Nga Ergys Mërtiri
Mediat e huaja folën me shqetësim dhe çudi për një rikthim të fashizmit në Itali gjatë kësaj fushate elektorale. Pamje nga Milano që tregojnë simpatizantë të së djathtës ekstreme duke nderuar me simbole fashiste, kanë shqetësuar shumëkënd në Europë.
Europianët që shokohen nga këto pamje kanë nevojë të rishohin më thellë brenda shoqërive të tyre, madje edhe vetë vetes së tyre. Pyetja shtrohet: përse ata nuk shokohen nga simbolet komuniste dhe madje grupe radikale të së majtës ushtrojnë aktivitetin e tyre, ditën për diell në sytë e publikut? Përse nuk shokohen kur protestues të së majtës kudo në botë, nderojnë me grusht, në të gjitha manifestimet e tyre, aq sa grushti është bërë tashmë simbol i rezistencës së të gjitha lëvizjeve protestuese në shumë fusha, si ato të mjedisit, feminizmit, barazisë sociale etj.?
Europa dhe shumë vende të tjera të zhvilluara, kanë kontribuar vërtet shumë në kritikën dhe luftimin e totalitarizmit në përgjithësi. Ajo ka prodhuar mendim, debat, ligje, politika kundër totalitarizmit duke u përpjekur të eksportojë debatin dhe demokracinë aty ku mundet. Por duhet thënë se ajo e ka bërë këtë përgjysmë. Komunizmi nuk është trajtuar me të njëjtat standarde e kritere si fashizmi e nazizmi, për t’i dhënë atij hakun, njësoj si këtyre të tjerëve.
Përkundrazi, ndërsa deri vonë ende arrestohen bashkëpunëtorë të nazizmit kudo ku janë fshehur nëpër botë, sot nuk shohim të dënohen bashkëpunëtorë të kriminelëve që kryen gjenocide nëpër vendet e tyre në bllokun lindor. Madje përkundrazi, ka pasur deri vonë politikanë me kontribute në diktaturat komuniste të vendeve përkatëse që kanë mbajtur poste me rëndësi në BE. Asnjë politikë serioze nuk është kërkuar nga BE në funksion të dekomunistizimit të vendeve të lindjes dhe asnjë presion nuk iu është bërë këtyre vendeve për të dënuar të kaluarën.
Komunizmi nuk është aspak më i keq se fashizmi dhe, për sa kohë, njëri është jashtë ligjit kurse tjetri plotësisht i lirë e aktiv, ka diçka që nuk shkon. Për sa kohë europianët nuk shokohen që komunizmi ka kohë që është bërë trendi në Europë, natyrisht që do i vijë radha dhe fashizmit të hyjë në modë.
Asgjë nuk ka këtu për t’u habitur. Ekstremet prodhojnë gjithmonë ekstreme për kundërpeshë. Kur studentët marksistë në Britani, pengojnë profesorë të tyre, të pohojnë bindjet e tyre që bien ndesh me kauzat radikale të së majtës, natyrisht që, herët a vonë, do të dalin të tjerë që do të radikalizohen në kah të kundërt.
E pra, dopiostandardi historik e ideologjik, do të japë efektet e veta diku. Tharmi totalitar ka mbetur i fshehur brenda Europës dhe, herët a vonë, ai do të shfaqet në një mënyrë apo një tjetër. Flirti i një pjese të rëndësishme të Europës me komunizmin, është një njollë që do të vijë duke u vënë gjithmonë e më shumë në pah dhe rrënjët e mendësive totalitare do të hedhin shtat.
Frika për një rikthim të totalitarizmit ka kohë që artikulohet nga një sërë autorësh seriozë në perëndim, si p.sh. Bauman, Arendt e të tjerë dhe duket se shoqëritë tona nuk kanë vënë mend nga çfarë ndodhi në gjysmën e parë të shekullit, ndaj dhe rreziku i rikthimit të politikave gjenocidale është gjithmonë prezent.