0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Jeta e natës në Prizren gjatë muajit Ramazan

Më të lexuarat

Iftaret e Prizrenit organizohen sipas një karakteristike të veçantë saqë jo rrallë shumë qytetarë jashtë Kosovës vijnë për të bërë iftare këtu me familje, në këtë qytet. Tashmë shumë restorante tradicionalisht organizojnë edhe iftare tradicionale, me pitalka karakteristike, të cilat gatuhen si të tilla pothuajse vetëm në Prizren dhe kanë shije krejtësisht të veçantë.

Tradita e iftareve të Prizrenit është bërë karakteristikë e të gjitha trojeve shqiptare. Shumë prizrenas kursimet njëvjeçare i ruajnë që në këtë muaj të bëjnë sa më shumë sofrën të begatë.

Plaka Selvete Gashi tregon për Kosova Sot se iftaret në Prizren po rikthehen ashtu sikurse që bëheshin kur ishte fëmijë.

“Nga atëherë mbaj mend se iftaret këtu i bënin me gazmend dhe mezi pritnim që të vinte ky muaj. Ngase atëherë s’kemi pasur si tani shumë të mira. Por, për Ramazan i kursenim edhe atëherë e festonim këtë muaj mirë, me ushqime të mira”, thotë ajo.

Pitalkat e njohura të Prizrenit

Selim Berisha, 96-vjeçar, tregon se iftaret e njohura të Prizrenit i ka dëgjuar edhe nga gjyshi i tij, Ajeti, po edhe nga baba i tij, Shemsedini, që kallëzonin se shumë shyhret bëhej për Ramazan.

“Bile tash ka dyqane e ka plot njerëz e dikur moti edhe ata që nuk ishin myslimanë kurrë nuk hanin e as nuk pinin në publik përgjatë Ramazanit. Dikur në kala të Prizrenit bëhej lajmërimi për iftaret e për syfyr e nga atje na lajmëronte iftarin dhe kur bëhej nijeti në syfyr. Të rralla qytete e kanë pasur traditën si Prizreni. Pitalkat e Prizrenit janë ndoshta më të njohurat në gjithë botën e sigurisht edhe më të veçantat, të cilat serohen më së shumti për Ramazan”, është shprehur ai.

Organizmi i shumë iftareve bëhet nga organizata joqeveritare të ndryshme. Gjatë muajit të Ramazanit ajo që dallon Prizrenin është se ka jetë nate.

Në Prizren në këtë muaj pasurohen sofrat dhe begatohen me ushqime. Kurse iftaret që shtrohen i ndihmojnë edhe shumë familje me gjendje të rëndë ekonomike. Në orën 3 të mëngjesit, që është syfyri, ka plot njerëz në qytet. Shumica e familjeve mbesin deri në orët e para të mëngjesit, por prizrenasit në këtë muaj gjatë ditës janë pak në qytet, pra gjatë këtij muaji në Prizren ditën ka më shumë vizitorë e turistë se prizrenas.

Restorantet ofrojnë ushqime me çmime të kapshme

Mrekullinë e iftareve të Prizrenit tashmë po e shijojnë shumë qytetarë edhe nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, si nga Tirana, Fieri, Shkodra, Kavaja e vende të tjera. Ardit Meço, nga Kavaja e Shqipërisë, tregon se traditën e iftareve të Prizrenit do të mundohen ta bartin edhe në Kavajë, ngase Prizreni dhe Kavaja dallohen si qytete të traditës së Ramazanit.

“Prizreni me këto iftare tashmë po dallohet në rajon. Iftaret prizrenase janë mrekullia shqiptare”, thotë Arditi.

Kurse Fatmir Maloku, njëri nga pronarët e lokaleve që përgatisin iftare me porosi, pohon se Prizreni tashmë ka krijuar në traditë të këtyre iftareve, edhe se lokalet përgatisin iftare të organizuara dhe i bëjmë me çmime shumë të kapshme dhe shumë të begata.

“Bie fjala menytë tona me shumë begati mund të sillen nga pesë deri në 7 euro e aty ka pitalka të njohura të Prizrenit, pastaj mishra të ndryshëm dhe specialitete të veçanta prizrenase. Po kështu shërbehen pije e ëmbëlsira të veçanta. Këto i bëjmë për muajin e Ramazanit me këto çmime, përndryshe pas Ramazanit ato çmime për këto meny domosdo se i dyfishojmë”, shprehet ai.

Maloku theksoi se mundohen të ndihmojnë duke ofruar ushqime të lira. Ai pastaj tregon se këto privilegje i ofron Prizreni.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit