Ish-ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri në një konferencë për mediat nga Kuvendi deklaroi se dorëzonte mandatin e deputetit deri në zbardhjen e të vërtetës dhe vendosjen në vend të drejtësisë lidhur me të.
“Dorëzoj mandatin e deputetit deri kur të zbardhet e vërteta e plotë. Unë nuk i përkas asaj race që shesin dinjitetin për pushtet. Sot jam si 2 mln shqiptarët e thjeshtë në pritje të drejtësisë sime. Kjo nuk është ndeshja ime e fundit, por e para. Nga sot nuk jam më deputet, do të përballem me këdo, e as do dorëzohem e përkulem para askujt. Dua të falenderoj çdo qytetarë që ka besuar te unë. Unë jam Sajmir Tahiri e nuk kam nevojë për imunitet e kuvend për t’u përballur me palaçot e politikës, sot e kurdo”, tha Tahiri.
Tahiri tha se heshtja e tij prej 6 muajsh nuk është aspak shenjë dorëzimi, por vetëm respekt për të vërtetën e tij dhe drejtësinë.
Ai lëshoi akuza të ashpra në drejtim të të gjithë klasës politikë në kuvend të cilët i ka cilësuar të gjithë palaço që i kanë pirë gjakun popullit në këta 25 vjet
Duke pranuar se punë e tij 4-vjeçare në postin e ministrit të brendshëm nuk ka kaluar pa gabime, Tahiri u shpreh se gjëja më e papranueshme është që gjyqin t’ja bëjë djalli, ose ata politikanë që për 25 vjet kanë vjedhur e vrarë dhe asnjëri prej tyre nuk u hetua, gjykua apo dënua.
“Kam 6 muaj që dëgjoj lloj-lloj gjërash sa të kisha qeverisur për 30 vjet nuk do të kisha imagjinuar kurrë kaq shumë akuza ndaj meje. Një herë kokë e mafies, një herë dru i shtrembër. Kjo është kur gjyqin ta bën djalli, jo se unë jam engjëll. Por kur e di që gjyqin ma bën ajo racë që ka qeverisur duke vjedhur. Më kanë thënë se më ka mbrojtur imunitet, Rama, mazhoranca edhe pse kam thënë vazhdimisht se nuk dua të më mbrojë asgjë. Tani dëgjoj që unë jam bërë pengesë për integrimin e vendit në BE, kur 25 vjet të mbushur me hajdutë, sot integrimin po ua pengoj unë. Jam përpjekur dhe ja kam dalë, nuk rri në kuvend për të pasur paprekshmëri, e jo më që rrugën për në Europë e pengoj unë. Kam 6 muaj që hesht e dëgjoj akuza. Kam 8 vjet në parlament e më duket sikur kam 80. 4 vjet ministër i brendshëm dhe më duket se nuk ka pasur asnjë tjetër para meje. Për mua çmimi i lirisë është më i rëndësishëm se ai i karrierës. Kur dëgjoj këta që flasin në emër të popullit se kurrizi i tij i mban të gjitha, kur i shoh të gjitha këto ngushëllohem”, tha me të tjerash.
Tahiri është shprehur i vendosur në betejën e tij për të zbardhur të vërtetën edhe pse sipas tij në këtë betejë ndodhet i vetëm përballë të gjithëve.
“Sa kanë shpifur për mua nuk është asgjë para kësaj. Këta lloj politikanësh të vrasin natën e të qajnë ditë. Kam duruar 6 muaj e nuk kam folur për të respektuar të vërtetën time dhe drejtësinë. Akuzohem për trafikant, drejtësinë do e kërkoj dhe pres në gjykatë deri ditën e fundit, por këtë gjyqin publik që ma bëjnë këta që kanë qeverisur 25 vjet nuk mund ta duroj. Për mua nuk del një shqiptar që thotë se jam hajdut, se kam vjedhur tenderë, rroj e do të përballem me drejtësinë. Unë nuk dua t’i iki e as t’i shmangem drejtësisë, kam fuqi për të vërtetën time. Heshtja ime nuk është shenjë nënshtrimi e frikë. Heshta se nuk doja që të bëja pazar, tani janë bërë të gjithë bashkë kundër meje, por unë do t’u bëj ballë të gjithëve”, tha mes të tjerash ministri i Brendshëm.