LONDËR (AA) – Ekspertët britanikë dhe amerikanë kanë paralajmëruar se ecja me këpucë nëpër shtëpi, të cilat janë mbajtur jashtë, mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas hulumtimit të ekspertëve të Universitetit të Arizonës në SHBA, në pjesën e jashtme të këpucës që mbathet çdo ditë, mund të gjenden rreth 421 mijë baktere dhe 2.887 në pjesën e saj të brendshme.
Ata paralajmërojnë se mes tyre ka shumë baktere që mund të shkaktojnë ndërprerjen e funksionimit të organeve të brendshme ose infeksione.
Jonathan Sexton,nga Universiteti i Arizonës thotë se bakteret mund të jetojnë disa javë.
“Duke mbajtur këpucët në shtëpi, të gjithë atë ku keni shkelur gjatë tërë ditës e sillni në shtëpi”, paralajmëroi ai.
Mendimin e njëjtë ndan edhe Michael Loughlin nga Universiteti i Nottingham Trent të Britanisë së Madhe.
“Bakteret që gjenden në këpucë vijnë nga gjërat ku ecim. Prandaj, në qoftë se shkelim një jashtëqitje kafshësh, duhet pastruar mirë këpucën e cila mund të ketë baktere të dëmshme për shëndetin e njeriut”, tha Loughlin.
Rezultatet e studimit tregojnë se sasia e baktereve në këpucën e pastruar me një detergjent mund të reduktojë rrezikun deri në 90 për qind.