Deri më sot, në internet janë paraqitur të gjitha llojet e thashethemeve për modelin e ri të telefonit të Samsung, Galaxy S5, duke filluar nga specifikat e telefonit, dizajnin, datat e mundshme të lansimit në treg, e çfarë jo tjetër.
Tani, një tjetër thashetheme është publikuar, duke thënë se modeli i ardhshëm i Samsung – Galaxy S5 do të sjell edhe mundësinë e kontrollit të telefonit me gjeste.
Modelet e fundit të telefonave të Samsung zakonisht vijnë me mundësi të kontrollit me gjeste, por tani duket se prodhuesi korean është duke planifikuar ti përmirësojë ato dhe të ofrojë kontrolle të avancuara me gjeste.
Detajet e mundshme të gjeneratës së pestë të telefonit të linjës Samsung Galaxy kanë rrjedhur nga një patentë e depozituar nga Samsung.
Patenta është vërejtur nga Galaxy Club, dhe në të thuhet se përfshihen funksionet e reja të cilat mundësojnë kontrollin e telefonit me lëvizje të kokës dhe lëvizje të tjera.
Për shembull, gjatë shfletimit në internet, me lëvizjen e kokës në të majtë faqja do të kthehet në faqen e mëparshme, ndërsa me lëvizjen në drejtimin e kundërt do të hapet faqja tjetër. Patenta është publikuar para dy ditësh, ndërsa e njëjta është dorëzuar në qershor të vitit të kaluar.
Bazuar në thashethemet e publikuara deri më tani, Galaxy S5 pritet të vijë me 5-inç dhe rezolucionin prej 2K, 4GB RAM, procesorin e 64-bit Exynos 6 apo Snapdragon 805, kamerën e pasme me 16MP ISOCELL dhe Android 4.4 KitKat.
Samsung Galaxy S5 pritet të prezantohet në treg në prill të këtij viti, së bashku me Galaxy Gear. / Telegrafi /