Qeveria e Sudanit të Jugut ka rënë dakord për vendosjen e një armëpushimi të menjëhershëm me rebelët, kanë bërë të ditur liderët e Afrikës Lindore pas takimit në Najrobi të Kenias.
Duke mirëpritur angazhimin e qeverisë së Presidentit Salva Kir, liderët e vendeve afrikane i bënë thirrje liderit të rebelëve Riek Maçar, që të bëjë të njëjtën gjë, pasi luftimet kanë vazhduar.
Por Maçar deklaroi se kushtet për armëpushim nuk janë plotësuar ende. Ai konfirmoi se dy nga aleatët e tij janë liruar nga burgimi, por apeloi për lirimin e nëntë të tjerëve.
Lirimi i 11 politikanëve, të akuzuar se po planifikonin një grusht shteti, ka qenë një kusht kyç i rebelëve për të negociuar me qeverinë sudaneze.
Përleshjet e fundit shkaktuan vdekjen e të paktën 1.000 personave, me beteja të ashpra të verifikuara në qytetin Malakal, në Shtetin e Nilit të Sipërm, shumë i pasur me naftë.
Mbi 121.600 persona kanë braktisur shtëpitë e tyre nga shteti më i ri i botës, me rreth 63.000 prej tyre që po kërkojnë strehim në kampet e OKB-së në zona të tjera të vendit.
Ndërkohë, nga vetë zyra e Presidentit Kir nuk ka ardhur ende konfirmimi se ai ka rënë dakord për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur.
Ai është i angazhuar në një përplasje të egër për pushtet me Maçar, dikur zv/presidenti i tij. Anëtarë të grupit etnik “Dinka” të Presidentit Kir dhe ata të etnisë “Nuer”, të cilës i përket Maçar, janë përballur në konflikte të armatosura, që kanë shkaktuar gjakderdhje të mëdha.
Liderët e vendeve të Afrikës Lindore, që përbëjnë bllokun 8-anëtarësh të njohur si IGAD, zhvilluan bisedime në kryeqytetin Najrobi të Kenias, një ditë pasi liderët e Kenias dhe Etiopisë takuan Presidentin Kir në Xhuba të Sudanit Jugor./trt/kohaislame