Gjatë Luftës II Botërore nazistët rrëmbyen nga Polonia rreth 200.000 fëmijë që i “gjermanizuan”. Sot ata kërkojnë të njihen si viktima.
Nga Monika Sieradzka
Në fillim të vitit 1938, drejtuesi i trupave SS Heinrich Himmler deklaroi: “Unë kam vërtet synimin të shkoj e të marr, të grabis dhe të vjedh gjakun gjermanik kudo që të mundem”. Si rezultat në vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore të pushtuara nga Gjermania e Hitlerit, trupat naziste rrëmbyen nga prindërit e tyre fëmijë ose i morën nga jetimoret dhe i sollën në Gjermani.
Më pas ata i vendosnin në strehimore që i përkisnin shoqatës së SS “Lebensborn” ku i “gjermanizonin” me metoda brutale. Shoqata “Lebensborn” i ka falsifikuar gjithashtu emrat dhe i ka paraqitur fëmijët e rrëmbyer si “fëmijë lindorë”. Pra, të vërtetën nuk e dinë as familjet gjermane që i morën në kujdestari këta fëmijë. Ata duhet të kujtonin se ata ishin fëmijë jetimë gjermanësh etnikë nga territoret e pushtuara.
Njëri nga këta është, Hermann Lüdeking, inxhinier në pension nga Bad Dyrrhajmi. Atë e rrëmbyen si fëmijë në vitin 1942 nga Polonia. Ai thotë se nuk e di se cilët janë prindërit e tij. Hermann Lüdeking ngriti padi që të njihet si viktimë e nazizmit duke kërkuar për këtë dëmshpërblim. Ai thotë se nuk e ka hallin te dëmshpërblimi, por që shoqëria të marrë vesh edhe për këtë lloj padrejtësie të nazistëve.
Jo “inferiorë” por “superiorë”
Por Gjykata Administrative e Këlnit e hodhi poshtë këtë kërkesë. Sipas gjyqtarëve paditësi kishte pesuar dëm të madh për shkak të “gjermanizimit” me forcë, por e hodhi poshtë kërkesën e tij, sepse “fëmijët e grabitur” deri tani nuk kanë marrë asnjë lloj dëmshpërblimi dhe gjykata nuk mund ta zgjerojë grupin e viktimave të të padrejtësive të nazizmit.
Gjermania u paguan një lloj pensioni ndihme atyre njerëzve ndaj të cilëve regjimit nazist ka mbajtur qëndrim armiqësor për shkak të sjelljeve të tyre shoqërore, preferencave seksuale apo për shkak të aftësive të kufizuara mendore.
Njerëz të tillë si homoseksualët apo personat me aftësi të kufizuara mendore konsideroheshin prej nazistëve si “material njerëzor me vlerë të ulët” si qenie inferiore dhe përndiqeshin për shkak të këtyre cilëve. Kurse në rastin e fëmijëve të grabitur, ata sipas ideologjisë naziste konsideroheshin si “superiorë” dhe janë grabitur me qëllimin për të forcuar “racën ariane”.
Edhe Ministria Gjermane e Financave si edhe Komisioni për Peticionet pranë Bundestagut e kanë hedhur poshtë njohjen si viktima të fëmijëve të grabitur, sepse e konsiderojnë rastin e tyre si pasojë të fateve të luftës.
Hermann Lüdeking dhe shoqata “Fëmijët e grabitur – viktima të harruara” do të ngrenë padi ndaj vendimit të Gjykatës së Këlnit./dw/