GUTA LINDORE/ANKARA (AA) – Të paktën 47 civilë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve intensive të nisura nga regjimi i Bashar al Asadit dhe mbështetësit e tij, duke përfshirë Rusinë, që kanë nisur dje ndaj pikës së fundit nën kontrollin e opozitarëve në Gutën Lindore nën rrethim, në qarkun Duma, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas raportimeve të gazetarit të AA-së në Gutën Lindore, regjimi i Asadit dhe mbështetësi i tij, në dy ditët e fundit janë duke zhvilluar bombardime intensive ndaj vendbanimeve civile në qarkun Duma nga ajri dhe toka.
Sipas informacioneve të marrë nga burimet e Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha) në Gutën Lindore, si pasojë e sulmeve intensive të regjimit dhe mbështetësve të tij ndaj vendbanimeve civile të cilat i filloi dje, deri më tani kanë humbur jetën 47 persona.
Ekipet e Mbrojtjes Civile të cilët kanë arritur në vendin e ngjarjes vazhdojnë punimet për kërkim-shpëtim, ndërsa ka shqetësim se mund të rriten humbjet civile për shkak të sulmeve që vazhdojnë.
Civilët e plagosur janë duke u trajtuar në qendrat e shëndetësisë në qark me mundësi të kufizuara.
– Evakuimet u ndaluan, sulmet u intensifikuan sërish
Evakuimet e detyrueshme në Gutën Lindore si pasojë e marrëveshjes së arritur nën garantimin e Rusisë, kishin filluar më 22 mars.
Në Arbin, Zemelka dhe Ayn Terma të Gutës Lindore ishin zhvilluar evakuimet, ndërsa nuk ishte arritur marrëveshje në lidhje me Duma.
Në Duma-n e cila është rreth 7 kilometra katror gjenden 100 mijë persona nën rrethim.