Presidentët e Turqisë, Rusisë dhe Iranit, Recep Tayyip Erdoğan, Vladimir Putin dhe Hasan Ruhani, theksuan rëndësinë e integritetit territorial të Sirisë pas një samiti trepalësh që mbajtën në Ankara në lidhje me krizën në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
– Erdoğan kërkon mbajtjen e distancës nga të gjitha grupet terroriste në Siri
Në një konferencë të përbashkët për media, presidenti Erdoğan deklaroi se integriteti territorial i Sirisë varet nga mbajtja e distancës së njëjtë ndaj të gjitha grupeve terroriste.
Erdoğan tha se Turqia po përmbush përgjegjësitë e saj me kujdesin e nevojshëm në zonat e de-eskalimit në Siri.
“Humbës nga kriza dhe konfliktet është populli sirian ndërsa të gjithë e dimë shumë mirë se kush janë fituesit”, u shpreh ai.
Duke folur për samitin, presidenti turk tha se udhëheqësit diskutuan hapat që do të ndërmerren në ditët e ardhshme për të zgjidhur krizën siriane. “Qëllimi kryesor i samitit trepalësh është të rindërtojë një Siri ku mbizotëron paqja”, u shpreh ai.
Samiti i parë trepalësh u zhvillua në Sochi të Rusisë më 22 nëntor të vitit 2017 për të diskutuar përparimin e bërë në bisedimet e paqes në Astana dhe për ndryshimet në zonat de-eskalimit në të gjithë Sirinë. Presidenti turk tha se samiti i dytë është duke u zhvilluar në Ankara ndërsa shtoi se i treti do të mbahet në Teheran.
“Turqia nuk do të ndalet derisa të sigurohen të gjitha rajonet nën kontrollin e PYD/PKK-së, përfshirë Munbixhin. Ne kurrë nuk do të lejojmë që Siria apo rajoni ynë të sulmohen nga disa grupe terroriste”, deklaroi Erdoğan.
Ai shprehu gatishmërinë e Turqisë për të ndërmarrë veprime në qytetin verior të Sirisë Tal Rifaat së bashku me Rusinë dhe Iranin, për të siguruar një ambient paqësor për banorët e rajonit.
Erdoğan poashtu bëri thirrje deri tek komuniteti ndërkombëtar që të mbështesë një zgjidhje politike për krizën siriane.
– Putin: Turqia, Rusia, Irani në favor të sovranitetit territorial të Sirisë
Nga ana tjetër, presidenti rus Putin tha se në takim janë shkëmbyer mendime rreth normalizimit të përhershëm të gjendjes në Siri.
“Vendimi i përbashkët i Turqisë, Rusisë dhe Iranit është në favor të sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë”, tha presidenti rus.
Duke theksuar rëndësinë e këtij qëndrimi parimor, Putin tha se disa qarqe janë përpjekur të nxisin konflikte sektare dhe etnike dhe ta ruajnë potencialin konfliktuoz në Lindjen e Mesme.
Ai nënvizoi se tri vendet kanë vendosur ta rrisin bashkëpunimin me të gjitha drejtimet dhe se kanë dëshmuar se formati i bisedimeve të Astanas për Sirinë ka qenë produktiv.
Presidenti rus deklaroi se dhuna në Siri është zvogëluar në masë të madhe në saje të bashkëpunimit Rusi-Turqi-Iran, duke shtuar se forcat themelore të organizatës terroriste DEASH ka pësuar disfatë ndërsa edhe forcat ushtarake të organizatave të tjera terroriste kanë pësuar dëme.
Ai e cilësoi si të qëlluar propozimin e homologut turk Erdoğan për dërgim emergjent të ndihmave humanitare në Siri.
“Ky propozim është tejet i qëlluar sipas meje. Edhe Ruhani e mbështet këtë. Ne do të zhvillojmë punime në këtë drejtim dhe do të hedhim hapa konkretë”, theksoi Putin.
Putin po ashtu u shpreh se krahas aktiviteteve për zgjidhje politike në Siri, është e nevojshme që të garantohen edhe kushte për jetë normale për njerëzit në këtë vend.
I pyetur rreth helmimit të ish-agjentit Sergey Skripal në Britani të Madhe dhe një kërkimfalje të mundshme nga ana e Britanisë, Putin tha: “Në fakt, nuk presim asgjë. Shpresojmë të mbizotërojë arsyeja e shëndoshë dhe presim të mos vazhdojë tutje ky dëm që i është bërë marrëdhënieve tona ndërkombëtare”.
– Ruhani: Të gjithë ta njohin unitetin e Sirisë
Ndërsa presidenti iranian Ruhani kërkoi t’i kushtohet rëndësi integritetit territorial dhe sovranitetit të Sirisë dhe të njihet uniteti i këtij vendi.
Ruhani tha se rajoni viteve të fundit përballet me terrorizmin si problem serioz, duke shtuar se disa vende kanë trajnuar terroristët dhe u kanë ofruar burime financiare dhe armë moderne.
“Këta terroristë mund të shesin naftën që i përket popullit sirian. Këta janë terroristë që marrin dhe shesin objekte me rëndësi historike për popullin sirian. Disa fuqi të mëdha botërore si Amerika duan të shohin organizatat terroriste si DEASH dhe Al-Nusra si mjet të tyre në rajonin tonë për shumë vite”, tha Ruhani
Presidenti iranian lavdëroi iniciativat e tre shteteve në drejtim të gjetjes së zgjidhjes në Siri.
“Populli sirian sot ka më shumë shpresë sesa dje ndërsa unë jam i lumtur që shpresat e tyre për paqe janë më të mëdha. Po ashtu sot refugjatët sirianë kanë më shumë shpresë sesa në të kaluarën për kthim në shtëpitë tyre”, deklaroi Ruhani.
Ruhani theksoi rëndësinë për të ofruar më shumë ndihma për popullin sirian dhe në veçanti të plagosurit dhe personat me nevojë për trajtim.
Ai tha se kriza siriane nuk ka alternativë për zgjidhje ushtarake, duke shtuar se është e nevojshme që të gjithë së bashku të ndihmojnë në ndaljen e luftës dhe të ndjekin rrugën për zgjidhje paqësore.
“Populli sirian mund të vendosë vet duke qenë pjesë e zgjedhjeve, duke kërkuar reforma kushtetuese, duke marrë pjesë në zgjedhje të lira”, tha presidenti iranian Ruhani.
Ai shtoi se asnjë shtet nuk ka të drejtë të vendosë për të ardhmen e Sirisë, por me të duhet të merret vetëm populli sirian.