendshme”. Vërtet, nëse ekzistonte, a nuk duhet të ishte shkruar diçka këta 27 vjet?

Dhe megjithatë, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka pasur Rregullore qysh në themelim të saj! Menjëherë mbas Statutit të vitit 1929, doli “Rregullorja e administrimit të përgjithshëm të Kishës”, të cilin mund ta shfletoni në bibliotekën tonë:

http://albanianorthodox.com/rregullorja-e-administrimit-te…/

Po kështu dhe mbas Statutit të vitit 1950, kemi “Rregullore mbi administrimin e përgjithshëm të KOASh-it, të cilën mund ta lexoni në të njëjtën faqe:

http://albanianorthodox.com/rregullore-mbi-administrimin-e…/

Rregulloret e brendshme janë të domosdoshme për çdo institucion, duke përfshirë edhe ata kishtarë, prandaj dhe të gjitha patrikanat dhe kishat autoqefale kanë rregullore me nene e udhëzime të imta, të cilat mbrojnë dhe ruajnë integritetin e së drejtës kanunore. Rregulloret garantojnë mbarëvajtjen e Kishës, duke kontrolluar vullnetin dhe pasionet njerëzore, për të shmangur rrëshqitjet, shkeljet, kultin e individit dhe abuzimet.

Për të kuptuar se sa të domosdoshme janë rregulloret kishtare, po citoj vetëm një nyje nga Rregullorja e vitit 1955:

“Kryepiskopi dhe antarët e Sinodhit, për shkak sëmundjeje kronike ose pleqërije, të cilat nuk u përmetojnë të përmbushin detyrat e tyre, kanë të drejtë t’i paraqesin kanonikisht dhe me të shkrojtur dorëheqjen e tyre Sinodhit të Shënjtë. Sinodi i Shënjtë ka të drejtë të shkarkojë nga detyra Kryepiskopin, sinodhikët, ose çdo klerik tjetër, kur konstaton se për shkak sëmundjeje kronike ose pleqërije, këta nuk janë në gjëndje të përmbushin detyrat e tyre. Paaftësija në punë provohet kurdoherë me raport mjekësor” (Neni 36).

Vlen të thuhet se Kryepeshkopi Anastasios Janullatos pranoi Statutin e vitit 1950, pikërisht se ai lejonte që një shtetas i huaj të kryesonte KOASh-in, por nuk pranon Rregulloren e të njëjtit sinod.

Kjo vërtetohet lehtë me ndryshimet statutore që Kryepeshkopi bëri në vitin 1996, të cilat iu shtuan statutit të kaluar atëherë, duke i integruar madje në të njëjtin dokument, të cilin mund ta shfletoni në faqen tonë:

http://albanianorthodox.com/statuti-i-koash-it-1950-me-sht…/

Kur Kryepeshkopi Anastas u pyet dikur për këtë temë, ai u përgjigj me krenari dhe me plot gojën: “Unë jam Rregullorja!” Dhe sigurisht, ai ka aq pushtet ekonomik dhe politik për të bërë ligjin dhe heshtjen bashkë në Kishë.

Një shkelje e tillë kanonike dhe ligjore, veçse, siç është shfuqizimi i Rregullores së KOASh-it, nuk ka bërë vaki në asnjë kishë autoqefale, asgjëkundi në botën ortodokse!

Edhe pse Sinodi i KOASh-it nuk flet, se është i kompromentuar dhe bashkëfajtor, edhe pse shumica e komunitetit ortodoks në Shqipëri e pranon një gjendje të tillë të sëmurë dhe antikanonike, për arsye ekonomike, politike dhe psikologjike, kjo nuk ka fare fuqi eklisiologjike dhe qytetare për të na kyçur gojën. Përkundrazi, dorëzimi dhe zhytja e KOASh-it në herezinë e anastasizmit, ku vullneti i Njëshit është mbi të drejtën kanonike të Kishës Ortodokse, na detyron dhe na shtrëngon të dëshmojmë dhe të kallëzojmë!

Lutemi që Kryepeshkopi të reflektojë dhe të pendohet për gabimet dhe shkeljet që ka bërë, dhe të gjejë dritë e fuqi për t’i ndrequr ato, duke e nisur me rrëzimin e afreskut satanik “Zbritja nga qielli e Kryepiskopit Anastas” në kishën “Lindja e Krishtit” në Tiranë!

Nëse kryepeshkopi i rivendos integritetin Ortodoksisë në Shqipëri, atëherë edhe vepra e tij ndërtimore do të pranohet edhe nga Kisha dhe Shqipëria e ardhmërisë, jo vetëm nga një farë nevojtarësh dhe idhujtarësh sot. Përndryshe, le të vazhdojë të ngushëllohet e të përkëdhelet nga sanço-pançot, spiunët dhe interesaxhinjtë që i vijnë rrotull si korbi kufomës!

Në fakt, Cici prej disa muajsh ka publikuar një foto ku bën të ditur se Kryepeshkopi Anastas është përjetësuar në një afresk në muret e Katedrales Ortodokse në Tiranë, ndërkohë që ka akuzuar shumë klerikë për sjellje jo etike.

Por kritikat e Cicit nuk janë pranuar nga autoritetet e KOSH-it. Spiro Katundi, një klerik i rëndësishëm në Korçë, ka deklaruar se Foto Cici nuk është gjë tjetër veçse një “pseudoprift që është zhveshur nga të gjitha kompetencat prej autoriteteve amerikane”. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit