RAMALLAH (AA) – Palestinezët kanë vërshuar në rrugët e Bregut Perëndimor të okupuar për të përkujtuar 70 vjetorin e “Nakbas” ose “Katastrofës”, term i përdorur nga palestinezët për t’iu referuar shpërnguljes masive të mijëra palestinezëve nga shtëpitë e tyre për t’i hapur rrugën shtetin të Izraelit, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke valëvitur flamuj palestinezë dhe të zinj, qindra njerëz marshuan në qytetin e Ramallahut drejt postbllokut Beit Eil në veri të qytetit.
Gjatë marshit, demonstruesit mbanin skulptura të 70 çelësave dhe pankarta me tekstin e Rezolutës 194 të OKB-së, që u garanton refugjatëve palestinezë të drejtën për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.
Forcat izraelite në pikat e kontrollit gjuajtën me gas lotsjellës, plumba gome dhe plumba të vërtetë për të shpërndarë protestuesit.
Sipas Kryqit të Kuq palestinez, në Hebron dhe Betlehem të Bregut Perëndimor, dy demonstrues u plagosën me plumba gome, ndërsa disa të tjerë pësuan asfiksi të përkohshme.
Të hënën, të paktën 61 palestinezë u martirizuan dhe qindra u plagosën me armë zjarri nga forcat izraelite përgjatë kufirit të Rripit të Gazës gjatë tubimeve për përkujtimin e përvjetorit të Nakbas dhe kundër zhvendosjes së ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Kuds.
Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, që nga fillimi i tubimeve më 30 mars, mbi 100 demonstrues palestinezë janë vrarë dhe qindra janë plagosur me armë zjarri nga forcat ndërkufitare izraelite.