2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Shqipëri – Harmonia fetare, modeli që duhet të ndjekë politika

Më të lexuarat

Komunitetet fetare të pranishme në Shqipëri përshëndesin rekomandimin për hapjen e negociatave me BE-në dhe i bëjnë thirrje politikës të jetë e përgjegjshme dhe të ndjekë modelin e harmonisë fetare për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian…

 

Komunitetet fetare të pranishme në Shqipëri përshëndesin rekomandimin për hapjen e negociatave me BE-në dhe i bëjnë thirrje politikës të jetë e përgjegjshme dhe të ndjekë modelin e harmonisë fetare për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Në një deklaratë për mediat, thuhet se “Ne, komunitetet fetare të pranishme në Shqipëri, shprehim përgëzimet më të përzemërta për popullin tonë shqiptar me rastin e marrjes së rekomandimit pozitiv nga ana e Komisionit Evropian për çeljen e negociatave me BE-në”.

Më tej thuhet se “Rrugëtimi ynë drejt Evropës, aty ku ne përkasim natyrshëm, është tashmë një fakt dhe një dëshirë e popullit tonë. Etërit themelues të shtetit shqiptar, ndër të cilët ishin edhe klerikë të besimeve tona fetare, ishin të bindur për këtë përkatësi. Po ashtu, në kohët më të vona, udhëheqësit fetarë të Shqipërisë nuk kanë dyshuar kurrë për vokacionin evropian të shqiptarëve, vokacionin për një shoqëri të lirë, ku të gjithë të ushtrojnë të drejtat e tyre, përfshi edhe të drejtën themelore të besimit. Ne besojmë se liria e fjalës dhe e besimit, familja, paqja, solidariteti, janë vlera mbi të cilat mbështetet edhe shoqëria jonë, që aspiron të jetë pjesë e familjes evropiane”.

Komunitetet fetare në Shqipëri ofrojnë një model të harmonisë

Po ashtu, komunitetet fetare shprehen se “Ne, komunitetet fetare në Shqipëri ofrojmë një model të harmonisë dhe të vëllazërimit, si një shërbim ndaj njeriut, shoqërisë dhe ndaj aspiratave të ligjshme të popullit tonë, ndër të cilat është edhe hyrja në familjen evropiane. Kjo harmoni dhe ky model është një pasuri që ne sjellim dhe mbartim me vete në rrugëtimin tonë drejt Evropës dhe është një e mirë për vetë shtetet që sot përbëjnë këtë organizim politik e shoqëror.”

Komunitetet fetare i bëjnë thirrje politikës të jetë e përgjegjshme

“Me këtë rast, ne i bëjmë një thirrje me ngulm dhe vendosmëri ndërgjegjes së të gjithëve, politikës në përgjithësi e qeverisjes në veçanti që të vazhdohet puna me përkushtim nga ana e të gjithëve për përmbushjen e standardeve që duhen për të qenë pjesë e Evropës.

Një thirrje e fundit, por shumë e rëndësishme nga të gjithë ne religjionet bashkë, i shkon kancelarive perëndimore. Nëpërmjet ambasadave të tyre të akredituara në Tiranë, ne u kërkojmë shteteve anëtare të BE-së që të mbështesin akoma më fuqishëm këtë proces. Është në të mirën e Evropës që edhe shqiptarët, e pse jo i gjithë Ballkani Perëndimor, të jenë pjesë e saj.

“Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe ne të gjithëve!”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Kishës Katolike, Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve dhe Vëllazërisë Ungjillore. /ATSH

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit