Pjesëmarrja e kosovarëve dhe madje vdekja e disa prej tyre në luftimet në Siri e ka shtyrë Qeverinë e Kosovës që të mendojë për hartimin e një bazë ligjore që ua ndalon pjesëmarrjen kosovarëve në luftëra jashtë vendit, një praktikë kjo e ndjekur edhe nga disa vende europiane.
Këtë e ka konfirmuar Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe Këshilltari i Kryeministri Hashim Thaçi, Bekim Çollaku.
“Në ditët e ardhshme, qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë legjislacionin adekuat për ta ndaluar me ligj një dukuri të tillë e cila nëse nuk sanksionohet me ligj, ka rrezik të marrë përmasa shqetësuese dhe të përsëritet edhe në raste tjera. Në momentin që qeveria e Republikës së Kosovës do të miratoj legjislacionin adekuat, ai do ti dërgohet parlamentit të Kosovës për miratim. Pra, kjo dukuri e rrezikshme duhet të sanksionohet me ligj me qëllim që të parandalohen përsëritja e rasteve të tilla tragjike në të ardhmen”, thotë Çollaku për Exp.
Edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi shprehet përafërsisht në të njëjtën mënyrë.
”Ne kemi qëndrim se vetëm për mes vendimeve të institucioneve tona qytetarët mund të angazhohen jashtë vendit në aktivitete paq-krijuese, apo konflikte të tjera me qëllime paqësore. Ende nuk është Shkuarja e individëve, por do të shikohet mundësia ligjore dhe praktikat ndërkombëtare”, thotë Kuçi për Exp.
Sipas tij, ky veprim individual i qytetarëve të Kosovës për përfshirjen e tyre në një luftë jashtë territorit të shtetit tonë kundërshtohet fuqimisht nga qeveria e Republikës së Kosovës sepse në asnjë formë nuk ndërlidhet me interesat nacionale dhe shtetërore të vendit tonë.
Vetëm brenda javës së fundit është konfirmuar vdekja në luftime e së paku tre kosovarëve./kohaislame