Gjykata Kushtetuese mori sot vendim lidhur me ankesën e bërë nga Lëvizja Vetëvendosje për vendimin e qeverisë për ngritjen e pagave.
Kushtetuesja tashmë ka lënë në fuqi vendimin e qeverisë për pagat, duke hedhë poshtë ankesën e Vetëvendosjes.
Në bazë të kësaj, pagat në Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga Haradinaj, do të kenë rritje.
Ndërkohë në bazë të këtij njoftimi tashmë kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj nga paga e tij 1 mijë e 443 euro e 20 cent do të paguhet me 2 mijë e 950 euro në muaj, rritje kjo për 100 përqind, shkruan Indeksonline.
Por rritja e pagës së Haradinajt nuk do të jetë e vetmja pasi rritje të pagave do të ketë edhe për vartësit e tij.
Me nga 2 mijë e 500 euro do të paguhen zëvendëskryeministrat kurse më herët këta të fundit janë paguar 1 mijë e 356 euro e 30 cent.Ministrat nga pagat që kishin në muaj, 1 mijë e 270 euro e 50 cent tani e tutje do të paguhen me një shumë prej 2 mije eurove në muaj.
Përpos të lartcekurve, pagat do t’u rriten edhe këshilltarëve të lartë.
Këshilltarët e lartë deri më tani janë paguar 693 euro por që tani e tutje do të paguhen me 1 mijë e 340 euro.
Kurse këshilltari politik i ministrit tash e tutje do të paguhet 800 euro bruto nga 577.50 euro bruto sa paguhej deri më tani.
Ndërkohë janë edhe asistentët dhe shoferët që do të gëzojnë paga të larta. Asistenti i Lartë i Kryeministrit tash e tutje do të ketë pagë prej 970 euro kurse ai i ministrit do të paguhet prej 400 euro nga 507.44 euro sa e kishte më parë.
Rritje page do të ketë edhe për shoferët. Nga 348.56 euro sa paguheshin më parë, tani e tutje ata do të paguhen me 580 euro.
Vendimi për rritjen e pagave në qeverinë Haradinaj ishte marrë në dhjetor të vitit të kaluar por që zbatim nuk ka gjetur deri tani kur Gjykata Kushtetuese bëri publik vendimin e marrë në këtë rast./Indeksonline/