1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Sëmundjet e zemrës – Poezi

Më të lexuarat

Kjo zemër e gjorë, kjo zemër e mjerë
Një herë bëhet dimër njëherë pranverë.

Sa e vogël duket, po ja që mban kaq shumë
Sa shumë sëmundje brenda, vërshojnë si lumë.

Aty burojnë sëmundjet, veset, syfaqësia
Dëshira për t’u shfaqur, të të shohë njerëzia.

Që të jesh dikushi, vetvetja të pëlqejë
Sa për njerëzinë, në djall të vejë.

Kjo zemër e vogël që mban mendjemadhësinë
Mburrjen, arrogancën dhe kryelartësinë.

Po si është e mundur të ketë kaq hapësirë
Të mbajë pa fund mllefe, urrejtje dhe smirë?

Aty zë vend lakmia, pasioni, grykësia
Aty nguliten thellë, zilia, hipokrizia.

Aty akumulohen armiqsitë, mëritë
Paragjykimet, urrejtjet të gjitha dredhitë.

Vendi nga ku burojnë, ndjenjat, dashuria
Por dhe ku thellohen, inati xhelozia.

A s’do ishte më mirë, për zemrën e mjerë
Të mbante përbrenda ç’do virtyt me vlerë?

A s’do ishte më bukur për zemrën e gjorë
Të ishte e pastër, e bardhë si borë?

Në vend të mburrjes dhe kryelartësisë
Të falënderojë Krijuesin, Zotin e gjithësisë?

Të luftojë shumë, të shporrë mendjemadhësinë
Të përqafojë të mirën, moralin, thjeshtësinë

Në vend të lakmisë, të bëhej bujare
Me punët e mira të ishte krenare?

Pse të mos jetë zemra, vendi i urtësisë
Mëshirës, humanizmit, pendimit, maturisë?

Pse të mos nguliten, falja, dhembshuria
Ndjenjat e mira, virtyti, çiltërsia?

A e di njeriu, zemrën si të pastrojë
Mendjen dhe shpirtin si mund t’i qetësojë?

Bëj zakon të mirën, moralin, drejtësinë
Tregohu i dhembshur fale njerëzinë.

Dhe kur ke inate, në ke smirë dikë
Largoje urrejtjen, lutu shumë për të.

Shkëmbe sa të mundesh, dhurata, buzëqeshje
Më fytyrë të çelur, largo çdo përleshje

Do shikosh sa bukur, zemra do qetësohet
Do vëresh sa mirë, shpirti do gëzohet

Por mos harro t’i lutesh Zotit të Plotfuqishëm
Nuk bën dot pa Zotin, sa do të jesh i dijshëm

Se Zoti që të krijoi të dha dhe diturinë
Të bëri të mençur të kutposh urtësinë

Zot që na krijove, Zot i Madhërishëm!
Pastroji zemrat tona, të jemi të njerëzishëm!

Mustafa Terniqi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit