Pavarësisht kundërshtive të mëdha, BE duket e përgatitur t’i japë dritën jeshile kultivimit të një lloji të ri misri, të modifikuar gjenetikisht.
Për Komisionin Europian, varieteti i quajtur “Pionier 1507” është më se i sigurt, dhe vendimi përfundimtar i takon pikërisht ekzekutivit të bllokut.
Edhe pse shumica e shteteve anëtare i kundërvihen një hapi të tillë, vota e tyre nuk mjafton për ta bllokuar miratimin e kulturave të modifikuara gjenetikisht, autorizimi i të cilave, sipas rregullave të BE-së, varet vetëm nga Komisioni.
Aktualisht, në Bashkimin Europian kultivohet vetëm një tjetër bimë e kësaj natyre, edhe ajo varietet misri.
Në të gjithë kontinentin e vjetër, ekziston një frikë e hershme se organizmat e modifikuar gjenetikisht bartin rreziqe potenciale për shëndetin e njeriut dhe për kafshët.
Ato kundërshtohen me forcë, si nga publiku, ashtu dhe nga grupet ambientaliste, por në Shtetet e Bashkuara, Amerikën e Jugut dhe Azi, kultivohen në masë.
OMGJ-të krijohen në laboratore për të qenë rezistentë ndaj parazitëve apo herbicideve.
“Pioneer 1507”, prodhim i gjigantit amerikan “Dupont-Pioneer”, është rezistent ndaj insekteve të dëmshme. Ai prodhon një pesticid toksik, të njohur si “Bt”, dhe i bën ballë herbicidit “glufosinate ammonium”.
Autoriteti Europian për Sigurinë e Ushqimit (EFSA), në vitin 2011, pati deklaruar se toksina “Bt” mund të jetë e dëmshme për fluturat dhe molet. / Top Channel/kohaislame