Donald Trump ka vendosur kryetar të Këshillit Kombëtar, njeriun e muxhahedinëve iranianë të Tiranës. Bëhet fjalë për John Bolton, ish-ambasadorin e Bushit në OKB dhe njeriun që vjen në Shqipëri herë pas here, për të takuar miqtë e tij të opozitës iraniane.
Bolton vizitoi Shqipërinë plot një vit më parë, me rastin e festës së Nevruzit, për të festuar së bashku me opozitën e regjimit të Ajatollahëve, që është strehuar në Shqipëri.
Vitin e kaluar në një intervistë me Sokol Balla në Top Story ai tha:
Sokol Balla: Ambasadori John Bolton faleminderit që jeni me mua sonte. Cilat janë arsyet e vizitës tuaj në Tiranë?
Bolton: Është kënaqësi! Kam ardhur që të qëndroj me opozitën iraniane që të festojmë Sulltan Novruzin, që është viti i ri iranian. Është udhëtimi i parë në Shqipëri dhe e kam për kënaqësi që më jepet mundësia që të vizitoj shkurtimisht Shqipërinë. Është një vizitë shumë e shkurtër, por është interesante të shikoj sesi refugjatët iranianë janë përshtatur dhe dua t’i shpreh mirënjohjen time qeverisë së Shqipërisë që u ka dhënë azil.
Sokol Balla: Deri ku shkon mirënjohja amerikane ndaj Shqipërisë për këtë që ajo bëri për opozitën iraniane?
Bolton: Në fakt, trajtimi i opozitës iraniane ka qenë një mundësi e rrallë për një bashkëpunim dypartiak sot në SHBA. Ka qenë një mjedis shumë i përçarë mes Partisë Republikane dhe asaj Demokratike. Në fakt, në këtë rast gjetën unitetin që t’i japin një zgjidhje kësaj krize me iranianët, prandaj i jemi shumë mirënjohës qeverisë shqiptare që u ka dhënë statusin e refugjatit disamijëra personave. Në këtë rast është pritur shumë mirë në mbarë spektrin politik amerikan.
Sokol Balla: A ka ndryshim në pozicionin e Uashingtonit përsa i përket opozitës iraniane, sidomos tani në fuqi është administrata Trump, që ka një qasje tjetër për marrëveshjen me Iranin, ndryshe nga administrata Obama?
Bolton: Është një situatë tjetër në politikën amerikane pas 20 janarit. Shumë dimensione lidhur me Iranin, programin bërthamor dhe opozitën aty vazhdojnë të qëndrojnë, sepse janë rutinë për administratën e re, por unë mendoj që është e qartë që Presidenti Trump ka një kendvështrim krejt tjetër sa i takon rrezikut që vjen nga Irani dhe ai vazhdon luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Pra le të themi që është një kendvështrim krejt tjetër nga ai i Obamas.